Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), ka lansuar sot raportin: “Monitorimi i deklaratës së mirësjelljes në media sociale gjatë zgjedhjeve lokale 2021”.
Duke qenë se gjatë zgjedhjeve të fundit, për shkak të Covid-19, një pjesë e madhe e fushatës është realizuar përmes rrjeteve sociale ku niveli i përdorimit të diskursit toksik ka shënuar ngritje. Instituti D4D me përkrahjen e Qendrës për Dialog Humanitar, ka implementuar pilot projektin, duke bashkëpunuar ngushtë me partitë politike, mediat, si dhe shoqërinë civile.
Disa organizata të shoqërise civile, partitë politike dhe mediat kanë nënshkruar deklaratën e mirësjelljes, ku jemi zotuar për përmbajtje e sjellje të mirë me fokus në diskurs në rrjete sociale.
Gjatë fushatës zgjedhore të raundit të parë dhe raundit të dytë, D4D, ka qenë e angazhuar në monitorimin e rrjeteve sociale, përmes monitoruesve të angazhuar kemi ndjekur postimet e ndryshme si të partive politike, mediave, portaleve të ndryshme, kandidatëve për kryetar dhe atyre për asamble. Nga monitorimi ne kemi hasur në shkelje të Deklaratës së mirësjelljes gjatë dy roundeve të zgjedhjeve lokale të vitit 2021, ku janë bërë në 27 komuna të ndryshme, ku dominuese ishte gjuha e urrejtjes. Janë vërejtur një numër mjaft i madh i artikujve dhe postimeve të cilat kanë pasur informacion të çrregullt, duke përfshirë kështu artikuj dhe postime të cilat kanë promovuar ndasitë politike, ofendimet, gjuhë të ashpër dhe seksiste, gjuhë të urrejtjes, të nxjerra nga konteksti, përmbajtje të pavërtetë, të manipuluar, të fabrikuar dhe tituj të ekzagjeruar.
Nga gjetjet kryesore të këtij hulumtimi janë gjetur se LVV me 67% është partia politike më e shënjestruara, ndërsa më së shumti shkelje të deklaratës së mirësjelljes kanë LVV 32%, AAK 27%, LDK 11%, PDK 6%. Ndërkaq gjuha e urrejtjes, gjuha shpifëse dhe poshtëruese ishte dukuri e përdorur ndaj grave kandidate dhe subjekteve të tyre amë, me gjithsej 40.43% të tilla.
Ndërsa në media është vërejtur më shumë titujt e ekzagjeruar, shtrembërimi i deklaratave dhe përmbajtjes së lajmeve vetëm me qëllim të rritjes së lexueshmërisë nuk duhet të jenë synim i portaleve të cilat postojnë lajmet për herë të parë por edhe rasteve kur i ri postojnë artikujt nga portalet tjera.