‘Dekada e së Ardhmes së Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi Evropian’

04.05.2018

Grupi i Ballkanit për Politika dhe Hulumtime (BPRG) në bashkëpunim me Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka mbajtur një konferencë të nivelit të lartë me temë “Dekada e së Ardhmes së Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi Evropian”. Fokusi i kësaj konference ka qenë avancimi i shtet-ndërtimit të Kosovës: fuqizim i institucioneve dhe përshpejtimi i reformave, Strategjia e BE-së për zgjerim: Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe dialogu me Serbinë drejt marrëveshjes përfundimtare.

Gjithashtu, për herë të parë në këtë ngjarje është prezantuar Forumi për Politika – një platformë për shoqërinë civile për të përshpejtuar reformat në shtet; si dhe prezantimi i Grupit për Avokimin e Politikave Kosovë-Serbi, një platformë për bashkëpunimin e shoqërisë civile ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllim komunikimin, duke promovuar bashkëpunim rajonal dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Naim Rashiti, Drejtor Ekzekutiv në BPRG, në fjalët hapëse theksoi se ka kohë që ekziston një plan për të krijuar një platformë të forumit të politikave për ‘Think-Tanks’ që do t’i adresonte këto çështje. Ky forum u mbajt për herë të parë Kosovë duke avokuar për reforma të zhvillimit të shtetit, bashkëpunim rajonal dhe proceset për integrim Evropian. Këto tri agjenda paraqesin bërthamën e misionit të forumit.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij deklaroi se dekada e dytë e shtetit është shumë e rëndësishme për anëtarësimin në NATO dhe KB. Ai theksoi rëndësinë e një reforme të thellë e cila bie barrë mbi partitë politike për ta bërë. Me këtë raste, presidenti Thaçi falënderoi shoqërinë civile për mbështetjen në proceset e shtet-ndërtimit.
Ambasadori norvegjezë, Per Strand Sjaastad, në fjalimin e tij përmendi që Kosova në të ardhmen duhet të përfundoj kapitullin e tranzicionit, dhe duhet të punojë drejt ndërtimit të një vizioni të përbashkët për të ardhmen. Ai shtoi se çështjet e rëndësishme si marrëdhëniet me Serbinë dhe lufta kundër korrupsionit kanë nevojë për më shumë kohë dhe punë.

Në këtë konferencë kanë qenë tri panele. Në panelin e parë u diskutua Strategjia e BE-së për Zgjerim dhe rëndësia e procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Pjesë e diskutimit ishin Kryeministri, Ministra, Zëvendësministra lokal dhe rajonal, ambasadorë dhe përfaqësues diplomatik në Kosovë. Gjatë diskutimit panelistët ranë dakord që bashkëpunimi rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor është jetësorë për procesin e integrimit Evropian. Gjithashtu u theksua rëndësia e reformës në zhvillimin socio-ekonomik të vendeve aspiruese për futje në BE – përfshirë Kosovën.

Paneli i dytë përbëhej nga përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia, ku u diskutua për dialogun me Serbinë drejt një marrëveshje përfundimtare. Diskutimi i këtij paneli theksoi rëndësinë e Strategjisë së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor që do të mund të shërbente si pikë nxitëse për Kosovën dhe Serbinë që të fillojnë një fazë të re të dialogut, e cila do të duhej të përfundonte me një marrëveshje ligjore.

Në panelin e tretë me temën “Projektimi i dekadës së ardhshme të Kosovës: Çfarë arritje kyçe duhet të priten?” ishin pjesëmarrës Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Zëvendës Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, dhe Visar Ymeri, përfaqësues i Grupit të Pavarur të Deputetëve. Në këtë panel u tha që dekada e dytë duhet ta gjejë Kosovën të integruar në Bashkimin Evropian, pjesë e KB-së, dhe gjithashtu me një proces të përfunduar me Serbinë. Gjithashtu u deklarua që çelësi për tejkalimin e sfidave të mëdha është një konsensus i gjerë politik.

Organizata e shoqërisë civile dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë ngjarje patën mundësinë për të diskutuar me anëtarët e panelit dhe të komentojnë në temat e adresuara. Kjo konferencë shërbeu si platformë për inkurajimin dhe thellimin e debatit mbi temat që kërkojnë konsensus kombëtar.