• Shqip

Ndikimi i pandemisë tek të rinjtë e Lipjanit: Sfidat dhe kërkesat për tregun e punës

06.04.2022 Ferdian Shala

Covid-19 (coronavirus) i cili u shpallë pandemi globale, nga organizata botërore e shëndetësisë (OBSH) shkaktoj një ndër krizat më të mëdha të shëndetit publik por jo vetëm kaq, kjo pandemi ndikoj pothuajse në të gjithë sektorët e zhvillimit të një vendi, duke filluar nga sektori i shëndetësisë i cila po përballej me një virus për të cilin nuk kishte terapi e cila mund të parandalonte përhapjen apo trajtimin e tij e deri tek sektori ekonomik, sektor ky i cili është kyç për zhvillimin e një vendi.

Pandemia po ndikonte në të gjitha fushat e jetës, duke filluar që nga kufizimi i lëvizjes së lirë e deri tek karantinimi i tërësishëm për shkak të parandalimit të përhapjes së virusit, kjo pashmangshëm që po krijonte vështirësi për të rinjtë të cilët u detyruan që të zhvendoseshin nga kontakti fizik me kolegët e tyre në atë virtual apo siç jemi mësuar ta dëgjojmë mësimin online, e i cili po ndikonte tek të rinjtë në shkëputjen e socializmit të tyre shoqëror.

Kriza e virusit Covid-19 pati ndikim edhe tek institucionet lokale duke i detyruar ata që t’i pezullojnë të gjitha aktivitet rinore e të cilat kishin për objektiv aktivizimin e të rinjve në fusha të ndryshme, ky virus ndikoj edhe tek organizata e shoqërisë civile të cilat në komunën e Lipjanit njihen për një aktivizëm rinor të jashtëzakonshëm, duke i pezulluar të gjitha aktivitet të cilat i kishin në domenin e tyre, përveç atyre të cilët arritën që përmes platformave digjitale ti realizojnë duke organizuar koncerte argëtimi për të rinjtë në këto platforma si dhe trajnime të cilat kryesisht kishin për qëllim përgatitjen e të rinjve në fushën e IT-së.

Komuna e Lipjanit pas rastit të parë me virusin Covid-19, themeloj shtabin emergjent për menaxhimin e situatës me pandeminë, në kuadër të kësaj institucionet lokale kanë marrë vendim të cilat kishin për qëllim lehtësimin e bizneseve të cilat veprojnë në komunën e Lipjanit, fillimisht duke i liruar nga pagesa e qirasë, bizneset e gastronomisë të cilat e zhvillojnë fushëveprimtarin e tyre në lokal të cilat janë në pronësi të komunës, e deri tek kategoritë e tjera të cenueshme e të cilat kanë pasur mbështetje institucionale, si nënat vet-ushqyese e deri tek familjet me gjendje të rëndë ekonomike.

Situata e pandemisë më së shumti ka prekur sektorin e punësimit, sektor ky i cili ende mbetet një ndër sfidat kryesore në vendin tonë, mos krijimi i vendeve të reja të punës dhe mos përputhja e shkollimit me kërkesat e tregut të punës vë në pahë mos koordinimin e politikave nacionale për zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe si pasoj kemi pasur rritjen e papunësisë dhe rritjen e varfërisë që janë dy indikatorë të rëndësishëm që na tregojnë se sa e brishtë është ekonomia jonë.

Tashmë institucionet shtetërore duhet që të fillojnë me strategjinë e rimëkëmbjes e cila duhet të trajtojë plotësisht ndikimet afatgjata të pandemisë dhe të përfshijnë një dimension të fortë ndërsektorial për të mbështetur të rinjtë në të gjitha fushat e në veçanti në përgatitjen e të rinjve në fushën e IT-së, forcimi dhe investimi në krijimin e vendeve të punës për të rinjtë dhe mbështetjen e iniciativave për startup biznese përmes të cilave do të krijoheshin vende të reja të punës do të ishte një masë inkurajuese për të rinjtë, gjithashtu duke njohur lidhjen midis faktorëve socio-ekonomikë dhe shëndetit mendor institucionet duhet të veprojnë tani për të trajtuar ndikimet afatgjata të krizës së sotme.