
Sot më datë 12 shkurt 2021, Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) mbajti konferencën me të gjitha Institucionet nënshkruese të Memorandumit të Bashkëpunimit për Procesin Zgjedhor në lidhje me përgatitjen e institucioneve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Bashkëngjitja edhe e Komisionit të Pavarur të Mediave në Memorandum do të mundësojë koordinimin më të mirë që këto zgjedhje të jenë edhe më transparente dhe më demokratike.
Vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë thuhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës kur flitet për të drejtën zgjedhore dhe të pjesëmarrjes. Ky duket si një përkufizim i shkurtë, por që kjo të arrihet na duhet në angazhim i përhershëm. Gjatë konferencës u potencua se në mënyrë që kjo e drejtë të ushtrohet, duhet një sistem zgjedhor përmes të cilit garantohet fshehtësia, liria dhe barazia e votës. Prandaj edhe Memorandumi i Bashkëpunimit është tregues i qartë i vullnetit të përbashkët të të gjitha institucioneve për të bashkëpunuar me qëllimin që të gjitha proceset zgjedhore të zhvillohen në përputhje me ligjin por edhe të reagohet kur cenohet integriteti i tyre dhe e drejta e votës. U theksua gjithashtu se gëzojmë faktin që Kosova si shtet i ri ka arritur të organizojë zgjedhjet e lira, demokratike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare.
Pjesë e panlit në këtë konferencë ishin përfaqësuesit e Institucioneve: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Policia e Kosovës (PK), Prokurori i Shtetit (PSh), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dhe Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).
Instituti D4D vlerëson se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për t’i shërbyer zgjedhjeve të lira dhe demokratike andaj edhe do të vazhdojë me përkushtim bashkëpunimin dhe koordinimin me të gjitha institucionet jo vetëm në ditën e zgjedhjeve por në mënyrë aktive.

