Përfshirja e Grave dhe Rinisë për një qeverisje më të mirë lokale

08.03.2019

Vetiniciativa, kërkesa dhe insistimi për të quar idetë dhe kërkesat e tyre përpara, në njërën anë dhe gatishmëria dhe krijimi i kushteve dhe mundësive të nevojshme për qasje në institucione dhe shërbime të tjera në anën tjetër, janë dy veprime që duhet të fuzionohen me qëllimin e vetëm për ta avancuar përmirësimin e qeverisjes dhe pjesëmarrjen e të rinjve dhe grave në jetën publike.

Ky konstatim doli nga të pranishmit në debatin “Përfshirja e Rinisë dhe Grave për një qeverisje të mirë lokale”, i cili u organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në Komunën e Mitrovicës.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte diskutimi i politikave të Komunës së Mitrovicës për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve, me fokus rininë dhe gratë, në të gjitha proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse, si dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre në institucionet e qeverisjes lokale.

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, z. Faruk Mujka theksoj se ndonëse institucionet komunale janë duke punuar që të përmirësohet pjesëmarrja e grave dhe rinisë në institucionet publike, jo vetëm në aspektin sasior, por edhe në atë cilësor. Mujka tha se aktualisht në ekzekutivin komunale në poste të drejtoreshave janë të angazhuara dy gra, ndërkohë tha se nga 35 anëtarë sa i ka Kuvendi Komunal, 13 prej tyre janë gra, ndërkohë në terë administratën komunale janë të punësuara mbi 128 gra.

Mujka tha se pavarësisht këtyre shifrave ai nuk është i kënaqur me pjesëmarrjen e grave dhe të rinjve në jetën publike në Komunën e Mitrovicës, dhe kërkoj nga këto dy grupe të shoqërisë të jenë më të zëshëm në realizimin e kërkesave të tyre.

“Liria nuk vjen vet. E drejta nuk vjen vet. Ajo duhet të fitohet dhe të kërkohet. Ajo çka ne si institucione duhet të bëjmë është t’ua bëjmë kushtet dhe mundësitë që ato të jenë pjesë e proceseve shoqërore dhe institucioneve publike, sepse kontributi i rinisë dhe i grave në të gjitha periudhat kohore, është për tu vlerësuar “, tha nënkryetari Mujka.

Drejtoresha ekzekutive e Community Buildin Mitrovica (CBM) Afërdita Sylaj Shehu, shqetësimin e saj e paraqiti te mos angazhimi i duhur edhe i vet këtyre dy kategorive të shoqërisë, ndonëse sipas saj përfshirja e grave dhe të rinjve në qeverisjen e Mitrovicës, nga asnjë qeveri komunale qysh nga përfundimi i luftës nuk ka qenë i kënaqshëm.

“Shqetësim për neve është edhe mos angazhimi i grave që janë në Kuvendin Komunal rreth çështjeve të ndryshme që prekin fushën e të drejtave të grave. Meshkujt dhe politikanet tanë duhet të marrin guximin dhe tu japim me shumë hapësirë grave dhe rinjve në fusha të ndryshme të jetës shoqërore”, tha ajo.

Ndërkaq, z. Liridon Kurti, përfaqësues nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal-Mitrovicë (KVRL) vuri në dukje se pjesa ligjore e përfshirjes se të rinjve është e rregulluar mjaft mirë në Kosovë, por sipas tij për fajin ndoshta të vet rinisë, të komunës por edhe të institucioneve qendrore, zbatimi i këtij legjislacioni po ngec dhe nuk po ka një monitorim të mirëfilltë të zbatimit të tyre.

“Mungesa e vullnetit tek të rinjtë është një faktor shumë i keq që ndikon në aspektin e aktivizimit të të rinjve në qeverisjen komunale”, tha i duke shtuar se angazhimi i të rinjve vërehet edhe në aspektin politikë. Sipas tij shumë parti kanë pasur të ri brenda listave të tyre zgjedhore që kanë treguar edhe sukses në fitimin e besimit të qytetarëve.

Përveç panelistëve pjesë e debatin ishin edhe pjesëmarrësit e tjerë të cilët theksuan se organizimi i debateve të tilla me një transparencë dhe vet kritike, ku komunikimi gjënë një hapësirë të duhur janë të dobishme dhe motivuese për angazhimin edhe më të rinisë dhe grave në jetën publike.

Ky diskutim u organizua në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, i cili implementohet nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me mbështetje financiare nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.