Komuna e Pejës: Përfshirja e rinisë dhe grave për qeverisje më të mirë lokale

28.03.2019

Ndonëse paraqet një problematikë që e prekë çdo pore të shoqërisë tonë, përfshirja e gruas dhe të rinjve në proceset vendimmarrëse megjithatë është i mundur dhe ketë e dëshmon angazhimi i këtyre dy kategorive të shoqërisë tonë në jetën publike në Komunën e Pejës, ku gjatë viteve të fundit shihet një angazhim më i madh i gruas dhe i rinisë në procese vendimmarrëse dhe politikëbërëse.

Diçka e tillë u konstatua në debatin  me temë “Përfshirja e Rinisë dhe Grave për një qeverisje më të mirë lokale?, që u organizua nga Instituti Demokraci për Zhvillim me zyrtarët e Komunës së Pejës, përfaqësues të grave dhe të rinisë.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte diskutimi i politikave të Komunës së Pejës për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve, me fokus rininë dhe gratë, në të gjitha proceset vendimmarrëse dhe politikë-bërësve, si dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre në institucionet e qeverisjes lokale.

Nënkryetari i Komunës së Pejës, z. Shkumbin Gashi theksoi se përfshirja e gruas dhe rinisë paraqet një problematikë në vazhdimësi, por që janë duke punuar shumë që këtë çështje ta adresojnë.

“Tash pjesëmarrja e të rinjve dhe grave në komunë është përmirësuar dukshëm. Krijimi i kushteve të punësimit për të rinjtë dhe gratë do të ulte kërkesën për migrim të qytetarëve tanë”, tha ai, duke e venë theksin tek shqetësimi i institucioneve komunale se kjo kategori i shoqërisë po hezitojnë të punojnë në sektorë të ndryshëm jashtë institucioneve shtetërore.

Ndërkaq Sebahate Corkadiu, nga Zyra për Barazi Gjinore në Komunën e Pejës, theksoj se në këtë qytet vërehet një përmirësim i dukshëm i përfshirjes se gruas në jetën publike. “Nga 14 drejtori, janë të përfshira tri (3) gra. Që është një progres. Në shkolla kemi 10 drejtoresha nga 36 sosh. Në dikastere të ndryshme të administratës janë të emëruara  12 gra si shefe”, tha ajo duke theksuar se megjithatë nuk janë aty ku duhet meqë Ligji për Barazi Gjinore parasheh përfshirjen 50:50.

“Jemi të kënaqura me politikat aktuale të përfshirjes se gruas në vendimmarrje. Ajo çka po e pengon pak a shumë ketë proces është paragjykimi rreth asaj se fjala neve nuk na ecën, çka nuk është ashtu, fjala e gruas ecën, ndonëse jo aq sa do të dëshironim, por këtu duhet ta luaj rolin e vet edhe vet femra”, tha znj. Çorkadiu, e cila kërkoj që të debatohet më shumë nga personat që janë kyç në këtë fushë për pushimin e lehonisë, meqë sipas saj gratë po kanë telashe në këtë drejtim, veçmas në sektorin privat.

Ndërkohë Januz Hajzeraj, drejtor i Qendrës Kulturore në Pejë, theksoj se të rinjtë kanë mundësi t’i shprehin mendimet e tyre brenda institucionit të komunës. “Kemi 32 aktivitete për të rinjtë. Janë funksionalizuar dy qendra që i dedikohet angazhimit të të rinjve”, tha ai, duke kërkuar nga të rinjtë që të jenë më të zëshëm në përfshirjen e tyre në jetën publike në Komunën e Pejës.

Ky aktivitet u organizuat në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, që implementohet nga instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me mbështetje financiare nga Ambasada Holandeze në Kosovë.