• Shqip

Ndarja e raundit të parë të granteve të vogla – Projekti “Shfrytëzimi i Zhvillimit: Rritja qasjes së grave në punësim”

30.03.2022

Më 30 Mars 2022 sot, u mbajt Ceremonia e ndarjes së Granteve në kuadër të projektit “Shfrytëzimi i Zhvillimit: Rritja qasjes së grave në punësim”, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze në Prishtinë. 

Ky projekt që për qëllim ka avokimin për rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës në Kosovë si faktor kyç për zhvillim të gjithëmbarshëm të shoqërisë dhe vendit, përmes granteve të vogla për organizatat në nivelin lokal, ka për qëllim të aktivizojë gratë në nivel lokal dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre aktive në tregun e punës.

Organizatat përfituese të granteve janë si në vijim: 

  • OJQ “Së bashku” – projekti i përkrahur ka për qëllim angazhimin e grave dhe vajzave në përkrahje të personave me aftësi të kufizuara, përmes trajnimeve dhe aktiviteteve te tjera në fushën e kultivimit të luleve dhe produkteve të tjera bimore. Ky projekt, përveç inkuadrimit te grave, ka për qëllim të ofroje mbështetje dhe përfshirje për personat me aftësi të kufizuara në jetën shoqërore në Komunën e Mitrovicës.
  • Shoqata e Bletarëve Deçan” – projekti i përkrahur ka për qëllim rritjen punësimit të grave në sektorin e bletarisë, si një sektor potencial për zhvillim. Ky projekt do të ofrojë trajnime duke përfshirë pjesën teorike dhe praktike në fushën e bletarisë për gratë ne Komunën e Deçanit.
  • OJQ “Domine” – projekti i përkrahur ka për qëllim të mbështesë gratë përmes trajnimeve në përpunimin e bizhuterive të ndryshme, përgatitja e tyre për fillimin e biznesit dhe plasimit të produkteve të krijuara në treg. Prandaj, ky projekt do të identifikojë dhe zbulojë potencialin e ndërmarrësisë se grave në Rajonin e Zhupës – Reqanë. 
  • Shoqata e Grave ‘Fati’ – projekti i përkrahur do të mbështes e vajzave dhe grave të komuniteteve në zonat rurale, për përkrahjen e ideve dhe talenteve në përgatitjen e ëmbëlsirave. Qëllimi i këtij projekti është përkrahja e ideve dhe talenteve të grave dhe vajzave në fushën e pastiqerisë, për rritjen e pjesëmarrjes së grave biznesin e përgatitjes së ëmbëlsirave.
  • Organizata “Kosova Kadin Girisimciler Dernegi” – qëllimi këtij projekti është inkuadrimi i grave nga të gjitha komunitetet etnike në Komunën e Prizrenit, në përpunimin e ojave dhe punimeve të tjera artizanale, përmes përfshirjes së tyre brenda aktiviteteve të organizatës, dhe trajnimeve të ndryshme në këtë fushë. 

Instituti D4D do të iu ofroj organizatave përfituese përkrahje dhe mentorim përgjatë realizimit të projekteve të tyre me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të tyre në zbatimin e projekteve të tjera të cilat kontribuojnë në rritjen e qasjes së grave në punësim.

Ky projekt mbështetet nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Prishtinë