D4D lanson punimin “Zanafilla plus dhjetë: Rishikim i dekadës së parë të shtetësisë së Kosovës”.

30.11.2018

Cili është tregimi i shtetësisë së Kosovës, dhjetë vjet pas pavarësisë? Nisur nga kjo pyetje, Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) më datë 29 Nëntor 2018 ka lansuar punimin Zanafilla plus dhjetë: Rishikim i dekadës së parë të shtetësisë së Kosovës, i cili ka për qëllim të ofrojë një vlerësim kritik të informuar për dekadën e parë të shtetësisë së Kosovës, e që mbulon domenin institucional, të pushtetit, si dhe atë diskursiv. Pjesë e panelit në lansimin e punimit ishin Gersi Gashi, hulumtues i politikave, Demokraci për Zhvillim (D4D); Simon Ilse, Kreu i HBF, zyra rajonale në Serbi, Mal të Zi, Kosovë (HBF); Nita Luci, Profesore, Universiteti i Prishtinës (UP); Naim Rashiti, Drejtor Ekzekutiv, Grupi për Ballkan (BPRG), si dhe Bekim Baliqi, Profesor, Universiteti i Prishtinës (UP).

Përgjatë diskutimit në lidhje me analizën e publikuar, Gersi Gashi, hulumtues i polikave në D4D theksoi se sipas raportit problemet kryesore të qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të jenë papunësia dhe korrupsioni. Mjegullimi i pushtetit, dhe përgjegjësive është vazhduar edhe pas pavarësisë tek institucionet vendore, dhe politik bërja ende mbetet problem kyq, theksoi Gashi.

Në reflektimin e tij të punimit, z. Bekim Baliqi, specifikoi mospërputhjen e qartë në mes të asaj se çfarë diskutohet në parlament apo në hapësira institucionale, e çfarë në të vërtetë janë probleme të qytetarëve. Ai theksoi edhe faktin se si punimi pasqyron sa jemi të mangët në diskutimin e politikave publike.

Diskutimi u përqendrua edhe në atë se çka tha z. Simon Ilse në lidhje me konsolidimin e mirëfilltë të Kosovës si shtet, ku ndër tjerash ai specifikoi rrugën e gjatë të Kosovës në arritjen e pavarësisë, si dhe përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar në shndërrimin e Kosovës në një shtet të suksesshëm. Në të njëjtën kohë, ai shprehi nevojën kruciale për përfshirjen e qytetarëve/eve në proceset vendim marrëse, si dhe politik bërëse në Kosovë.

Gjatë lansimit të punimit, vëmendjen e tërhoqën edhe temat si pikënisja dhe përfundimi i procesit të tranzicionit për Kosovën, dhe mungesa e kapaciteteve politike që ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e deritanishëm ekonomik dhe politik të Kosovës, tema këto të nxjerra në pah nga znj. Nita Luci, si dhe z. Naim Rashiti.

Pjesëmarrësit/et në lansim përgjatë diskutimit ngritën çështje të ndryshme rreth shtetëndërtimit duke u pajtuar që ende është proces i papërfunduar dhe duhet të punohet edhe në aspektin e krijimit të mekanizmave por edhe në shfrytëzimin e mekanizmave ekzistues për të avansuar zhvillimin demokratik për të pasur një konsolidim të mirëfilltë të shtetit.