• Shqip

Fuqizimi i komuniteteve: Rëndësia e Ndërgjegjësimit për Vaksinimin kundër HPV-së

07.12.2023 Bujar Vitija

Kanceri i qafës së mitrës është sëmundja e katërt malinje që prek më së shumti gra. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 2022 me këtë sëmundje janë diagnostikuar mbi 600 mijë gra në botë, ndërsa rreth gjysma e tyre kanë humbur jetën.

Në Kosovë fatkeqësisht nuk kemi të dhëna të sakta për vdekshmërinë, por në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës regjistrohen rreth 100 rastet e reja çdo vit.

Sëmundjet malinje janë të ndryshme dhe faktorët në shumicën e rasteve nuk dihen. Për kancerin e qafës së mitrës, jemi me fat nëse mund të themi, se e dimë faktorin kryesor që është virusi Human Papilloma. Dhe për parandalimin e këtij virusi, fatmirësisht ekziston edhe vaksina HPV.

Vaksina HPV konsiderohet si masa më efektive për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës dhe kjo vaksinë rekomandohet nga të gjitha organizatat dhe agjencitë që merren me shëndetin publik. Vaksinën HPV e kanë miratuar OBSh dhe qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në BE dhe SHBA, si dhe studime të shumta shkencore kanë nxjerr rezultate në favor të vaksinës.

Kjo vaksinë tashmë është vendosur edhe në Kalendarin zyrtar të imunizimit nga Ministria e Shëndetësisë (MSh) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShPK). MSh e ka furnizuar IKShPK-në me sasi të mjaftueshme për të vaksinuar vajzat. Sipas udhëzimeve të agjencive ndërkombëtare dhe IKShPK-së vaksinat HPV do të administrohet tek vajzat e moshës 12-vjeçe ose të klasës së VI-të të shkollës fillore.

Por për administrimin e vaksinës është i rëndësishëm ndërgjegjësimi i komuniteteve. Për këtë temë Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) i ka dedikuar një Sallon të së martës ku është diskutuar nga profesionistë të fushës dhe zyrtarë.

Në sallon është theksuar rëndësia e imunizimit me vaksinën HPV e cila është dëshmuar tanimë se ndihmon në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Por kjo nuk mjafton. Sipas sallonistëve duhet të fuqizohet roli i mjekëve familjarë për të ndërgjegjësuar qytetarët për vaksinim.

Po ashtu për shkak të rrezikut të fushatave anti-vaksinë në rrjetet sociale sikurse ka ndodhur gjatë pandemisë Covid-19 është propozuar që të ketë promovim të vaksinave HPV.

Përmes këtyre fushatave të targetohen vajzat e reja dhe të edukohen qytetarët në përgjithësi se vaksinat HPV nuk kanë efekte anësore serioze dhe se vaksinimi nënkupton një mundësi për parandalimin e sëmundjes.

Në sallon është thënë poashtu se duhet të punohet me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian për vetëdijësimin e tyre dhe imuzimin me vaksinën HPV, në mënyrë që shkalla e imunizimit të jetë gjithpërfshirëse.

Profesionistët kanë ngritur edhe çështjen e diagnostikimit të kancerit të qafës së mitrës si një nga sfidat në trajtimin e kësaj sëmundje, meqë në Kosovë deri më tani nuk kemi një program të skriningut për detektimin e rasteve në faza të hershme.

Diagnostikimi i vonshëm është problematik edhe për faktin se pacientet mund të vuajnë pasoja më të rënda nga sëmundja. Krahas diagnostikës, është theksuar edhe avancimi i shërbimeve për trajtim në mënyrë që të mos ketë barriera për pacientet.

Ky editorial është shkruar në kuadër të Sallonit të së Martës i organizuar në bashkëpunim me The Friedrich-Ebert-Stiftung, Prishtina Office (FES Kosova).