Në epokën tonë komplet digjitale, ku informacioni përhapet shumë shpejt, është thelbësore që qytetarët të jenë vigjilentë dhe skeptikë të lajmeve që lexojnë. Kjo vlen veçanërisht në vende si Kosova, ku dezinformimi dhe lajmet e rreme janë bërë shumë të zakonshme, veçanërisht për shkak të situatave politike të paqëndrueshme.
Kosova ka qenë gjithmonë një zonë e prekur nga turbullira politike dhe sociale. Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë kanë shkaktuar një sërë narrativash të rreme dhe fushatash të dezinformimit. Kurdo që ndodh diçka në veri të Kosovës, një valë dezinformimi dhe lajmesh të rreme aterojnë në platformat e medias sociale, por fatkeqësisht edhe në medie tjera.
Burimi i informacionit në shumë prej lajmeve nuk është përmendet. Shumë prej portaleve nuk kanë “impressum”. Shumë faqe në rrjete sociale nuk dihet se çfarë prapavije kanë. Dhe ato u dalin përpara qytetarëve me informacione, të cilat i keqinformojnë.
Shpërndarja e lajmeve të pavërteta, të shtrembëruara dhe jashtë kontekstit, paraqet një sfidë për qytetarët në Kosovë. Kjo jo vetëm që kultivon një atmosferë të hutimit dhe mosbesimit, por ka potencialin për të formuar mendime dhe nxitur trazirat politike. Një faqe e dyshuar kishte thirr edhe protestë në jug të Mitrovicës përgjatë tranzirave në muajin maj. Edhe pse institucionet kishin alarmuar që mos të protestohet, njerëzit kishin dalë aty të thirrur nga “dikush” që nuk e njihnin.
Njëjtë një fotografi e një ushtari të vrarë në Nagorno-Karabakh në jug të Kaukazit, ishte shpërndarë si fotografi e një terroristi të vrarë së fundi në veri të Mitrovicës. Ajo u përdor edhe në konferencë nga Aleksandër Vuçiq, duke e thënë si një të pavërtetë.
Këto fatkeqësisht u shpërndan nga mediat shqipe. Arsyet janë të shumta se pse mund të ndodhin këto dezinformime. Ndonjëherë është mungesa e stafit në media, ndonjëherë është shpejtësia, që njihet si armiku kryesor i kualitetit, por ndonjëherë ndodhin edhe me qëllim.
Mediat shqipe bijnë pre e mediave serbe, të cilat edhe në botë njihen si përkrahëse të Vuçiqit, sa që Twitter u kishte vënë vulën si bashkëpunëtore të pushtetit. Në mungesë të njohësve të gjuhës, mediat shqipe i marrin lajmet serbisht dhe vetëm i përkthejnë në shqip me “google translate”, duke përçuar mesazhin e qartë të narrativës që dëshiron të krijojë pushteti.
Platforma Hibrid.info në Kosovë në një raport të tyre ka nxjerr se mediat serbe më së shumti dezinformojnë me qëllim të përqimit agjendave politike, teksa ato shqipe prodhojnë “clicbait”, që çojnë më shumë para në llogaritë e tyre me anë të klikimit.
Përballë një dezinformimi të tillë të përhapur, është thelbësore që qytetarët të jenë konsumues të dijetshëm të lajmeve dhe të angazhohen aktivisht në vërtetimin e fakteve.
Megjithatë, realiteti është se shumë qytetarë në Kosovë nuk janë në dijeni ose proaktivë në vërtetimin e fakteve në masën që duhet dhe nuk e ndajnë vijën mes një medie dhe një faqeje në rrjete sociale.
Mungesa e shkollimit mediatik dhe aftësive të mendimit kritik midis qytetarëve edhe më shumë kontribuon në problemin.
Adresimi i kësaj çështje kërkon një qasje të shumëanshme. Së pari, mediat dhe gazetarët duhet të përqëndrojnë dhe të theksojnë rëndësinë e verifikimit të fakteve në raportimin e tyre dhe mos ta shmangin për shkak të shpejtësisë. Duke marrë kohë për të verifikuar informacionin para se të shpërndahet, ato mund të luajnë një rol kyç në luftimin e përhapjes së dezinformimit.
Duhet që programe dhe iniciativa edukuese të implementohen për të mësuar qytetarët si të vlerësojnë kritikisht burimet e informacionit dhe të identifikojnë lajmet e dyshimta. Duke fuqizuar qytetarët me këto aftësi, mund të krijojmë një shoqëri që është më rezistente ndaj shpërndarjes së dezinformimit.
Për më tepër, organet shtetërore dhe platformat sociale duhet të ndërmarrin hapa për adresimin e çështjes së dezinformimit. Rregulla të rrepta dhe ndëshkime duhet t’iu shqiptohen atyre që shpërndajnë qëllimisht informacionet e rreme.
Sot në Kosovë kemi platformën Hibrid.info dhe “Kryptometri” nga BIRN që e bëjnë punën e verifikimit të lajmeve. Aty qytetarët mund të shohin se çka nuk është ashtu si transmetohet.
Megjithëse ka sfida të mëdh dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të forcuar dijet dhe aftësitë tona për të luftuar dezinformimin. Vetëdija dhe edukimi janë mjetet më të fuqishme në këtë betejë.
Ky editorial është mbështetur nga Ambasada e Zvicres në Kosovë.