• Shqip

Ndahet çmimi për gazetari: Diskutimet publike në Mitrovicë të Jugut – pak pjesëmarrës, shumë kritika nga opozita e shoqëria civile

18.11.2021

Mirlind Behluli është fituesi i çmimit për gazetari në kuadër të projektit “Avokimi si katalizator për ndryshim”. Ai ka shkruar artikullin me titullin “Diskutimet publike në Mitrovicë të Jugut – pak pjesëmarrës, shumë kritika nga opozita e shoqëria civile”, të cilin ju ftojmë të lexoni në vijim.

Transparenca dhe llogaridhënia janë ndër shtyllat kryesore të qeverisjes së qëndrueshme dhe demokratike në nivel komunal. Madje nëpërmjet Ligjit për Vetqeverisje Lokale, komunat e Kosovës, konkretisht kuvendet komunale, obligohen të miratojnë rregullore komunale me synim promovimin e transparencës së organeve ekzkeutive, legjislative e administrative lokale. Njëkohësisht rregullorja fokusohet në zgjerimin e përfshirjes demokratike të qytetarëve duke rritur pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe lehtësuar qasjen publike në dokumentet zyrtare të komunës. Në kuadër të obligimeve ligjore, komunat kanë për detyrë të informojnë publikun dhe të organizojnë kohe pas kohe takime publike, në të cilat prezantohen tek pjesëmarrësit aktivitetet e komunës dhe planet e porgramet me interes publik.

Përveç takimeve publike të cekura më lartë, komunat janë të obliguara t’i informojnë qytetarët e komunës për çfarëdo planesh apo programesh të rëndësishme me interes publik, siç rregullohet me statutin e komunës”, thuhet në nenin 68, paragrafi 3 të Ligjit.

Në aspektin formal juridik, komuna e Mitrovicës së Jugut ka zbatuar kërkesën ligjore për nxjerrjen e rregullores për transparencë. Në gusht të vitit 2021, Kuvendi i komunës së Mitrovicës së Jugut miratoi rregullorën për transparencë me qëllim të forcimit tutje të transparencës në punën e organeve të saj dhe rritjen e gjithëpërfshirjes së qytetarëve në procesin e vendimmarjes në nivel lokal. Nëpërmjet Rregullores, komuna e Mitrovicës së Jugut ka përkufizuar kuptimet e termeve të ndryshme si transparencë, llogaridhënie, konsultim publik, dokument publik etj., si dhe ka sqaruar mënyrën, parimet dhe format e teknikat e konsultimit publik, mbledhjet e Kuvendit dhe listën e dokumenteve për konsultim publik. Në nenin 21, me anë të të cilit shpjegohen format e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarje, Rregullorja parasheh diskutimet publike si njëra nga mënyrat e angazhimit qytetar në procesin e vendimmarjes.

Komuna liston diskutimet e realizuara publike, opozita e kritikon

Përgjatë vitit 2021, komuna e Mitrovicës së Jugut ka mbajtur disa dikustime publike në lidhje me tema të ndryshme përfshirë dëgjimet buxhetore e ato për draft planin për menaxhimin e mbeturinave. Në përgjigjen e komunës, vërehet se autoritetet komunale më së shumti diskutime publike kanë realizuar për çështje të planifikimit të buxhetit për vitet 2022-2024.

“Lidhur me pyetjet tuaja ju njoftojmë se sa i përket diskutimeve publike të mbajtura gjatë vitit 2021 ju njoftoj se janë mbajtur tetë(8) dëgjime buxhetore më qytetarë për planifikimin e buxhetit 2022-2024, Takimi Publikë i kryetarit për gjashtëmujorin e vitit 2021, diskutimi publik për Planin Lokal të Veprimit në Mjedis, Konsultimi Publik për Draft Planin Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave, Dëgjimi Publike për Kornizën Afatmesme Buxhetore, dëgjimi publik për Draft Rregulloren për Transparencë, Dëgjimi publikë Draft Rregulloren për organizimin, bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane. Debati publikë për ndryshim të rregullore nr.02/2019 për Taksat, Tarifat dhe gjobat komunale”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Tutje në përgjigje theksohet se infomacionet për pjesëmarrjen e publikut (qytetarëve) dhe raportet nga këto takime janë të publikuara në uebfaqen e komunës.

Por, ndryshe mendon opozita në këtë qytet. Donjet Bislimi, asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës në këtë qytet, i vlerëson si të mangëta organizimet e diskutimeve publike nga ana e udhëheqjes së deritanishme të Mitrovicës së Jugut.

“Organizimi i diskutimeve publike ka qenë i mangët dhe shumë i rrallë, janë organizuar vetem disa për tema triviale të cilat janë munduar ta paraqesin komunën si transparente. Për temat kryesore nuk është organizuar asgjë dhe llogaridhënia ka qenë jashtëzakonisht e mangët, për çka edhe janë ndëshkuar në zgjedhjet e fundit”, tha Bislimi.

Nga verifikimi, kuptohet se janë gjithsejt 10 proces verbale të publikuar rreth diskutimeve publike me qytetarët në vitin 2021. Po ashtu, komuna e Mitrovicës së Jugut ka postuar në uebfaqe thirrjet për dikustime publike për çështje të ndryshme përgjatë këtij viti kalendarik. Por, nga lista e pjësëmarrjes të bashkangjitura në raportet e komunës, vërehet një pjesëmarrje e vogël e qytetarëve dhe rekomandime e diskutime jo fortë interaktive gjatë konsultimeve publike të organizuara nga komuna. Vlen të përmendet që të gjitha këto dokumente, përveç gjuhës shqipe, nuk ofrohen në gjuhët e tjera zyrtare, e cila gjë e vështirëson qasjen e qytetarëve në dokumente publike.

Problemin e mospërfshirjes së qytetarëve në diskutimet publike, juristi nga Mitrovica e Jugut, Armend Shkoza, e lidh me mos efikasitetin e informimit të qytetarëve për evente të tilla. Andaj ai thekson nevojën e një fushate vetëdijësuese për rëndësinë e diskutimeve të qytetarëve dhe nevojën e përfshirjes së tyre në vendimmarje.

“Komuna e Mitrovicës ka mbajtur takime të tilla me qytetarë, mirëpo interesimi tejet i ulët ka bërë që këto takime të duken si të parëndësishme. Në masë të madhe kjo është përgjegjësi e pushtetit lokal, pasi që duhet të ndërmerren fushata dhe propagim publik mbi rëndësisnë e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Mirëqënia e qytetarëve është më së shumti dhe më drejtpërsëdrejti e afektuar nga vetëqeverisja lokale. Në rastin konkret, atë të Mitrovicës, qytet i cili e ka pësuar një dekomponim të thellë social si pasojë e proceseve politike, karakteri emancipues i pushtetit lokal është më se i domosdoshëm dhe për këtë komuna si institucion publik duhet ta ketë si një ndër top prioritetet e saj”, komentoi Shkoza.

Shoqëria civile e Mitrovicës së Jugut ankohet për debate jo cilësore

Se ka mangësi në organizim të diskutimeve publike e thonë edhe pjesëtarët e shoqërisë civile në Mitrovicë të Jugut.

Liridon Kurti, kryetar i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal, vë në spikamë se diskutimet publike me qytetarë zakonisht organizohen në kohë të fundit dhe me pjesëmarrje të individëve ‘që nuk ua prishin qejfin fortë institucioneve’.

“Debatet publike zakonisht organizohen në kohën e fundit të mundëshme përpara se të merret ndonjë vendim dhe si të tilla nuk merren edhe shumë parasysh nga institucionet. Shto këtu që nëpër debate publike në të shumtën e rasteve marrin pjesë vetëm individë të cilët nuk ua prishin qejfin fort institucioneve. Qytetarët janë dobët të informuar në lidhje me debatet publike. Ata zakonisht informohen nëpërmjet rrjeteve sociale, e në këto nuk kanë qasje një pjesë e qytetarëve. Sa i takon të rinjve, një numër shumë i vogël i tyre merr pjesë në këto debate, ndoshta për shkak se nuk ua dijnë rëndësinë”, deklaron Kurti në përgjigjen e tij.

Njëjtë mendon edhe aktivisti i shoqërisë civile në Mitrovicë të Jugut, Besart Peci. Ai vlerëson se diskutimet publike organizohen vetëm sa për të përmbushur formalisht kushtet ligjore.

“Debatet publike brenda institucioneve i shoh pa integritet dhe transparencë adekuate. Qasja kritike shihet si sulm institucional. Kërkesa për llogaridhënie shihet si e drejtë vetjake e institucioneve. Andaj është e kuptueshme forma e debatit që organizojnë institucionet, në rastin tonë, komuna, e cila mbledh afër vetes njerëz të afërt, për të përmbushur formalisht hapësirën ligjore, e cila e detyron atë t’i zhvillojë ato”, theksoi Peci.

Megjithatë, kujtojmë që në “Transparometrin komunal 2020”, të hartuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, komuna e Mitrovicës së Jugut është rënditur lartë në vlerësim për nivelin e transparencës. Në raport thuhet se “komuna e Mitrovicës së Jugut po ashtu mebtet e përkushtuar’ në rritjen e transparencës komunale duke shënuar një progres të vazhdueshëm ndër vite.

“Komuna e Mitrovicës së Jugut mbetet ndër komunat që pasqyroj progres në ofrimin e transparencës gjatë viti 2020 si dhe ndër top komunat me më së shumti transparencë në nivel vendi”, shkruhet në raport.

Por, raporti i KDI-së thekson se përkundër progresit, komuna e Mitrovicës së Jugut vazhdon të mos jetë transparente sa i përket mbajtjes së dëgjimeve buxhetore për KAB nga ana e kuvendit të komunës, dëgjimeve buxhetore për draft buxhetin nga kuvendi i komunës si dhe mos hapja e të dhënave në formatin e “Open Data”. Tutje me vlerësim si pjesërisht transparent, komuna e Mitrovicës së Jugut është vlerësuar edhe për mungesën e diskutimit me kohë të raporteve tre mujore financiare, mos ofrim të qasjes në draft Rregulloret komunale e mos ofrim të dokumenteve dhe uebfaqes në të gjitha gjuhët zyrtare.

Çmimi për gazetari ishte pjesë e projektit “Avokimi si katalizator për reformën e administratës publike”, që financohet nga Bashkimi Evropian, përfaqësuar nga Komisioni Evropian përmes projektit “Fuqizimi i Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor për një Administratë Publike të Reformuar” – WeBER 2.0. që menaxhohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) për Kosovë.
#EuWeBER