Në kuadër të projektit “Dialog social për drejtësi shoqërore”, po mbahen takime me përfaqësues të bizneseve nëpër komuna në Kosovë. Krijmi i një sistemi të mirëfilltë të mbrojtjes sociale përmes Fondit për Sigurime Shoqërore është parakusht për punë të dinjitetshme, dhe arritja e konsensusit shoqëror lidhur me rregullimin dhe funksionimin e këtij Fondi kërkon dialog social mes palëve të interesit, përfshirë punëdhënësit dhe punëtorëve. Në mënyrë që procesi i krijimit të këtij fondi të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe të sigurohet që merr për bazë interesat e të gjitha palëve, takime të njejta do të vazhdohen të mbahen, të cilat do të jenë shtyllë e opsioneve të politikave që do të propozohen.

Pasi që mungon një sistem i mirëfilltë i mbrojtjes shoqërore, grupe të ndryshme të interesit kanë arritur të futen si përfitues të mbrojtjes sociale por grupe të tjera kanë mbetur jashtë kësaj skeme. Specifikisht, fuqia punëtore në Kosovë mbetet përgjithësisht e pambrojtur, me mungesë të mbulimit financiar në raste të papunësisë, sëmundjeve profesionale dhe lënndimeve në punë, si dhe mungesë të mbulimit financiar për leje të lehonisë dhe prindërimit.  Duke parë mangësitë e këtij sistemi, duke filluar nga viti 2017 deri në vitin 2019 ka filluar diskutim i gjerë rreth krijimit të fondit të sigurimeve shoqërore. Ky diskutim i filluar nga shoqëria civile më grupe të ndryshme interesi si pensionistët, sindikatat, odat ekonomike si dhe me institucionet relevante, ka arritur që në vitin 2019 të futet në agjendën zyrtare të qeverisë dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, por jostabiliteti politik në vitet e fundit ka rezultuar në mosvazhdim të kësaj nisme ligjore.

Qëllimi i këtyre takimeve është ri-aktualizmi i temës së krijimit të Fondit për Sigurime Shoqërore nga ana e institucioneve relevante, dhe propozimi i politikave gjithëpërfshirëse që bazohen në evidencë, nevoja dhe kërkesa të punëtorëve dhe punëdhënësve.

Këto takime po realizohen në kuadër të  projektit “Dialog social për drejtësi shoqërore” që implementohet nga Demokraci për zhvillim, pjesë e Koalicionit për Drejtësi Sociale dhe të Drejta socio-ekonomike, që financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze.