Dialogu Kosovë-Serbi: Një perspektivë Serbe

30.07.2020 Marko Savković

Pak ide të reja ofrohen se si të tejkalohen bllokimet aktuale politike. Nëse ka ndonjë ide, ajo promovohet pa entuziazëm. Një aspekt i kësaj dorëheqje kolektive është se me kalimin e viteve shumë është propozuar vetëm për t’u refuzuar; në anën tjetër, kjo është një çështje komplekse që kërkon një zgjidhje “përfundimtare gjithëpërfshirëse” që adreson të paktën pesë ose gjashtë çështje kryesore që janë akoma të hapura; dhe së treti, një lloj vetë-censurimi: nëse e propozoj, kush do të më mbështesë në një fazë kaq të vonshme (pasi që gjithmonë jemi “një hap larg” nga përparimi historik, apo jo).

Së pari, me të drejtë ose jo, të dy palët e kanë ngritur çështjen bazuar në interesin më të lartë kombëtar: “ndërkombëtarizimin” e problemit duke i ftuar të huajt përsëri në tavolinën e bisedimeve. Kështu që tani thashethemet për “ri-caktimin” e Komunitetit/Asociacionit të komunave me shumicë serbe, se a do të vij kjo si propozim nga Lajčák apo vetë negociatorët? Nëse po, sa ambiciozë mund të jenë ata dhe cili do të jetë roli i Gjermanisë dhe Francës, përveç ofrimit të mbështetjes?

Së dyti, pozicionet serbe dhe kosovare janë aq të kundërta, saqë pajtimi duket i pamundshëm.  Derisa njëra palë thotë “njohja as që vihet në pyetje”, tjetra pretendon “Ahtisaari dhe kjo është kjo, nuk ka më lëshime”.

Sondazhet e opinionit publik na çojnë në përfundimin se në Serbi njohja është e barabartë me tradhtinë, dhe se nuk ia vlen të merret në konsideratë as “për këmbim” të anëtarësimit në BE (asnjë ofertë e tillë nuk është në tryezë); ndërsa në Kosovë, është krijuar një neveri e theksuar kundër  “Komunitetit/Asociacionit”. Ekziston shqetësimi se do të jetë thjeshtë një mjet në duart e Beogradit; që do ta bëjë Kosovën jo-funksionale në vitet në vijim, etj.

Së treti, dy kolegët e mi, Xhambazi dhe Hartwell, në shkrimin e tyre për Balkan Insight, e vlerësojnë pozicionin negociator të Beogradit si “monolit”, në krahasim me “negociuesit e përçarë” të Prishtinës. Kjo është një tezë interesante: po, duket se Vučić ka ndërtuar një makinë politike që do të pranojë çfarëdo që urdhëron udhëheqja e partisë. Sidoqoftë, qytetarët që nuk janë anëtarë të partisë gjithashtu votojnë për të (sipas të dhënave të dhjetorit 2019, Progresivët kanë 646,000 anëtarë të partisë). Nëse realizohet njohja e qartë, elektorati “i tij” do të ndahej në dysh (CDDRI, tetor 2019).

Cili është opsioni i dëshiruar nga Beogradi zyrtar?

Njohja (e Kosovës) është diçka që mund të arrihet me shumë vështirësi, dhe sa më afër që i afrohemi njohjes, qytetarët ndjehen në presion dhe largohen më shumë nga ky nocion. Problemi është, përsëri, i shumanshëm: ekziston përfundimi i procesit (përkundër të gjitha përpjekjeve që Serbia investoi në tërheqjen e njohjeve nga e gjithë bota, ne e dimë – ose më mirë, ne ndjejmë – që kjo do jetë e tëra që mund të bëjmë), forca morale e “zotimit” të Kosovës (zavet në serbisht) dhe përshtypja se diçka kaq e rëndësishme po bëhet fshehurazi.

Nëse përjashtohen fantazitë për kthimin e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë, për një dekadë tashmë kemi pasur dy procese paralele — njëra, e relaksimit dhe normalizimit, e cila zhvillohet përmes marrëveshjeve teknike, dhe tjetra, “finalizimi” madhështor politik, i cili nga këndvështrimi i Beogradit, do të kulmonte në mënyrë ideale me një konferencë ndërkombëtare dhe rezolutë të Këshillit të Sigurisë në Asamblenë e Përgjithshme.

Nga shumë biseda me bashkëbisedues të ndryshëm në Beograd, mund të them me shumë siguri se njohja e qartë e Kosovës nga Serbia bëhet e mundur vetëm në rast të lëshimeve territoriale. Në kushte të caktuara kjo pozitë mund të ndryshojë, por që për momentin duket e pamundur. Ndarja (jo domosdoshmërisht shkëmbimi i territoreve) në këmbim të njohjes së qartë ka qenë prej kohësh një nga opsionet për Beogradin, dhe ka një vazhdimësi të qartë, nga Zoran ĐinĐić dhe Boris Tadić tek Aleksandar Vučić, me përjashtimin e dukshëm të Vojislav Koštunica i cili ishte Kryeministër gjatë negociatave në Vjenë.

Arsyet nuk duhen kërkuar vetëm nëpërmjet nacionalizmit serb (nacionalisti thotë se “vitin tjetër në Prizren” jo “në Mitrovicë”), por problemi i mungesës së besimit në anën tjetër; është përcaktimi i interesit kombëtar (çfarë po mbrojmë në Kosovë?); kërkesat e procesit të integrimit evropian dhe ndjenja e rënies së afërt demografike. Është një krahasim që disa e kanë bërë në mënyrë të hapur, por shiko serbët në Kroaci 25 vjet pas përfundimit të luftës, dhe të cilët sot nuk kanë “asnjë potencial dhe forcë për të futur gjak të freskët në shoqërinë e Kroacisë” (Vlado Vukušić duke shkruar për listën Jutarnji).

Interesat kombëtar të Serbisë në Kosovë

Interesi kombëtar i Serbisë në Kosovë paraqitet më së miri në planin “katër pikësh” të administratës së Tadić-it të vitit 2012: autonomi për veriun; gjetja e zgjidhjes optimale për manastiret në jug të Ibrit; garanci për serbët që jetojnë në enklava; zgjidhja e çështjeve të pronës. Mbetja e marrëveshjeve teknike (d.m.th. kadastër, njohja e gradave) nuk duhet të paraqesë realisht një problem, përveç asaj për energjinë që është realizuar në mënyrë të njëanshme nga Kosova. Për serbët që jetojnë në Kosovë, mbajtja e sistemit të shëndetësisë dhe arsimit nën menaxhimin e Serbisë ose të paktën një model i tillë i menaxhimit, ku ndërhyrja e Prishtinës të jetë sa më vogël, është e një rëndësie të madhe. Mundësia e ofrimit të nënshtetësisë së dyfishtë do të ishte e mirëpritur dhe njerëzore.

Nëse pozicioni i Beogradit duket “monolit”, ekzistojnë edhe detyrime. Së pari, ka një tendencë për vetë-fuqizim dhe rritje të përçmuar dhe të pabazuar. Për shumë kohë, Kosova shikohej nga lart, konsiderohej një “protektorat” që nuk do të ekzistonte pa përkrahësit e saj ndërkombëtar. Si rezultat, dy dekada të shtet-ndërtimit kryesisht janë injoruar.

Në të njëjtën kohë, ka paragjykime pozitive ndaj shqiptarëve si njerëz mjaft të bashkuar dhe të lidhur mirë. Kur Kurti tha “Serbia është një shtet i fortë dhe një komb i dobët… ndërsa Kosova është një shtet i dobët dhe një komb i fortë”, dukej sikur ai po fliste me një zyrtar të nivelit të lartë nga Beogradi (megjithëse me plot vështirësi ne sot do ta vlerësonim shtetin tonë si të fortë duke marr parasysh menaxhimin e dobët të pandemisë COVID-19).

E meta e dytë e Beogradit është se si ajo, si demokraci ashtu dhe autokraci, nuk ka arritur të krijojë një “konsensus kombëtar” për Kosovën. Arsyet janë të shumta: mungesa e marrëveshjes në mes partnerëve të koalicionit, pozicioni i Kishës Ortodokse Serbe, ajo që dukej si përparësi më e ngutshme dhe kur Vučić e provoi atë në 2017-18, nuk ishte e qartë nëse ai thjesht dëshironte ta testonte në mesin e audiencave të ndryshme, të blinte kohë, apo me të vërtetë kërkonte opsione të mundshme.

Cili është opsioni i pranueshëm?

Si përfundim, çfarë dëshiron sot Beogradi? Me një fjalë, për të përfunduar procesin me diçka që nuk do të ngjante me një poshtërim kombëtar apo politik. Të “marrësh diçka në këmbim” për të arritur një “kompromis”. Tani që “diçka” ka qenë një objektivë e ndryshueshme.

Duke gjykuar nga disponimi dhe pikëpamjet e publikuara në platforma të mediave sociale, dhe më e rëndësishmja, sondazhet e opinioneve dhe fokus grupet, në një periudhë të shkurtër kohore, Komuniteti/Asociacioni ka fituar një imazh pozitiv. Nëse nuk ka presion për njohje të drejtpërdrejtë, një ulëse për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) mund të imagjinohet — dhe siç kishte thënë një nga kolegët e mi, njohje e implicite apo eksplicite, një ulëse në OKB do të thotë: loja mbaroi.

Ka kuptim që Vučić tani të anojë kah BE. Si pasojë e aktakuzës kundër Thaçit, nisma amerikane u stopua. Shanset e Trump për rizgjedhje janë minimale. Gjermania dhe Franca e sqaruan, edhe pse me vonesë një vjeçare, se kjo është çështje për evropianët. Në vjeshtë Vučić do të përballet me “3k”: raste të COVID-19, krizë (ekonomike) dhe Kosovën. Prandaj tregimi ka ndryshuar: nuk flitet më për “razgranicenje” (“demarkacionin territorial”) por vajtohet se kjo politikë është “refuzuar” dhe të kthehemi në “zbatimin e asaj çfarë është dakorduar”.

Menjëherë pas 5 tetorit, një nga politikanët kryesor të Partisë Demokratike tha se zgjidhja më e mirë ishte njohja e menjëhershme e “atyre” (duke iu referuar Kosovës), rregullimi i marrëdhënieve tona sa më mirë që mundëm dhe hapja e një kapitulli të ri në historinë e përbashkët. Kjo ishte (pjesë!) e disponimit të qytetarëve në Serbi pas përfundimit të periudhës së Milošević-it.

Ndërkohë, ajo për të cilën kemi arritur të zbulojmë është se interpretimet tona të historisë ndryshojnë. imagjinoni arritjen. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për të huaj, ndonjëherë për t’i dhënë kuptim asaj që ne bëjmë, dhe ndonjëherë për “të mbuluar” mungesën e guximit tonë politik dhe vullnetit të sinqertë. Ndoshta pozicionet nuk mund të përputhen. Nëse ky është rasti, le të fillojë loja e fajit.


Për autorin: Marko Savković është Drejtor Ekzekutiv i “Fondit të Beogradit për Ekselencë Politike dhe Drejtor i Programit në Forumin e Sigurisë në Beograd”. Ai ka mbaruar doktoratën në Studime të Paqes në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, dhe është anëtar i grupeve punuese për kapitujt 31 dhe 35 të procesit të negociatave të Serbisë në kuadër të Konventës Kombëtare të BE-së.
Ky shkrim mbështetet nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), si pjesë e projektit “Rruga Dytësore Drejt Evropianizimit: Një Qasje Partneriteti”, financuar nga Fondacionet për Shoqëri të Hapur.