
Sot, përfaqësues të partive politike, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave nënshkruan zyrtarisht Kodin e Sjelljes për Përdorimin e Përgjegjshëm të Rrjeteve Sociale gjatë fushatës për zgjedhjet lokale. Kjo nismë u realizua në bashkëpunim me Demokraci për Zhvillim(D4D) dhe Qendra për Dialog Humanitar (HD), duke shënuar herën e dytë që këto palë bashkëpunojnë pas një partneriteti të suksesshëm në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Ceremonia e nënshkrimit theksoi angazhimin e përbashkët për të ndërtuar një mjedis online me respekt, transparencë dhe gjithëpërfshirje gjatë zgjedhjeve. Gjatë hapjes u theksua se debati politik dhe mospajtimet janë pjesë e demokracisë, por ato duhet të zhvillohen gjithmonë me përgjegjësi dhe respekt.
Kodi i Sjelljes përcakton parime të qarta për:
- Respektimin e ligjeve zgjedhore dhe standardeve etike në platformat online
- Parandalimin e dezinformimit, gjuhës së urrejtjes dhe përmbajtjeve të dëmshme
- Nxitjen e dialogut konstruktiv mes partive politike, mediave dhe qytetarëve
- Sigurimin e pjesëmarrjes së barabartë dhe të sigurt për gratë, pakicat dhe grupet e margjinalizuara në procesin politik
Një pjesë thelbësore e këtij Kodi është monitorimi i mediave sociale dhe online. Një staf i dedikuar monitorues do të vëzhgojë hapësirën digjitale dy javë para fillimit të fushatës dhe gjatë gjithë muajit të saj. Ky proces përfshin identifikimin dhe dokumentimin e rasteve të shkeljes së Kodit, sidomos për çështje që lidhen me dezinformimin, gjuhën e urrejtjes, ngacmimin dhe mungesën e transparencës në komunikimin politik. Raportet javore do të ofrojnë të dhëna të rregullta, ndërsa pas zgjedhjeve do të publikohet një raport përfundimtar.
Përmes këtij monitorimi të strukturuar, synohet që hapësira online të mbetet transparente, gjithëpërfshirëse dhe e llogaridhënëse, duke mbrojtur integritetin e diskursit demokratik dhe duke mbrojtur grupet më të ndjeshme nga përmbajtjet e dëmshme.
Partitë politike që nuk patën mundësi të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit për shkak të angazhimeve të tjera, mund të kontaktojnë D4D për të nënshkruar Kodin dhe për të shprehur zotimin e tyre për respektimin e standardeve demokratike.






