• Shqip

Bizneset e grave kosovare përballë COVID-19

01.05.2020

Përballë panikut të përgjithshëm për shëndetin publik në mesin e pandemisë së coronavirusit, ankthi i mbijetesës ka filluar të kapë edhe ekonominë kosovare pas ndërprerjes së punës për shumë biznese. Një goditje të fortë po e presin edhe biznesmenet gra në Kosovë që statistikisht veçse gjenden në numër të vogël dhe në disavantazh në ambientin e të bërit biznes në Kosovë në krahasim me burrat.

Fillet e biznesit për Fahrije Hotin nga Krusha e Rahovecit u nisën në përpjekje mbijetese pasi lufta e vitit 1999 e la në gjendje të rëndë financiare. Bashkëshorti i Hotit është në listën e personave të zhdukur edhe 21 vite pas luftës ndërsa punën në kooperativën Krusha ajo e kishte filluar në vitin 2005.

Që nga ajo kohë, biznesi i Fahrijes kishte shkuar në rritje deri sa në Kosovë u shfaqën rastet e para të personave të infektuar me coronavirus. Kooperativa që prodhon dhjetëra produkte ushqimore duke përfshirë ajvarin e turshitë, sipas Fahrijes nuk ka aktivitet që për më shumë se 5 javë.

“Që nga data 14 mars, biznesi jonë nuk ka aktivitet.  Arsyeja e vetme është se konsumatorët janë të orientuar te konsumi esencial”, thotë Hoti.

Pronarja e biznesit që ka mbi 20 punëtorë thotë se presin dëme të mëdha nga kriza e pandemisë, nëse nuk ka hapa substancialë për ndihmë nga qeveria.

“Ndikimi i  COVID-19 në të ardhmen do të  jetë i vështirë si për të gjithë bizneset në Kosovë ashtu edhe për ne, nëse nuk ndërmerr qeveria ndonjë vendim ose Ministria e Bujqësisë t’i stimulojë bizneset e vogla dhe të mesme do të ballafaqohemi me shumë vështirësi, pasi që kompania jonë 70% te prodhimit e eksporton në shtetet evropiane dhe 30% në tregun vendor”. tha ajo.

Duke pasur parasysh dëmet që pritet t’i shkaktohen ekonomisë vendore nga mungesa e aktivitetit biznesor, qeveria e Kosovës e ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale që përfshin ndihmesa për bizneset dhe punëtorët për muajt prill dhe maj.

Pakoja ka paraparë masa që përfshijnë  mbulimin e shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej njëqind e shtatëdhjetë 1 70 euro, subvencionimin e qirasë deri në 50 për qind të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe mbulimin e vlerës së kontributeve pensionale për paga. Në javën e tretë të prillit Hoti tha se nuk kanë përfituar ende asgjë nga pakoja e paraparë dhe shtoi se ndihet e shqetësuar me pamundësinë e dhënies së pagave për 20 punëtorë të rregullt dhe nëse do të kenë mundësi të punojnë me mbi 70 punëtorët sezonalë të zakonshëm.

“Pako emergjente është një ndihmese e vogël për bizneset dhe shume e vonuar, pasi që ne nuk jemi ende përfitues të kësaj pakoje që ende nuk është asgjë zyrtare.  Kjo pandemi afekton jo mirë pasi qe kooperativa nuk ka mundësi t’i paguajë pagat gjatë kohës kur [punëtorët] janë në shtëpi”, thotë ajo. Muajt e ardhshëm po parashikohen të vështirë nga të gjithë ndërmarrësit pa dallim gjinie në Kosovë.

Sipas një studimi të kryer nga Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, mbi 60% e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se pandemia COVID19 rrezikon mbijetesën e tyre. Sipas të njëjtit studim vetëm rreth 2% e ndërmarrjeve rezultojnë të mos jenë afektuar aspak, ndërsa pjesa tjetër kanë organizuar një pjesë ose të gjitha aktivitetet nga shtëpia.

Kritika ndaj pakos emergjente të qeverisë ka edhe Rina Malsori, pronare e kompanisë së pijeve, “Frutti”.

Malsori e udhëheq këtë biznes që nga viti 2012, ndërsa kompania ekziston që para vitit 1999. 23 vjeçare në atë kohë, Rina thotë se mori menaxhimin e kompanisë në një kohë krize për biznesin por edhe me sfida për shkak të klimës së biznesit sidomos për gratë.

Në vitin 2020 asaj po i bie të përballet me një krizë edhe më të madhe nga ajo çfarë ka parë deri më tani, pasi thotë se nëse pandemia zgjat edhe për disa muaj mund të rrezikohet likuiditeti i kompanisë.

“Pandemia… në muajin e parë mars, nuk ka ndikuar me përmasat e mëdha për shkak të rezervave të krijuara më herët… për dallim me situatën e vështirë ku gjendemi sot duke zvogëluar kapacitetin e prodhimit. Po punojmë me staf të përgjysmuar duke i lënë në pushim punonjësit me sëmundje kronike, nënat të cilat i kanë fëmijët në shtëpi dhe të gjithë ata që nuk ndihen mirë në këto ditë të vështira, rënia e shitjes në tregun vendor por edhe në atë të eksportit me përqindje shumë të mëdha ,e probleme të tjera”, thotë Malsori.

Biznesmenja thotë se e duartroket përpjekjen e Qeverise për krijimin e pakove emergjente , mirëpo  sipas saj këto pako të propozuara nuk e shpëtojnë sektorin privat por “vetëm amortizojnë në një periudhë shumë afatshkurtër krijimin e socialeve”.

Malsori ka treguar se duke qenë se operojnë në një fabrikë të madhe, përpos ndërprerjes së një pjesë të punës, i janë dashur të marrin edhe një varg veprimesh në kuadër të masave mbrojtëse ndaj pandemisë që ishin kosto rënduese për biznesin.

“Edhe këto masa të karantinës industriale kanë kosto shumë të lartë dhe për “Frutti”-n. Punonjësit tonë  janë familja jonë e me rrugën e rënies drastike të të hyrave të kompanisë çdo ditë e më shumë do të na vështirësohet operimi në çdo aspekt.”, tha ajo.

Pandemia mund të fundosë më tutje numrat e grave në ndërmarrësi

Përderisa gratë biznesmene janë shprehur të shqetësuar për sigurinë financiare të dhjetëra punëtorëve të tyre, shoqëria civile konsideron se për gratë që përbëjnë gjysmën e popullsisë në Kosovë duhet lehtësuar kushtet tashmë veçse të vështira të të bërit biznes.

Kjo për shkak se gratë statistikisht qëndrojnë më keq ekonomikisht dhe me punësim duke shkaktuar si rrjedhojë disavantazh për zhvillim të mëtutjeshëm kapital. Numri i ndërmarrësisë formale të udhëhequr nga gratë vazhdon të jetë i vogël në Kosovë.

Sipas një studimi të Insititutit Riinvest të vitit 2017, pothuajse 94% të bizneseve në pronësi të grave janë biznese individuale. Konkretisht, 29% janë biznese pa punëtorë dhe rreth 64% janë mikro biznese me më pak se 5 punëtorë ndërsa vetëm 7% e bizneseve të anketuara janë të vogla. Masa të veçanta për gratë në biznes ka kërkuar edhe Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës.

“Është e domosdoshme që institucionet të ndërmarrin masa për të asistuar bizneset e udhëhequra nga gratë, qoftë përmes përkrahjes së drejtpërdrejtë financiare apo përmes masave afirmative nga institucionet bankare. Duhet të merret parasysh se gratë përballen me sfida shtesë në qasjen në kredi për të zhvilluar bizneset e tyre, sepse grave u mungon qasja e barabartë në kredi dhe ato zotërojnë më pak kapital se burrat”, thanë RrGGK në një përgjigje për KALLXO.com. Sipas tyre koha e pandemisë paraqet rrezik të veçantë edhe për një kategori të grave në dizavantazh që janë punëtoret në Kosovë.

“Duke qenë që sektorët esencial aktiv për përballjen e pandemisë COVID-19 janë të mbipërfaqësuar nga gratë, kjo shkakton edhe shkeljen e të drejtave të grave punëtore duke filluar nga orari i tejzgjatur i punës pa pagesë shtesë, mosadresimi i barrës së punës së papaguar shtëpiake, mungesa e masave esenciale higjienike dhe sanitare e deri tek humbja e vendit të punës”, argumenton organizata.

Ata kanë bërë thirrje për monitorim të theksuar dhe raportim të shkeljes së të drejtave të grave dhe veçanërisht grave punëtore tek organet përgjegjëse.

“Në analizën e politikave të përgatitur nga Rrjeti i Grave të Kosovës më 4 Prill 2020, drejtuar Qeverisë, ne kemi propozuar që të implementohet urgjentisht një analizë gjinore gjithëpërfshirese, për të informuar dhe orientuar masat e mëtutjeshme të qeverisë dhe të përfshihen më shumë gra në hartimin e planeve dhe politikave për t’i bërë ballë virusit…”, bën thirrje RrGGK.

Mbi 80 për qind e punëtorëve janë gra në dyqanin e ëmbëlsirave të udhëhequr nga Rudina Qosja, biznesmene nga Prishtina.

“Jemi një biznes i vogël që merremi me prodhimin e ëmbëlsirave. Gjithsej punëtorë jemi shtatë, ku pesë prej tyre jemi gra. është një biznes i krijuar me përkushtim dhe pasion të madh”, thotë Qosja.

Sipas biznesmenes që nga fillimi i krizës së pandemisë gjysma e stafit janë duke punuar me gjysmë orari ndërsa gjysma tjetër e stafit nuk janë duke punuar përkohësisht.

Gjithsesi ajo thotë se momentalisht është duke bërë pagesat e rregullta për të gjithë stafin ndërsa pakoja emergjente e qeverisë sipas saj është e pritshme duke pasur parasysh gjendjen ekonomike të vendit. Pakoja e propozuar edhe sipas vetë Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, nuk pritet të bëjë rimëkëmbje ekonomike.

“Kjo pako nuk ka si qëllim politika afatgjate për të stimualuar rimëkëmbjen e ekonomisë… Pakoja është emergjente sepse jemi në një situatë emergjente shëndetësore”, tha Kurti në konferencë për media.

Qeveria thotë se për ringjalljen e ekonomisë ka nevojë për një studim më të thellë dhe hartimin e një pakoje të dytë për sektorin privat. Në anën tjetër, deri më tani askush nga qeveria nuk ka përmendur ndonjë masë të veçantë për ndihmesën e grave punëtore dhe biznesmene për përballimin e pandemisë.

Masat e veçanta për gratë në biznes është konsideruar urgjent dhe i rëndësishëm nga gratë biznesmene por edhe nga shoqëria civile që përfaqëson këto problematika siç është Rrjeti i Grupit të Grave.

Ky rrjet madje kishte propozuar një analizë gjinore qe do të mund të identifikonte nevojat e ndryshme të grave dhe burrave gjatë kësaj epidemie, mënyrat e ndryshme të ndikimit nga COVID-19, që sipas tyre, do të informonte politikat publike afatgjate dhe afatshkurtra, qoftë në aspektin ekonomik, shëndetësor, apo social.

Ata më pas kanë reaguar pasi që Qeveria e Kosovës, sipas tyre nuk e ka marrë për bazë integrimin e perspektivës gjinore në masat e ndërmarra kundrejt COVID-19.

Përveç shpresave për përfundimin sa më të shpejtë të kësaj kohe të krizës, gratë biznesmene kanë bërë thirrje për fokusimin në ekonomi dhe jo luftës politike ndërsa kanë lutur qytetarët që të bëjnë pjesën e tyre duke konsumuar produkte vendore për t’i ndihmuar ekonomisë së vendit.


Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Rritja e qasjes së grave në punësim”, që implementohet nga Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe mbështetet nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Prishtinë. 

Artikullin mund ta lexoni edhe në Kallxo.com