Bashkëpunimi ndër-partiak për të promovuar turizmin në Rugovë

12.05.2021

Bashkëpunimi ndër-partiak për çështje të ndryshme përkundër dallimeve të ideologjive politike është shumë i rëndësishëm në ndërtimin dhe fuqizimin e vlerave demokratike.

Gjatë muajit mars dhe prill 2021, përfaqësues të rinj të subjekteve të ndryshme politike në Pejë u bashkuan për të bashkëpunuar në zhvillimin dhe implementimin e një ideje që do të ndihmonte komunitetin e Pejës. Gjatë takimeve të shumta të anëtarëve të grupit janë diskutuar ide të ndryshme që do të kishin ndikim pozitiv për komunitetin e Pejës, për të vendosur në fund që promovimi i turizmit në rajonin e Rugovës është mjaftë i rëndësishëm dhe i dobishëm për Komunën e Pejës dhe qytetarët që jetojnë në atë rajon. Për të promovuar kulturën e rajonit të Rugovës, është prodhuar një fletushkë me hartë këtij rajoni me pika kyçe të pushimoreve dhe pikave turistike, informata mbi ushqimet tradicionale që shërbehen nga restorantet në këtë pjesë turistike, si dhe informata mbi veshjet tradicionale të komunitetit nga këto vise malore.

Gjatë vikendit, më 9 maj, anëtarët e grupit kanë dalë në aksion rrugor në Pejë, Prizren, dhe Prishtinë për të shpërndarë fletushka dhe për t’i informuar qytetarët e këtyre qyteteve mbi mundësitë e turizmit që ofron rajoni i Rugovës, duke synuar rritjen e turizmit malor në këto pjesë të bukura të Pejës.


Ky mini-projekt është realizuar si pjesë e aktivitetit “Ide për ndryshim” në kuadër të projektit “Përfaqësimi i rinisë me integritet politik”, me mbështetje financiare nga National Endowment for Democracy”.