Në një botë ku barazia gjinore ende është një synim i paarritshëm dhe diskriminimi ndaj grave në sferën ekonomike vazhdon të jetë një realitet, është koha për një ndryshim të thellë dhe të qëndrueshëm. Tema e mbrojtjes ligjore dhe pavarësisë ekonomike për gratë nuk është thjesht një çështje e teorisë së politikës; është një sfidë që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e miliona grave nëpër botë. Ne duhet të shqyrtojmë rëndësinë e një kuadri ligjor të fuqishëm dhe politikave të ndërgjegjshme për të siguruar një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjitha gratë.
Në shumë shoqëri, gratë përballojnë pengesa të mëdha në përvojën e tyre ekonomike. Paga e ulët, diskriminimi në vendin e punës, mungesa e mundësive për avancim, dhe abuzimi ekonomik janë vetëm disa nga sfidat me të cilat ato ballafaqohen përditë. Ndërkohë që disa progrese janë bërë në luftën kundër diskriminimit gjinor dhe në promovimin e barazisë ekonomike, ende ka shumë punë për të bërë.
Kuadri ligjor është baza e çdo shoqërie të drejtë dhe të barabartë. Ligjet që mbrojnë të drejtat ekonomike të grave duhet të jenë të forta dhe të zbatohen me vendosmëri. Megjithatë, vetëm një kuadër ligjor i fuqishëm nuk është i mjaftueshëm. Është e nevojshme që politikat dhe shërbimet mbështetëse të jenë në vend për të siguruar zbatimin e drejtësisë dhe për t’u ofruar ndihmë atyre që janë pre e abuzimit ekonomik.
Në këtë kontekst, një nga sfidat kryesore është ndërgjegjësimi dhe edukimi i shoqërisë në tërësi. Ka nevojë për një ndryshim kulturor që të trajtojmë të gjitha gjinitë në mënyrë të barabartë dhe të ndërtojmë një shoqëri ku gratë kanë të njëjtat mundësi si burrat për të zhvilluar karrierën e tyre dhe për të arritur suksesin ekonomik. Për të arritur këto qëllime, është e rëndësishme që qeveria të marrë masa të vendosura për të forcuar ligjet dhe politikat ekzistuese dhe për të krijuar ambiente më të sigurta për gratë në sferën ekonomike. Në të njëjtën kohë, organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile duhet të vazhdojnë të punojnë në mbështetje të grave të prekura nga diskriminimi dhe abuzimi ekonomik. Në fund të fundit, garantimi i sigurisë ekonomike për gratë është një detyrë për të gjithë ne si një shoqëri. Koha për të shfaqur përgjegjësi dhe solidaritet për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë duhet të jetë prioritet thelbësor dhe urgjencë institucionale. Asnjë grua/vajzë nuk duhet të përballët me diskriminim ose abuzim në sferën ekonomike. Mund të krijojmë një botë ku të gjitha gratë apo vajzat kanë mundësinë për të shkëlqyer dhe për të arritur potencialin e tyre të plotë në çdo aspekt të jetës. Kjo është një sfidë që ne nuk mund të lejojmë të shpërfillet.
Në kohën kur shqyrtojmë sfidat dhe nevojat e grave në shoqërinë tonë, zërat e drejtuesve/eve të institucioneve dhe aktivistëve/eve kanë një rëndësi të veçantë. Diskutimi u fokusua në fushën e drejtave të grave, reflektuan për kornizën ligjore dhe realitetin e sigurisë për gratë në Kosovë. Megjithëse ligjet mund të jenë të shkruara mirë, duhet të krijojmë programe konkrete që t’u ndihmojnë grave të ndjehen më të emancipuara dhe të sigurta. Ligjet, nëse jo të zbatuara me vendosmëri, mund të lehtësojnë dhunën dhe diskriminimin. Në vend të kësaj, institucionet duhet të angazhohen në veprime të drejtpërdrejta për të ndihmuar gratë që përballen me kërcënime të tilla.
Ndërkaq, vazhdon shqetësimi për mungesën e sigurisë për gratë në Kosovë, edhe pse ka një kornizë ligjore relativisht të avancuar. Nevoja për mekanizma më të përgjegjshëm që të trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave është më se evidente. Këtu përfshihen institucionet që nga policia deri te gjykatat dhe prokuroria. Fatkeqësisht, realiteti tregon që shpesh herë gratë që janë viktima të dhunës janë lënë të pambrojtura ose janë të zhgenjyara nga punonjësit/et e institucioneve të cilët/at duhet të garantojnë sigurinë e tyre. Është theksuar nevoja e autonomisë financiare, duke i fuqizuar gratë në tregun e punës, po ashtu gjatë diskutimit për sigurisë ekonomike të grave dhe sigurimin e rrugëve për t’i shpëtuar abuzimit u theksua nevoja për rritjen e vetëdijes për informin dhe të drejtat e grave në shoqëri, sa i përket çështjes së të drejtave në punësim, pronë, dhe ndër të tjera rëndësinë për vendet rurale, ku duhet të ipet theksi veçantë kësaj çështjeje duke zhvilluar iniciativa për përfshirjen e grave në vendimmarrje dhe tregun e punës. Në Kosovë, ka një shqetësim dhe diskutim të vazhdueshëm rreth drejtësisë gjinore. Ka organizata dhe grupe aktiviste që punojnë për të promovuar barazinë gjinore dhe për të luftuar diskriminimin dhe dhunën gjinore. Në nivel ligjor, ka pasur përparime, si për shembull, në miratimin e ligjeve për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e grave dhe të fëmijëve nga dhuna në familje. Megjithatë, ende ka sfida dhe nevojë për të vazhduar luftën kundër stereotipeve gjinore dhe për të ndërmarrë masa për të siguruar barazinë e plotë gjinore në të gjitha sferat e shoqërisë.
Në anën tjetër, diskutimi u përqendrua edhe në nevojën për të trajtuar shumë tema në bashkëpunim me gratë për të rritur vetëdijen e tyre për të drejtat dhe mundësitë e tyre. Përveç pagës, është e rëndësishme që gratë të kenë mundësi për zhvillim personal dhe profesional, duke përfshirë mundësinë për t’u angazhuar në punë në mënyrë të barabartë me burrat. U theksua mbështetja financiare për vajzat/gratë në fushën e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (apo STEM). Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka mbështetur financiarisht studentet vajza/gra në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës në arsimin e lartë në Kosovë. Mbështetja totale për këtë iniciativë është 1,000,000 (një milion) EURO, me të cilën janë mbështetur 1,000 studente.
Ligjet kundër dhunës dhe diskriminimit bazuar në gjini kanë një ndikim të madh në sigurinë ekonomike dhe autonominë e grave. Këto ligje ofrojnë një mbrojtje juridike për gratë kundër të gjitha formave të dhunës dhe diskriminimit në vendin e punës, duke siguruar që ato të kenë mundësinë për të zhvilluar karrierën e tyre dhe për të siguruar të ardhmen ekonomike pa ndikimin e paragjykimeve gjinore.
Programet e mirëqenies sociale, si dhe rregulloret e punës, luajnë një rol kritik në mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës dhe në ofrimin e mundësive për pavarësi ekonomike. Këto programe ofrojnë ndihmë financiare, këshillim dhe mbështetje për gratë që janë të prekura nga dhuna ose diskriminimi, duke i ndihmuar ato të përparojnë drejt qëllimeve të tyre ekonomike dhe të shpëtojnë nga situatat e abuzimit. Një çështje shumë e rëndësishme që u shtjellia gjatë diksutimit ishte çështja e transportit, e sidomos nga vendet rurale dhe mbështetja e komunave për fuqizimin e grave me fonde për biznise të vogla dhe të mesme, ku mund të sjellte një situateë ku gratë të pavarësohen ekonomikisht nga burrat. Gjithashtu rëndësia e punëve të shtëpisë nuk merret parasysh e sidomos nga burrat. Burrat nuk i njohim mjaftueshëm të drejtat e grave. Komunat mund të ndërmarrin masa për të siguruar qasje të barabartë në transport publik për gratë në zonat rurale. Përveç kësaj, mbështetja e grave me fonde për biznese të vogla dhe të mesme është e rëndësishme për të ndihmuar në pavarësinë ekonomike të grave dhe për të rritur rolin e tyre në ekonominë lokale. Është e rëndësishme të promovohet puna në shtëpi dhe të jepet mbështetje për të siguruar që gratë të kenë mundësi të punojnë nga shtëpia, duke e lehtësuar kështu qasjen e tyre në tregun e punës. Gjithashtu, duhet të ketë përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me të drejtat dhe nevojat e grave në shoqëri, duke përfshirë dhe duke edukuar burrat për këtë çështje. Zhvillimin e programeve edukative dhe fushatave për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të promovuar barazinë gjinore në shoqëri, duke përfshirë edukimin e të rinjve/reajve dhe të rriturve në lidhje me rëndësinë e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave.
Ndërsa sa i përket shërbimeve mbështetëse, përfshirë strehimoret, këshillimet dhe programet e ndihmës financiare, janë thelbësore në fuqizimin e grave për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme dhe për të shpëtuar nga situatat abuzive. Këto shërbime ofrojnë një rrjet të fortë mbështetës dhe resurse për gratë që kanë nevojë për ndihmë, duke i ndihmuar ato të ndërtojnë autonomi dhe të sigurojnë të ardhmen e tyre ekonomike. U theksua edhe se krijimii programeve detyrimore të këshillimit ose ndërhyrjes emergjente për individët e identifikuar si autorë të dhunës në familje, apo edhe veprave të tjera, përfshirë burrat që kanë qenë abuzues ndaj grave të tyre, mund të luajë një rol të rëndësishëm në adresimin dhe parandalimin e dhunës gjinore. Këto programe ofrojnë shërbime dhe trajnime për të ndihmuar autorët e dhunës të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre dhe të marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre. Ministria e Drejtësisë ka hartuar porgramin për kryrësit/et e dhunës në familje dhe është e rëndësishme të hartohen programe të këshillimit edhe të personave të tjerë të përfshirë në fenomenet e tjera. Në këtë fushë u potencuan programe parandaluese për të miturit.
Mungesa e një rrjeti të fortë mbështetës social në komunitetet rurale mund të ndikojë në presionin e shtuar me të cilin përballen gratë në këto mjedise për t’i dhënë përparësi stabilitetit familjar mbi mirëqenien e tyre personale. Ndërkohë që rrjetet mbështetëse sociale janë më të pranishme në qytete, nevoja për të zgjeruar këto shërbime në zonat rurale është e rëndësishme për të garantuar mbështetjen dhe sigurinë e grave në të gjithë territorin. Eshtë theksuar pavarësia ekonomike dhe qëndrueshmëria financiare. Disa praktika premtuese dhe qasje inovative mund të përfshijnë programe të orientuara drejt zhvillimit të aftësive profesionale, disa iniciativa që ka marrë Komuna e Prishtinës, ku janë aftësuar 23 gra që kanë përfituar nga mbështetja e Komunës.Ndër të tjera u theksua rendësia që edhe komunat e të tjera të ndjekin shembullin e Komunës së Prishtinës duke ofruar ndihma financiare për të ndihmuar gratë në themelimin e bizneseve të tyre, dhe fushatat e ndërgjegjësimit për të sensibilizuar publikun rreth rëndësisë së barazisë gjinore në sferën ekonomike.
Investimi në startape apo inkubatorë të krijuar dhe menaxhuar nga vetë gratë, veçanërisht ato që janë viktima apo të mbujetuara të dhunës ose që kanë pasur pengesa në karrierën e tyre, mund të jenë një mënyrë efektive për t’u ndihmuar grave të ndërtojnë biznese të tyre dhe të sigurojnë burime të reja të të ardhurave. Inovacioni social është një element kyç në adresimin e sfidave sociale të tilla si dhuna ndaj grave dhe pavarësia ekonomike. Përdorurimi i qasjeve inovative dhe krijimi i programeve të reja mund të na ndihmojë të shpikim mënyra efikase për të mbështetur gratë dhe për të promovuar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë. Megjithatë është i rëndësishëm edukimi financiar i cili është një pjesë thelbësore e pavarësisë ekonomike. Institucionet politikëbërëse, qeveria, komunat dhe organizatat e shoqërisë civile, mund të zhvillojnë programe të specializuara të edukimit financiar për gratë dhe vajzat, duke përfshirë mësimet për menaxhimin e financave personale, investimeve inteligjente dhe krijimin e buxhetit të qëndrueshëm. Bashkëpunimi i institucioneve publike me kompanitë private për të krijuar programe të përbashkëta të punësimit dhe trajnimit mund të japë rezultate të shkëlqyera. Kompanitë private mund të ofrojnë programe trajnimi dhe praktikë për gratë, duke u ndihmuar atyre të fitojnë aftësi të reja dhe përvojë pune dhe pastaj të angazhohen si staf i rregullt në punë.
Në fund të fundit, diskutimi thekson nevojën për një përkushtim të përbashkët nga të gjithë akterët shoqërorë dhe institucionet për të garantuar sigurinë dhe të drejtat e grave në shoqërinë tonë. Ligjet duhet të jenë efektive dhe të zbatohen në mënyrë të drejtë, ndërkohë që nevojitet një ndërgjegjësim i gjerë shoqëror për të adresuar shkallën e dhunës dhe diskriminimit që ende përshkruajnë realitetin e shumë grave në Kosovë. Kjo është një përpjekje që duhet të mbështetet nga të gjithë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë.
Ky editorial është shkruar në kuadër të Sallonit të së Martës i organizuar në bashkëpunim me The Friedrich-Ebert-Stiftung, Prishtina Office (FES Kosova).