• Shqip

A ndikon Ligji i ri mbi pagat tek rinia?

26.03.2019 Dorutina Rexhaj

Rinia si ‘potenciali’ më i rëndësishëm i këtij vendi dhe si një ndër resurset kryesore është duke u lënë anash sa i përket fokusimit të politikave buxhetore dhe atyre zhvillimore në të. Kosova është një ndër shtetet që ka një përqindje shumë të madhe të rinisë, krahasuar me përqindjen e popullsisë së përgjithshme. Numri i popullsisë, që arrin moshën e punës, po rritet vazhdimisht dhe me të po shënon rritje edhe përqindja e të rinjve të papunësuar, prej vitit në vit.

Sipas raportit të Agjensionit të Statistikave të Kosovës i realizuar për tre mujorin e fundit të vitit 2018, rreth 50% të rinisë të grup moshës 15-24 janë të papunësuar. Shqetësuese është edhe përqindja e lartë e popullsisë aktive, ku pothuajse 1/3 e  personave të grup moshave 15-24 nuk janë të përfshirë në shkollim, punësim apo në ndonjë trajnim tjetër.

Në këtë linjë të shtjellimit, evident është fakti se rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikave për rininë luan edhe buxheti. Hartimi i buxhetit shihet si shumë me rëndësi në zhvillimin e ekonomisë të një vendi, duke bërë kështu që ndarja e duhur e shumave të luajë rol kryesor në atë se çfarë kahje zhvillimore do të marrë një shtet. Në këtë drejtim, të pashmangshme janë pyetjet: Çfarë kahje do të marrë shteti i Kosovës me buxhetin e planifikuar për vitin 2019? Sa do të jenë të rinjtë të përfshirë në të?

Buxheti i Kosovës për vitin 2019 parasheh që 60% të tij të jetë i fokusuar në paga dhe skema sociale. Ndërsa, pjesa tjetër të jetë e fokusuar në investime kapitale. Ky buxhet shkaktoi shumë pakënaqësi në publikun e gjerë. Një ndër ndryshimet pozitive që u fut në këtë buxhet është Fondi Rinor. Shuma prej 1 milionë eurosh e ndarë nga buxheti i Kosovës shihet si i mjaftueshëm për zhvillimin e programeve që parasheh Strategjia për Rini 2019-2023. Mirëpo, pengesë për përdorimin e këtyre fondeve del të jetë vet strategjia, pasi qe ajo ende është në draftin final, ndërsa miratimi dhe futja e saj në funksion shihet të jetë e largët, që prapë na kthen në pikën zero dhe në fokusin kryesor të këtij shkrimi – çështjet rinore lihen anash nga institucionet qeveritare. Politikat rinore tash e një vit e gjysmë janë pa një strategji konkrete, pasi që strategjia e kaluar kishte afat deri në vitin 2017, ndërsa momentalisht strategjia e re është ende në përpilim. Pasiviteti qeverisës deri më tani nuk arriti që potencialin kreativ për punë, që posedon rinia kosovare, të arrijë ta shndërrojë në veprimtari për projekte afatgjate.

Edhe pse institucionet shtetërore vazhdimisht theksojnë se në listën e prioriteteve është edhe rinia, kjo nga praktika, po shihet se nuk qëndron. Mos prioritizmi i rinisë nga institucionet dhe mungesa e kuadrove publike drejton të rinjtë, në rastin më të keq, drejt pasivizmit të tyre. Ç’është e vërteta, rinia në Kosovë do të mund t’i jepte formën e duhur përbërjes socio-kulturore në Kosovë, e cila tani për tani, lë shumë për të dëshiruar.