Takim jo-formal me këshilltarët komunal të Komunës së Drenasit

05.07.2019

Instituti Demokraci për zhvillim (D4D) ka vazhduar me serinë e takimeve jo-formale “breakfast briefing”, duke mbajtur takim  të hënën, 1 korrik 2019, mekëshilltarët komunal të Komunës së Drenasit për të diskutuar më gjerësisht mbi punën e kuvendit komunal, marrëdhëniet ndërmjet këshilltarëve komunal të subjekteve të ndryshme politike, marrëdhëniet ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit, si dhe për problemet që këshilltarët komunal kanë në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre.

Mungesa e monitorimit të mirëfilltë i seancave të kuvendit komunal të Drenasit ishte ndër brengat kryesore të të ftuarve, të cilët theksuan se sistemi aktual i vendosur nga Komuna është vetëm sa për ta plotësuar kriterin e shfaqjes së seancës drejtpërdrejt në internet, pasi që pamjet e videos nuk janë aspak të mira, këndi i kamerës është i vendosur në vend jo shumë të mirë, si dhe zëri është aq i dobët sa që nuk kuptohet se kush po flet dhe çfarë po diskutohet në seancë.

Përfaqësuesit e opozitës gjithashtu deklaruan që gjatë vitit të kaluar, të gjithë së bashku kanë kontribuar për ta paguar një televizion lokal për të xhiruar dhe transmetuar disa prej seancave të mbajtura në Kuvend në mënyrë që t’iu mundësohet qytetarëve të Drenasit të kenë qasje në atë se çfarë diskutohet në Kuvendin Komunal. Kjo iniciativë është ndalë për dy shkaqe kryesore: a) për shkak të kushteve financiare të përfaqësuesve të opozitës, pasi që pagesa është bërë me mjete personale; dhe b) për shkak të Komuna e Drenasit nuk ka ndarë fonde nga buxheti i saj për të mbuluar transmetuesin publik lokal për përcjellje të seancave të Kuvendit Komunal.

Për kundër shumë pengesave, përfaqësuesit e subjekteve politike në opozitë kanë marrëdhënie shumë të mira mes veti dhe shpeshherë kanë bashkëpunuar ngushtë për të quar përpara politika në të mirë të qytetarëve, dhe ndonjëherë edhe për të protestuar politika të cilat kanë mund të jenë në dëm të qytetarëve të Komunës së Drenasit.

Si përfundim, kërkesë kryesore nga ky takim ishte rregullimi i sistemit të monitorimit të seancave që mbahen në Kuvendin Komunal të Drenasit, të paraqitet pamja e videos dhe të paraqitet i gjithë Kuvendi Komunal, si dhe të rregullohet zëri i videos dhe të paraqitet identiteti i personit që merr fjalën.

Këto takime realizohet në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, i cili implementohet nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.