Interneti duhet të jetë një vend i sigurt për gratë

16.03.2023 Leonida Molliqaj

Interneti nuk është një hapësirë ​​e barabartë dhe e sigurt për të gjithë. Viteve të fundit ka pasur një rritje të shqetësimeve të përjetuara nga gratë në platformat e rrjeteve sociale në nivel global, poashtu në Kosovë.

Aktivistë/e dhe organizata për të drejtat e grave kanë alarmuar vazhdimisht për përhapjen e dhunës me bazë gjinore në internet. Megjithatë, aktualisht dhuna digjitale ndaj grave nuk është e përfshirë në kornizën ligjore të Kosovës.

Ka një debat global nëse përdorimi i gjuhës së urrejtjes ndaj grave në rrjetet sociale duhet të dënohet me ligj. Disa argumentojnë se është një shkelje e fjalës së lirë dhe se është e vështirë të përcaktohet se çfarë përbën gjuhë të urrejtjes. Të tjerët mendojnë se gjuha e urrejtjes është një formë e ashpër e dhunës andaj duhet të trajtohet si e tillë sipas ligjit.

Një sondazh i kryer nga Amnesty International në tetë vende të botës në vitin 2017, zbuloi se 23% e grave kishin përjetuar një formë abuzimi ose ngacmimi në platformat e rrjeteve sociale.

Përdorimi i gjuhës së urrejtjes ndaj grave përmes komenteve në rrjetet sociale është një nga format e manifestimit të kësaj dhune. Gjuha e urrejtjes e drejtuar ndaj grave në komente mund të marrë shumë forma, duke përfshirë sharjet seksiste, mizogjene, objektifikimin dhe kërcënimet me dhunë fizike e seksuale.

Dhuna me bazë gjinore në rrjetet sociale interpretohet si zgjatim i pabarazive e shtypjes gjinore që ekziston në jetën e përditshme. Shkaqet e dhunës online ndaj grave janë të lidhura ngushtë me patriarkalizmin offline.

Një nga arsyet që gjuha e urrejtjes ndaj grave në rrjetet sociale është kaq e përhapur është edhe për shkak të anonimitetit që ofron interneti. Njerëzit ndihen të guximshëm për të thënë gjëra që mund të mos i thonë personalisht, kur kanë mundësi të kenë identitet të rremë.

Pasojat e gjuhës së urrejtjes ndaj grave përmes komenteve në rrjetet sociale mund të jenë të rënda. Gratë që janë në shënjestër të gjuhës së urrejtjes, përgjithësisht gra të përfshira në jetën publike, mund të ndihen të pasigurta dhe të frikësuara për mirëqenien e tyre fizike dhe emocionale. Gjuha mizogjene e kërcënuese mund të kontribuojë gjithashtu në kultivimin e një kulture frike e cila mund t’i dekurajojë gratë të marrin pjesë plotësisht në diskutimet publike. Më qartë, dhuna online prek lirinë e shprehjes së grave.

Sipas një raporti hulumtues mbi dhunën online ndaj grave në politikë të realizuar nga D4D, gjatë periudhës së fushatave gratë politikane përballën më shumë me dhunën online. “D4D ka analizuar plotë 373 postime dhe 5,567 komente. Rrezultatet tregojnë se shumica dërmuese ose afër 70 përqind e tyre ishin komente negative ose me përmbajtje të gjuhës mizogjene ndaj grave kandidate, ndërsa vetëm pak më shumë se 30 përqind ishin komente pozitive”, thuhet në raport.

Në vitin 2021, Grupi i Ekspertëve i Këshillit të Evropës për Aksionin kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (GREVIO) ka publikuar një rekomandim specifik që vë theksin tek nevoja që shtetet të marrin masa për parandalimin dhe adresimin e dhunës digjitale ndaj grave. Specifikisht, rekomandimi u bën thirrje shteteve:

– Të vendosin ose forcojnë ligje që trajtojnë specifikisht dhunën digjitale ndaj grave.

– T’u ofrojnë grave viktima të dhunës digjitale qasje në shërbime dhe mjete efektive.

– Të mbledhin të dhëna dhe kryejnë hulumtime mbi përhapjen dhe natyrën e dhunës digjitale ndaj grave.

– Të ngrisin njohuritë dhe vetëdijen mbi dhunën digjitale ndaj grave dhe vajzave.

Në përgjithësi, gjuha e urrejtjes e drejtuar ndaj grave përmes komenteve në rrjetet sociale është një problem serioz që kërkon një qasje të shumëanshme për t’u adresuar. Duhet rritur ndërgjegjësimin, duke rritur përgjegjshmërinë dhe duke fuqizuar gratë. Vetëm në këtë mënyrë është e mundur të krijohet një mjedis online më i sigurt dhe më gjithëpërfshirës për të gjithë.

Duhet të bëhen përpjekje serioze për ta bërë internetin një hapësirë ​​të sigurt për gratë dhe vajzat, si nga një këndvështrim më i gjerë i normave sociale ashtu edhe nga rregulloret ligjore.

Ky editorial është shkruar në kuadër të Sallonit të së Martës me temën: Përdorimi i gjuhës së urrejtjes përmes komenteve në rrjetet sociale ndaj grave – cilët janë faktorët e përdorimit të kësaj gjuhe dhe a duhet të ndëshkohet me ligj? me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në partneritet me Advocacy Training and Resource Center (ATRC), Internews Kosova dhe Institutin Democracy for Development (D4D).