
U prezantuan parimet e qeverisjes së mirë dhe standardet e transparencës gjatë sesionit informues, i cili kësaj radhe u mbajt në Komunën e Gjilanit, me pjesëmarrjen e anëtarëve të kuvendeve komunale nga Gjilani dhe Kamenica.
Qëllimi primar i këtij aktiviteti ishte ofrimi i informatave praktike mbi parimet dhe standardet e qeverisjes së mirë, si dhe prezantimi i platformës qeverismire.info – një mjet që lehtëson punën e këshilltarëve lokalë dhe rrit transparencën e proceseve komunale.
Gjatë diskutimit me këshilltarët u theksua se qeverisja lokale duhet të jetë urëlidhëse mes qytetarit dhe qeverisë, si dhe se komunat duhet t’i orientojnë politikat dhe të vendosin prioritete bazuar në atë se çfarë është më e mira për qytetarin. U theksua se buxhetimi me pjesëmarrje u ka dhënë mundësi qytetarëve të përfshihen në procesin e vendimmarrjes.
Aktiviteti është realizuar në kuadër të projektit “Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale”, që implementohet nga D4D dhe Qendra për Barazi dhe Drejtësi dhe mbështetet nga Embassy of the Netherlands in Kosovo.



