Raportimi i lajmeve nga portalet online – rrjetet sociale dhe ndikueshmëria tek publiku

08.06.2022

Në kuadër të projektit “Luftimi i dezinformatave dhe rikthimi i besimit të qytetarëve në media”, është mbajtur konferenca me temën: Raportimi i lajmeve nga portalet online – rrjetet sociale dhe ndikeshmëria tek publiku, organizuar nga Demokraci për Zhvillim (D4D), me mbështetjen e NDI-së dhe USAID në Kosovë.

Në këtë tryezë u prezantuan gjetjet kryesore të monitorimeve të portaleve online dhe rrjeteve sociale gjatë periudhës 1 janar – 31 mars. Të pranishmit vlerësuan se mjedisi medial në Kosovë është i ndjeshëm ndaj numrit të madh të artikujve që përmbajnë çrregullime të informacionit siç është gjuha e urrejtjes dhe tituj të ekzagjeruar.

Të gjeturat kryesore të këtij hulumtimi tregojnë që gjatë kësaj periudhe janar – mars ka pasur një numër të madh të lajmeve të Ndikimit nga Jashtë, ku pjesa pjesa më e madhe e këtij raporti përfshijnë narrativat rreth agresionit të Rusisë mbi Ukrainën dhe ndikimit të saj në marrëdhëniet rajonale – sidomos ato mes Kosovës dhe Serbisë.

Judita Krasniqi – Hajdari, hulumtuese dhe menaxhere e projekteve theksoi se Instituti D4D mbetet i përkushtuar në përforcimin e demokracisë në Kosovë si pjesë e shoqërisë civile duke besuar në misionin e saj dhe duke punuar fuqishëm në përkrahjen e punës dhe pavarësisë së mediave si indikator i demokracisë në vend. Ndërsa, Drenusha Canolli, menaxhere e projektit theksoi se sfidë e përgjithshme, si në raportet e kaluara mbetet shpërndarja e lartë artikujve dhe postimeve me çrregullime të informacionit që kanë për bazë gjuhën e urrejtjes, ofendimet dhe shpifjeve.

Xhemjal Rexha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), theksoi se është shumë shqetësueses se kemi një numër të madh të çrregullimit të informacionit në portalet tona online e që ndikojnë në kategori të ndryshime të shoqërisë, mirëpo që mediat duhet të kenë një vetrregullim për publikimin e informimit. Kurse, Mergim Lushtaku nënkryetar i Komisionit për Media, theksoi se Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), do të duhet ta rregullojë çështjen e portaleve online dhe të mediave në përgjithësi.

Raporti i plotë i monitorimit të portaleve online dhe rrjeteve sociale për periudhën janar – mars 2022, do të publikohet së shpejti, ku do të përfshihen edhe rekomandimet e dalura nga raporti.