Prezantimi i hulumtimit “Zgjedhje në kohë Pandemie: Menaxhimi kundrejt Pasojave”

25.03.2021

Instituti Demokraci për zhvillim ka lansuar punimin “Zgjedhje në kohë pandemie: Menaxhimi kundrejt Pasojave” Qëllimi i këtij punimi ishte të ofrojë një pasqyrë për ndikimin e pandemisë Covid-19 në mbajtjen e  zgjedhjeve,  duke  përfshirë  rrezikun  për  përhapje  të  virusit. Punimi përveç që përfshinë të dhëna statistikore mbi rritjen e rasteve të të infektuarve me virus si pasojë e fushatës zgjedhore dhe ditës së zgjedhjeve, po ashtu përfshinë krahasimin me vendet e rajonit të cilat kanë mbajtur zgjedhjet paraprakisht në vitin 2020.

Në konferencën e lansimit të punimit ishte edhe Zëvendës Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë z. Jacob Webber i cili theksoi se Mbajtja e zgjedhjeve gjatë pandemisë ka qenë një sfidë e madhe jo vetëm për Kosovën por për të gjithë botën. Zgjedhjet e lira janë gjithmonë indikatorët e zhvillimit të demokracisë aq më tepër kur ato mbahen gjatë pandemisë siç është kjo tani, ku COVID-19 po mbretëron më shumë se një vit. Ai gjithashtu theksoi se për fat të keq sjellja e partive, kandidatëve dhe e qytetarëve gjatë zgjedhjeve në Kosovë pa dyshim përkundër masave anti COVID-19 solli rritje të infektuarve.

Duke parë rrjedhën aktuale me pandeminë që ende nuk dihet se kur do të përfundoj, dhe se në situata të tilla do të mund të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale në këtë vit, me anë të këtij punimi Instituti D4D rekomandon që duhet të:

  • Krijojnë një task forcë për organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve në kohë të pandemisë Covid-19, e cila do të përfshijë ekspertë të ndryshëm rreth hartimit të planit të veprimit, monitorimit dhe zbatimit të tij;
  • Përgatisin një plan strategjik/udhëzues për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në kohë pandemie;
  • Marrin masa paraprakisht për organizimin e fushatës zgjedhore dhe tubimeve elektorale (duke zhvendosur fushatën online dhe lejimin e tubimeve në numër të vogël maksimum 5 persona, duke respektuar masat mbrojtëse – maskën dhe distancën);
  • Institucionet nënshkruese të memorandumit të bashkëpunimit të vazhdojnë bashkëpunimin edhe më të ngushtë jo vetëm ditën e zgjedhjeve por edhe gjatë fushatës zgjedhore dhe fazave të tjera përgatitore;
  • Subjektet Politike të reflektojnë mbi atë se si është zhvilluar fushata dhe ndikimi negativ që ka pasur në rritjen e rasteve pozitive me Covid-19;
  • Të ulet numri i vëzhguesve të akredituar, sidomos nga subjektet politike;
  • Të sigurohet një hapësirë shtesë ose të reduktohet numri i të punësuarve dhe vëzhguesve në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve;
  • Të zgjatet orari i votimit deri në ora 21:00;
  • Të rritet numri i vendvotimeve nga ana e KQZ-së.
Shkrimi i punimit dhe lansimin i tij mundësohet falë përkrahjes nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.