• Shqip

Kuvendi si (mos)përfaqësues i shoqërisë kosovare

28.03.2017 Blerinë Ukshini

Kuvendi i Republikës së Kosovës si institucioni më i lartë legjislativ shtetëror ku deputetët zgjidhen drejtpërsëdrejti me vota e qytetarëve, do të duhej që të reflektonte një përfaqësim të denjësishëm të interesave të tyre. Por sa në të vërtetë ndodh kjo, lë shumë për të dëshiruar. Politika nuk është një shkollë ku politikanët hynë dhe në fund notohet por është punë që kërkon përkushtim të madh. Është një “shkollë” në vete ku aktivitetet dhe puna e tyre të përditshme vlerësohen çdo ditë nga qytetarët, kështu atyre duke ju dhënë mundësin që t’i votojnë përsëri për një mandat të radhës apo duke i dënuar me mos votën e tyre.

Deputetët bartin mbi vete gjatë gjithë kohës përgjegjësi ndaj qytetarëve të cilët i kanë votuar, por edhe ndaj atyre të cilët nuk votuan për zgjedhjen e tyre, sepse në fund të fundit paga e një deputeti grumbullohet nga taksat e të gjithë qytetarëve pa dallim partie, qëndrimi apo bindjeje. Dilema se sa përmbushen premtimet dhe qëndrimet e dhëna në fushata duket se nuk ka një fund. Shpesh herë arrihet deri në pikën ku deputetët/et fajësojnë njëri tjetrin për votimin/mos votimin e ligjeve/amendamenteve duke i ikur kështu përgjegjësisë individuale. Sa i përket çështjes së llogaridhënies jo gjithmonë qëndron pyetja se a i kanë përmbushur, por edhe mënyra se si i kanë përmbushur detyrat apo premtimet e dhëna. Sepse mbi të gjitha ajo çka arrihet duhet të bëhet në formë demokratike, dhe jo e kundërta e saj. Llogaridhënia është më shumë se sa dalja në foltoren e kuvendit apo shtypja e butonit të kuq në mikrofon për të folur një herë në 3 muaj. Por ka të bëj me incimin dhe shtyrjen përpara të proceseve të cilat janë për interes të qytetarëve.

Kuvendi në përgjithësi si përfaqësues i qytetarëve si institucion ballafaqohet me disa probleme. Së pari duke llogaritur aspektit gjeografik që është një çeshite diskutabile. Ekzistojnë disa rajone që kanë shumë përfaqësues/e,  kurse të tjerat nuk kanë fare dhe kjo ngrit problemin e gjithë përfshirjes. Por nëse ndalemi tek ajo se si deputetët e një rajoni të caktuar ngrisin zërin më shumë për ata qytetarë dhe problemet e tyre. Kjo me idenë se aty kanë marr më shumë vota, në fakt kjo nuk është aspak e drejtë për shkak se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore. Nëse kjo çështje merret parasysh atëherë është problemi tek deputetet të cilët nuk po e kryejnë punën e tyre siç duhet. Nëse ata përfaqësojnë vetëm komunën e tyre, atëherë kemi të bëjmë me ngatërrim të kuvendit në nivel nacional me atë komunal.

Përfaqësim i denjë i një deputeti në kuvendin e Kosovës do të ishte, nëse deputeti do të punonte dhe kontribonte në komisionet parlamentare dhe do të ishte prezent në çdo hap të draftimit dhe hartimit të dokumenteve për nevojat e qytetarëve. Kuvendi i Kosovës me deputetët/et e tij do duhej të reflektonte dhe përfaqësonte interesat e qytetarëve jo atyre partiake. Prezenca jo e rregullt në sallë, mbajtja jo e rregullt e seancave, mos transparenca gjatë votimit të amendamenteve, si dhe mbajtja e mbledhjeve të dy komisioneve në të njëjtën kohë përderisa ka gjasa që një deputet të jetë pjesë e dy prej tyre nuk ndihmon në përfaqësim të shoqërisë.

Kuvendi si pushteti kryesor që është zgjedhur nga qytetari duhet t’a ushtroj punën e tij në mënyrë të pavarur. Rolin indirekt që luan qeveria ndaj kuvendit mbi proceset e ndryshme bën që qytetarët mos e konsiderojnë kuvendi një institucion të besueshëm. Edhe pse në suaza normale do të duhej që Kuvendi të mbikëqyrë punën e Qeverisë dhe jo anasjelltas. Ndryshimi i qëndrimeve të deputetëve/eve me presionin që vije nga lartë bën që besueshmëria në përfaqësim të shoqërisë sonë zbehet. Rasti konkret është kur deputetët zotohen se do të votojnë për një çështje pro ose kundër, por më pas ndryshojnë mendimin duke rënë në kontradiktë me veten.

Besimi është zbehur dhe kjo zbehje do të vazhdoj të thellohet edhe më shumë nëse deputetet e kuvendit nuk do e marrin më me seriozitet përfaqësimin, përkushtimin ndaj punës, kështu së pari duke qenë prezent në sallën e kuvendit e me pas duke dhënë kontributin e tyre. Çka rekomandohet është që të zhvillohen takime më të shpeshta me qytetarët jo vetëm kur ata kanë nevoja emergjente apo pas katër viteve kur kanë nevoj për votat e tyre. Deputetë/et si pjesë e kuvendit, si institucion përfaqësues duhet të rrisin komunikim me qytetarët/et t’i pyesin për problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen në komunitetin e tyre. Megjithatë, pavarësisht problemeve në përfaqësim, detyrë e secilit qytetar është të votoj. Ndryshimi i gjendjes aktuale për të mirë mund të bëhet vetëm nëse kërkohet në vazhdimësi llogaridhënia dhe nëse zhduket ky hendeku mes deputetit dhe qytetarit. Pa këtë lidhjen e pashkëputshme deputet/e-qytetar/e, nuk mund të flasim as për përfaqësim!