Sot u mbajt konferenca “Gratë në proceset zgjedhore: sigurimi i një demokracie gjithpërfshirëse”, organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në kohën kur partitë politike po hartojnë listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, kjo konferencë u bë një thirrje e fuqishme për përfaqësim të barabartë gjinor, për qëndrueshmëri institucionale dhe demokratike.
Drejtoresha Ekzekutive e D4D-së, znj. Rezarta Delibashzade Krasniqi, në fjalën e saj hyrëse, theksoi rolin vendimtar të rritjes së pjesëmarrjes së grave në proceset zgjedhore si një shtyllë themelore për demokraci gjithëpërfshirëse. Ajo u bëri thirrje partive politike që të mbajnë premtimet e dhëna përgjatë viteve dhe të sigurojnë përfaqësim të barabartë gjinor në listat e tyre zgjedhore.
Në konferencë u prezantuan gjithashtu të dhëna për përfshirjen e grave në Trupat Menaxhuese Zgjedhore (TMZ) për vitet 2021 nga z. Nexhmedin Hyseni, Drejtor i Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme në KQZ. Këto të dhëna vënë në dukje numrin tejet të ulët të grave në TMZ dhe pozita vendimmarrëse. Me këtë rast, KQZ-ja ritheksoi përkushtimin që të sigurojë përfaqësim të drejtë gjinor në të gjitha trupat menaxhues të zgjedhjeve, duke iu kërkuar subjekteve politike që të nominojnë më shumë gra në përbërjen e Komisioneve Komunale Zgjedhore, Këshillave të Vendvotimeve, Ekipeve Mobile dhe për Anëtarët e Qendrave Komunale të Numërimit.
Konferenca shënon një hap tjetër në përpjekjet e vazhdueshme të Institutit D4D për një proces zgjedhor të drejtë dhe një përfaqësim të barabartë gjinor, duke kontribuuar në zhvillimin demokratik të vendit.
Që nga viti 2015, D4D ka punuar pa ndërprerje për të promovuar përfshirjen e grave në proceset zgjedhore, përmes:
• Këshillimit të partive politike që të nënshkruajnë deklaratën për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore,
• Publikimit të hulumtimeve dhe rekomandimeve për rritjen e pjesëmarrjes së grave në zgjedhje për të ndihmuar subjektet në këtë drejtim,
• Facilitimit të nënshkrimit të deklaratës së mirësjelljes në media nga subjektet politike dhe mediat në vitin 2021.
Instituti D4D beson fuqishëm se angazhimi i partive politike dhe institucioneve për të rritur pjesëmarrjen e grave në zgjedhje është një hap konkret për avancimin e barazisë gjinore, që jo vetëm fuqizon gratë, por gjithashtu shërben si një shembull pozitiv për gjeneratat e reja, duke promovuar një përfaqësim më të drejtë në nivelet më të larta të vendimmarrjes.
Aktiviteti është realizuar me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria civile për vlera të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).