• Shqip

Informacioni i çrregullt: Ndikimi i tij tek informimi i qytetarëve

31.08.2022

Në kuadër të projektit “Luftimi i dezinformimit dhe rikthimi i besimit të qytetarëve në media”, është mbajtur konferenca me temën: Informacioni i çrregullt: Ndikimi i tij tek informimi i qytetarëve, organizuar nga Demokraci për Zhvillim (D4D), me mbështetjen e NDI-së dhe USAID në Kosovë.

Në këtë tryezë u prezantuan gjetjet kryesore të monitorimit të portaleve online dhe rrjeteve sociale gjatë periudhës prill – qershor. Të pranishmit vlerësuan se Kosova ende është fragjile ndaj dezinformimit dhe lajmeve me çrregullim të informacionit.

Të gjeturat kryesore të këtij raporti tregojnë se në periudhën prill – qershor ka pasur numër më të madh të lajmeve me përmbajtje të çrregullt të informacionit në kategorinë e ndasive politike dhe gjuhës së ashpër, luftës Ukrainë-Rusi si dhe mizogjenisë dhe dhunës online ndaj grave.

Rezarta Krasniqi, Drejtore Ekzekutive e Institutit D4D, ka treguar se gjatë analizimit të 2,600 artikujve janë identifikuar artikuj dhe postime të cilat kanë pasur çrregullim të informacionit dhe kanë promovuar ndasi politike, ofendimet, gjuhë të ashpër dhe seksiste, gjuhë të urrejtjes, fjalime, të nxjerra nga përmbajtja, artikuj ose postime me përmbajtje të pavërtetë, të manipuluar, të fabrikuar dhe tituj të ekzagjeruar.

Ndërsa Doarsa Kica Xhelili, Kryetare e Komisionit për Media në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se legjislativit në Kosovë i mungojnë kapacitetet që ta kuptojmë këtë vijë të hollë ndarëse të dezinformimit dhe të asaj se çka mund të bëjë legjislativi për ta luftuar dezinformimi. Ajo është shprehur se duhet të punohet që mos të dëgjohet kaq shpesh lajme të ekzagjeruar, mos të dëgjojmë lajme mizogjen dhe lajme të rreme të cilat edhe e kërcënojnë sigurinë në vend.

Kurse, Drenusha Canolli Koordinatore e Projekteve në D4D, ka bërë të ditur se monitorimi i portaleve është bërë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe dhe se veçanti e këtij raporti tre mujor prill – qershor, ka pasur më shumë se 9 milionë lexues potencial të cilët u janë ekspozuar lajmeve me çrregullim të informacionit.