Forumi i dytë rajonal – Politikat e punësimit dhe aftësimit profesional në Kosovë dhe Shqipëri

01.06.2021

Më 19 maj 2021 Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) organizuan Forumin e Dytë Rajonal mbi Politikat e Punësimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë dhe Shqipëri.

Forumi u hap me fjalët hyrëse të Rezarta Krasniqit, Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit Demokraci për Zhvillim dhe Mirela Arqimandritit, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim. Të dy nikoqiret e Forumit ofruan një përmbledhje të përpjekjeve të tyre të përbashkëta për të rritur qasjen e grave në punësim dhe sfidave me të cilat ballafaqohen vendet e tyre.

Kosova dhe Shqipëria janë vende me zhvillim relativisht te ulët ekonomik i cili reflektohet në shkallë të lartë të papunësisë. Politikat e punësimit në të dy vendet jo domosdoshmërisht kanë rezultuar të jenë efektive për shkak të dështimit për të marrë parasysh të gjitha aspektet e zhvillimit të qëndrueshëm. Programet qeverisëse dhe dokumentet strategjike rëndom mbesin dokumente të cilat nuk e orientojnë përkushtimin institucional e politik. Paneli i parë i Forumit të Hapur Rajonal mbi politikat e punësimit i moderuar nga Plejada Gugashi nga Olof Palme Centre në Shqipëri vuri në pah pengesat ekzistuese në realizimin e politikave të mirëfillta të punësimit të barabartë dhe praktikat pozitive në tejkalimin e tyre. Panelistë ishin:

  • Dajna Sorensen,  Zëvendës Ministre e Ekonomisë dhe Financave, Qeveria e Shqipërisë
  • Jeton Mehmeti,  Instituti GAP
  • Neshat Zenelaj, Ekspert për Politika të Punësimit

Mungesa e identifikimit adekuat të resurseve të zhvillimit ekonomik dhe atyre njerëzore është njëri nga pengesat kryesore të zhvillimit dhe punësimit të qëndrueshëm. Resurset njerëzore në Kosovë e Shqipëri nuk i përmbushin nevojat e tregut të punës të këtyre vendeve. Politikat e arsimit nuk janë të koordinuara me politikat e zhvillimit ekonomik dhe si rrjedhojë në mënyrë të vazhdueshme shohim prodhim të kuadrove profesionale të cilat nuk mund të ushtrojnë profesionet e tyre, ndërkohë qe sektorët e ndryshëm përballen me vështirësi të stafit të kualifikuar për të siguruar suksesin e tyre dhe kontribuar në zhvillimin ekonomik. Paneli i dytë i Forumit mbi edukimin profesional i moderuar nga Agon Dula, Koordinator i Projektit ALLED identifikoi nevojat dhe politikat aktuale rreth edukimit profesional si dhe ofroi rekomandime se si edukimi profesional mund të vihet në shërbim të uljes së papunësisë dhe rritjes së zhvillimit ekonomik.  Panelistë ishin:

  • Dukagjin Pupovci, zv. Ministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Qeveria e Kosovës
  • Etlava Gjelaj, Agjencia për punësim dhe Aftësim Profesional, Shqipëri
  • Jehona Serhati, Eksperte në Fushën e Edukimit Profesional
  • Fation Dragoshi, Menaxher i projektit “Trajnim për Punësim”, Swisscontact Albania

Pjesë e forumit ishin edhe pjesëmarrës të tjerë të cilët patën mundësinë të bashkëbisedojnë me panelistët.


Aktiviteti ishte pjesë e projektit “Rritja e Qasjes së Grave në Punësim” i financuar nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze në Prishtinë.