Takim motivues i deputetëve me rininë e Pejës

22.09.2020

Duke respektuar masat në fuçi për parandalimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë, instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar të mërkurën, 16 shtator 2020, takimin e radhës motivues mes deputetes së Kuvendit të Kosovës, znj. Fatmire Kollçaku, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të rinjve/rejave të Pejës.

Qëllimi i këtyre takimeve është tregimi i rrugëtimit të deputetëve që nga marrja e vendimit për t’u futur në politikë, vendimi i futjes në listën e kandidatëve për deputetë në radhët e subjektit të tyre politik, sfidat që kanë hasur gjatë këtij rrugëtimi, si dhe mbështetjen që kanë marrë deri në ditën e marrjes së mandatit si deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit në Pejë, znj. Kollçaku bashkëbisedoi me të rinjtë dhe rejat në këtë takim për dëshirën e saj që nga fëmijëria për të qenë pjesë e politikës, dhe kushtet e vështira sociale të popullit menjëherë pas luftës në Kosovë i kanë dhënë shtysë për t’u futur në politikë, me synim të zbutjes së varfërisë dhe rritjes së kujdesit shëndetësor për shtresën e popullsisë që kanë vështirësi ekonomike përmes nismave të ndryshme përmes Kuvendit të Kosovës.

Në fund, duke marrë si shembull vetën, znj. Kollçaku inkurajoi të rinjtë dhe rejat pjesëmarrëse në këtë takim që të ngritin zërin për të drejtat, shqetësimet dhe nevojat e tyre te të gjitha institucionet publike, pavarësisht përkatësisë apo afërsisë politike, dhe të mos ndalen derisa të sigurohen të drejtat apo të adresohen shqetësimet dhe nevojat e tyre.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Përfaqësimi i rinisë me integritet politik”, me mbështetje financiare nga National Endowment for Democracy (NED).