Për një kohë të gjatë, shtetet e Ballkanit Perëndimor e konsideronin të pakënaqëshëm angazhimin e Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit të shteteve të rajonit. Të hutuar mes kapitujve të negociatave të ngrira, reformave të lëna në gjysmë, dhe mosbesimit të ndërsjellë, perspektiva integruese e rajonit nuk jipte shumë shpresë. Ajo që njihet si “lodhje e zgjerimit” mes shteteve anëtare konsiderohej plangrishëse kryesore në proces.
Në shkurt të këtij viti, Komisioni Evropian prezantoi metodologjinë e re të zgjerimit për Ballkanin Perendimor. Sipas Bashkimit Evropian, metodologjia e re synon ta bëjë procesin e zgjerimit më të besueshëm, më të parashikueshëm, më dinamik dhe subjekt të drejtimit me të fortë politik. Vetë miratimi i një propozimi për metodologji të re të zgjerimit flet edhe për pranimin e Bashkimit Evropian se procesi aktual i zgjerimit duhet të përmirësohet dhe se është koha e fundit që në terma praktikë – përtej argumenteve normative të karotave dhe shkopinjëve për të nxitur reforma evropiane në rajon – të afirmojë perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor. Sigurisht, me përfshirjen gjithnjë më të madhe të partnerëve atlantikë në rajon, mungesa e qëndrimeve konkrete për të ardhmen e zgjerimit të Ballkanit do të shkaktonte vakuum të mëtejmë të fuqisë së Bashkim Evropian në rajon.
Metodologjia e re ridëshmon faktin që Bashkimi Evropian mund të projektojë rrugën e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian, por udhëheqëse të procesit duhet të jenë vetë institucionet e shteteve aspirante. Procesi i reformave institucionale duhet të forcohet dhe të shtyhet para në mënyrë që Bashkimi Evropian të jetë në gjendje të ofrojë prapa për rajonin nga ana e saj. Thënë këtë – për dëshpërimin e shteteve të rajonit të cilat pritnin lehtësira të ndjera në procesin e rishikuar – metodologjia e re nuk ofron qasje rrënjësisht të re për procesin e negociatave. Fokusi më i madh i metodologjisë së re qëndron në rëndësinë e reformave fundamentale për rrugën drejt Bashkimit Evropian. Sundimi i ligjit, funksionimi demokratik i institucioneve, reforma në administratën publike dhe reformat ekonomike do të hapen të parat si kapituj dhe do të rishikohen përgjatë tërë procesit të negociatave për pranim deri sa të mbyllen të fundit – progresi i të cilave do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave dhe çdo mungesë progresi mund ta kthejë procesin nga fillimi.
Në fazën në të cilën gjindet Kosova në rrugën e saj drejt integrimit, më i rëndësishëm mbetet procesi sesa negociatat e pranimit. Në 12 vite të shtetësisë së Kosovës, retorika kryesore e partive politike dhe institucioneve shtetërore është fokusuar në integrimin në Bashkim Evropian. Megjithatë, pas tërë këtyre viteve, sukseset e prekshme drejt këtij synimi mbeten të pakta. Politizimi i administratës publike, korrupsioni, krimi i organizuar dhe sistemi gjyqësor joefikas mbeten fajtorët kryesorë të ngecjes së Kosovës. I kuptueshëm stagnimi i Kosovës në fusha prioritare përderisa një shumicë e reformave janë bërë sa për të përmbushur kriteret e kërkesat e afatizuara vit pas viti prej Bashkimit Evropian, pa analizë të mirëfilltë e ndryshim demokratik si synim kryesor.
Metodologjia e re e propozuar për procesin e negociatave për zgjerim duhet t’i shërbejë institucioneve kosovare si rikujtues i fortë që Kosova ka nevojë për reformim të vetë procesit të reformave. Që perspektiva e zgjerimit të bëhet realitet, Kosova duhet të zotohet në krijimin e hapësirës për reforma të cilat kanë potencial për të transformuar mënyrën se si funksionon politika, ekonomia dhe shoqëria kosovare.
Në fakt, thelbësore për politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian mbetet progresi i përqafimit të reformave të nevojshme evropiane dhe bërja e tyre pjesë e agjendës së brendshme politike. Në atë që është zotuar t’a përmbush deri në fund të vitit 2017, rezultatet e përgjithshme të monitorimit deri në vitin 2019 tregojnë që institucionet kosovare kanë arritur t’i përmbushin vetëm 62% të objektivave dhe obligimeve të parapara në Agjendën për Reforma Evropiane. Në përgjithësi, Kosova ka ngecje të konsiderueshme në zbatimin e masave legjislative dhe zbatuese të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).
Situatë e tillë, megjithatë, nuk na zë në befasi – së paku jo organizatat e shoqërisë civile të cilat vazhdimisht kanë paraqitur ngecjet e institucioneve në këtë proces – meqë reformat në Kosovë janë shtyrë më shumë si pro-forma në vend se të krijojnë hapësirë për ndryshme thelbësore institucionale.
Me gjithë risitë e metodologjisë së re të propozuar për procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, si e tillë ajo nuk mund të shihet si shkop magjik për lehtësim të procesit te integrimit në Bashkim Evropian. Procesi i integrimit vazhdon të mbështetet në shkop me karota në krye, por po të mos ishte i tillë vështirë që do të ndërmirreshin reformat e nevojshme në rajon. Fuqia reformuese e Bashkimit Evropian, si forcë motivuese për ndërmarrjen e reformave të thella, ka potencial transformues politik dhe demokratik në Kosovë, dhe si e tillë duhet të prioritizohet nga institucionet kosovare. Mbi gjithçka, metodologjia e re duhet të shfyrtëzohet si momentum i ri dhe motivim për përshpejtimin, vazhdimin ose fillimin e reformave institucionale në Kosovë. Me rritjen e ndikimit politik të vendeve anëtare në procesin e zgjerimit, Kosova duhet të shtojë përpjekjet për krijimin e besimit të shteteve evropiane që nuk na e kanë njohur pavarësinë dhe të mirëmbajmë besimin e atyre të cilat na kanë pëkrahur deri më tani. Përtej ndikimeve politike në proces, rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e shtruar fillimisht në reforma.