“(Pa)Fuqia Ekonomike e Grave në Tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor”

01.12.2022

Është mbajtur konferenca rajonale ku është lanësuar hulumtimi: “(Pa)Fuqia Ekonomike e Grave në Tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor”, hulumtim ky që është realizuar në partneritet me Center for Research and Policy Making (Maqedoni e Veriut), Institute for Strategic Studies and Prognoses (Mali i Zi), Gender Alliance for Development Center (Shqipëri) dhe Foundation BFPE for Responsible Society (Serbi).

Rezarta Delibashzade – Krasniqi është shprehur se qëllimi i këtij hulumtimi ishte nxjerrja në pah e gjendjes rajonale të fuqizimit ekonomik të grave, si dhe dimensionet institucionale dhe sociale gjithashtu edhe për të shikuar se ku janë të përbashkëtat e vendeve të rajonit sa i përket kornizës ligjore dhe përfshirjen e mekanizmave për përfshirjen e barabartë të grave.

Jens Erik Grøndahl, ambasador i Mbretërisë Norvegjeze në Prishtinë  është shprehu se po jetojmë në kohëra të vështira e sidomos me luftën në Ukraine që ka sjellë edhe kriza financiare gjë që e bënë më të vështirë për gratë dhe ekonominë e tyre sepse po pëson rënie për shkak të kësaj situate. Ai rikujtoi se gratë përbëjnë 50 % të popullsisë në botë andaj edhe ekonomia ka nevojë që gratë të angazhohen në sektorin e punës dhe të shfrytëzohet potenciali i tyre në ekonomi.

Resul Makreshi zëvendësministër në Ministria e Financave / Republika e Kosovës, ka treguar se janë subvencionuar me kredi deri 20 perqind të bizneseve të grave dhe ka filluar skema për shtesa për fëmijë dhe lehona ku kjo politikë parasheh që mjetet të kalojnë në llogaritë e grave me qëllim për t’u fuqizuar dhe siguruar pavarësia e grave. Shumë gra detyrohen të lënë punën nëse janë shtatzënë andaj formalizmi i ekonomisë që kemi ndërmarrë i jep mundësi që ato të jenë më të pavarura ekonomikisht.

Kjo konferencë është realizuar në kuadër të projektit “Shfrytëzimi i Zhvillimit: Rritja e qasjes së grave në punësim” që mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë.