Prishtina: Një qytet i gjelbër dhe miqësor ndaj njerëzve – mundësit dhe mekanizmat?

12.07.2023 Valon Raka

Qytetet e gjelbra, të njohura gjithashtu si qytete të qëndrueshme ose miqësore me mjedisin, janë zona urbane të dizajnuara dhe të zhvilluara me fokus në minimizimin e ndikimit mjedisor duke promovuar mirëqenien sociale dhe ekonomike. Këto qytete kanë prioritet praktikat e qëndrueshme në aspekte të ndryshme, duke përfshirë konsumin e energjisë, transportin, menaxhimin e mbetjeve, hapësirat e gjelbra dhe projektimin e ndërtesave. Qytetet e gjelbra synojnë të krijojnë një ekuilibër harmonik midis nevojave njerëzore dhe mjedisit natyror, duke u përpjekur për një të ardhme më të shëndetshme dhe më të mire për jetesë.

Zhvillimi ekonomik dhe social i një shoqërie përcillet me shumë ndryshime që e prekin direkt mjedisin. Këto ndryshime përveq që i përcjell një dinamizëm, poashtu shkaktojnë edhe ndryshime të dukshme në mjedis e shumë prej këtyre ndryshimeve janë negative. Këto ndryshime ndikojnë direkt në cilësinë e jetës në mjedisin ku jetojmë, por edhe kanë ndikim direkt në jetën e qytetarit. Kosova si një shtet i ri ka sfida të mëdha në planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor. Me rritjen ekonomike edhe fokusi i një shoqëirisë ndryshon. Ngritja e mirëqenies ekonomike ndikon që shoqëria të kërkon edhe zhvillim të qëndrueshëm, jetë më të mirë dhe angazhim të përgjithshëm që të gjithë palët e interesit bëhen pjesë e debatit deri në zgjidhjen e kënaqshme të kësaj problematike.

Kryeqendra jonë Prishtina është një qytet i cili ka zhvillim të shpejtë dhe dinamik. Ky zhvillim përcjell edhe shumë probleme që sfidojnë autoritetet lokale dhe e bëjnë jetën e qytetarit më të vështirë dhe shumë procese e situata janë sfidë në vete.  Njëra ndër sfidat kryesore janë edhe hapësirat e gjelbëruara të cilat  në shumë aspekte janë të mangëta, keqpërdoren apo nuk jane planifikuar mirë. Shpeshherë e kemi përshtypjen se të gjitha ato fidane edhe bimë, përfshirë edhe lulet për zbukurimin e shesheve hapësirave brenda kryeqendrës janë të mbjella “ad hoc”. Duhet cekur se vazhdimisht që nga paslufta deri më tani ka pasur aktivitete dhe projekte konkrete në rritjen e hapësirave të gjelbra brenda qytetit dhe e kemi një situatë më të përmirësuar, ku qytetari ka pak më shumë hapësira ku mund të frymojë më shlirshëm, por në anën tjetër ndërtimet e vrullshme shpeshherë pa ndonjë planifikim adekuat kanë ngulfatur hapësirat publike përfshirë edhe hapësirat e dedikuara për gjelbrim.

Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale për kryeqendrën, kanë dominuar tema që kanë të bëjnë direkt me cilësinë e jetës së qytetarit, projektet konkrete urbane, krijimi I hapësirave të gjelbra brenda hapësirave egzistuese, rregullimin e mobilitetit dhe si duket kjo ka qenë vendimtare në rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ky ekip që udhëheq me kryeqytetin për herë të parë e ka momentin që të bëjë më shumë për krijimin e hapësirave të reja, rritjen e hapësirave të gjelbra, të përmirësojë rregullimin urban si dhe të bëjëj zgjidhje adekuate, marrë parasyash faktin se edhe kryetari i komunës është arkitekt me profesion si dhe ka përvojë të gjerë në këtë kontekst. Komuna ka edhe konsulentë që ndihmojnë në proceset e ndryshme të implementimit të projekteve, por nuk ka numër të mjaftueshëm të profesionistëve. Sa i përket konsulentëve dhe angazhimin e kufizuar të tyre, duhet cekur se përgjegjësitë bien mbi zyrtarët komunal dhe janë kompetencë dhe përgjegjësi ekskluzive e tyre.

Me qëllim të ushtrimit të funksioneve të përcaktuara me dispozitat ligjore në fuqi, Drejtoria e Urbanizmit, është e organizuar në këta sektorë: Sektorin e Urbanizmit, Sektorin e Legalizimiz, si dhe Sektorin për mbrojtjen e mjedisit dhe energjisë efiqiente. Një kombinim interesant i jetës akademike, asaj profesionale dhe menaxhimit të këtij sektori të rëndësishëm vie pikërisht nga Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës z. Arbër Sadiki. Automjetet mbeten sfida kyqe e autoriteteve. Prezenca e madhe e automjeteve në rrugë e bie edhe një problem tjetër, atë të parkingjeve dhe mungesës së tyre. Shumë nga familjet që jetojnë në kryeqendër kanë disa automjete në dispozicion por në të njejtën kohë nuk kanë parkingje adekuate. Gjatë disa vendimeve të komunës për të rregulluar disa nga parkingjet në lagjet përkatëse komuna ka hasur në rezistencë të banorëve dhe bizneseve.  Sfidë tjetër mbetet edhe mungesa e koordinimit ndër institucional. Shpeshherë edhe vendimet e komunës hasen në konflikt me planet e ministrive apo agjencioneve të ndryshme që operojnë nga mënyra se si janë rregulluar kompetencat në mes tyre. Ndër sfidat e tjera që vlen të permenden janë edhe muret në disa lokacione dhe insitucionet komunale po tentojnë të arrijnë një kompromis që këto mure të ndërtuar gjatë periudhave të ndryshme turbulente të historisë të rrëzohen dhe hapësira të bëhet e qasshme për qytetarin.

Deri më tani ka pasur disa aktivitete për rregullimin e qarkullimit të automjeteve në kryeqendër duke e ndaluar qarkullimn si dhe duke i bërë disa rrugë një kahëshe, për të zvogëluar edhe numrim e automjeteve. Kjo ka pasur efekte të caktuara dhe gradualisht e ka zvogëluar prezencën e automjeteve në trafik. Si pjesë e kësaj strategjie edhe rritja e shesheve në kohë të caktuar ka ndalur edhe ndotjen e ajrit në një masë të caktuar si dhe ndotjen akustike. Tani jemi në fazën kur po punohet në rregullimin e çështjes së shkollave të reja, që besohet se do të zvogëlojë edhe më tutje numrin e automjeteve posaqërisht gjatë kohës kur fillon puna e instittucioneve dhe përfundon orari ditor.

Autoritetet presin një angazhim më proaktiv në këto qështje edhe nga Shoqëria Civile e cila mund të luaj një rol shumë aktiv në mbushjen e zbrazëtirave ku autoritetet nuk kanë mundësi të operojnë. Shumë sektorë të Shoqërisë Civile tanimë luajnë një rol aktiv në shumë sfera të tjera të shoqërisë. Është një domosodshmëri që kjo komponentë e rëndësishme e jetës demokratike të jetë më proaktive në debatin për qytete më miqësore për qytetarin si dhe për një Prishtinë më të gjelbër.

Ka shumë shembuj konkret se si  një qytetar me angazhimin e tij mund të bie ndryshim pa pritur nga institucionet. Komuniteti i bizneseve duhet t’i shohë edhe çështjet mjedisore  si një potencial i mire investimit dhe të ndërhyjë aty ku ka mundësi.

Si shembuj pozitiv të një ndryshimi urban është edhe Manifesta e cila u mbajt në vitin 2022 nga  korriku deri më 30 tetor. Manifesta solli interesim të madh brenda dhe jashtë Kosovës. Ky organizim shfrytëzon mardhënien mes kulturës, mjedisit urban si dhe shoqërisë civile. Ky organizim nxit debat ne mes jetës shoqërore dhe komunitetit. Manifesta, si një ngjarje e përsëritur çdo dy vite ka arritur të krijojë një dimension të ri gjithëpërfshirës të projekteve të angazhimit dhe interesimit qytetar, shembull se si mund të avancohen agjendat dhe interesimi qytetar. Ndërrmarrja Publike Lokale  “Hortikultura” poashtu njihet si një ndërrmarrje publike e cila ka bërë ndryshime pozitive dhe mundohet t’i mirëmban parqet dhe hapësirate e gjelbra në Komunën e Prishinës.

Me gjithe angazhimet e deritanishme kryeqendra mbetet ende një sfide për udhëheqjen e tanishme, por edhe për të ardhmen. Koordinimi në mes palëve të interesit për të hasur në mirëkuptim e për të zgjidhur sfidat ende nuk e ka arritur optimimumin. Bashkëpunimi ndër institucional duhet të përmirësohet dhe të ketë një dinamizëm që i kontribuon zgjidhjes së problemeve që ballafaqohet qytetari, këtu hynë edhe bizneset që mund të kontribuojnë në konceptin e një ekonomie qarkore si një koncept më i ri . Prishtina vazhdon të ketë probleme të mëdha dhe sfiduese për autoritetet lokale. Si përfundim është se komuna nuk ka kapacitete të mjaftueshme njërëzore për tu ballafaquar me të gjitha problemet. Sfida më e madhe do të mbetet rregullimi i çështjes së automjeteve dhe parkingjeve. Në fund vlenë të potencohet se edhe debatet, tryezat e rrumbullakëta dhe bisedimet për çështje që u cekën më lart duhet të shpeshtohen për të ngritur vetëdijen dhe të aktualizohen këto probleme që e sfidojnë qytetarin por edhe autoritetet lokale e qëndrore. Prishitina kryeqendra jonë është e të gjithëve dhe ne të gjithë duhet të jemi pjesë e zgjidhjes së problemit.