Vlerësimi i nevojave të të rikthyerve përmes sesioneve informuese

23.01.2019

Nga viti 2015 e deri më 2018, në Kosovë janë rikthyer më shumë se 35 mijë persona. Së fundi, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar Strategjinë Kombëtare për Riintegrimin e personave të riatdhesuar, me qëllim që të mundësojë një riintegrim të qëndrueshëm për ta.

Të rikthyerit/at ende ballafaqohen me probleme në riintegrimin efektiv dhe të qëndrueshëm të tyre. Komunat paraqesin si problem mungesën e resurveve adekuate për t’i adresuar problemet që shfaqen në riintegrim, ndërsa të rikthyerit/at potencojnë që skemat e caktuara nuk kanë efektin e paraparë.

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në vazhdën e implementimit të projektit “Mobiliteti i fuqisë punëtore dhe mundësitë për të rikthyerit”, organizoi sesione informuese në komunën e Drenasit, Lipjanit, Skenderajit, Ferizajit, Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës, dhe Fushë Kosovës gjatë muajve Nëntor 2018 deri në Janar 2019. Përmes këtyre sesioneve, D4D ka mundësuar një bashkëbisedim ndërmjet akterëve, në shumicën e rasteve komunat, dhe të rikthyerve. Ky bashkëbisedim ka mundësuar që të ketë një vlerësim nga dy palët rreth këtij procesi, por po ashtu edhe ka mundësuar që të ndahen informata për skemat dhe mënyrat e përfitimit nga ato për të rikthyerit.

Një ndër problemet që u potencua vazhdimisht gjatë këtyre sesioneve informuese ishte mungesa e njohurive dhe qasja në informata për të zbuluar skemat e aplikueshme. Kjo më së shumti vërehet kur ka ndryshime që ndodhin në kritere dhe ndryshime në mënyra të aplikimit për skemat e ndryshme. Në momentin që ka ndryshime, theksohet që mënyrat e informimit janë të mangëta dhe prandaj një numër i madh i të rikthyerve fillon të humb besimin në proces.

Përgjithësisht, si rekomandime të nevojshme për t’u zbatuar janë theksuar bashkëpunimi më i avansuar ndërmjet akterëve të kësaj fushe, modifikimi i metodave që implementohen për ndarjen e informatatave të sakta, si dhe vazhdimi i decentralizimit, duke përfshirë edhe resurset.

Ky aktivitet mbështetet nga GIZ/DIMAK