• Shqip

Hendeku me Kualifikimit dhe Punësimit të Grave të reja: Pse shkollimi i grave në Institucionet e Arsimit të Lartë nuk po shndërrohet në mirëqenie ekonomike?

20.04.2026

Hyrje – Një alarm ekonomik në mes të progresit akademik

Kosova po dëshmon një fenomen unik dhe shqetësues në Ballkanin Perëndimor: një rritje masive të vajzave që po regjistrojnë dhe po përfundojnë studimet universitare, situate e cila po godet një “mur të padukshëm”  institucional sapo ato tentojnë të hyjnë në tregun e punës. Gjatë moderimit të Sallonit të Institutit D4D, doli në pah një realitet i dhimbshëm: ne po prodhojmë kapital = njerëzor të kualifikuar, por po e lejojmë atë të mbetet “kapital i fjetur”.

Statistikisht, jemi në vendin e pestë me shkallën më të ulët të punësimit të grave në botë. Ky nuk është vetëm një problem i të drejtave të njeriut; është një dështim makroekonomik. Nëse do të rritej përqindja e punësimit të grave joaktive, GDP-ja e Kosovës do të pësonte një rritje eksponenciale. Por, pse investimi në arsim nuk po kthehet në mirëqenie ekonomike?

I. Paradoksi i edukimit: Vajzat dhe gratë studiojnë, burrat punësohen

Të dhënat nga raportet dhe hulumtimet e publikuara nga institucionet shetetore, institutet kerkimore dhe organizatat e ndryshme joqeveritare, si dhe diskutimet me panelistët konfirmojnë se vajzat dhe gratë regjistrojnë dhe përfundojnë studimet Bachelor dhe Master në shifra dukshëm më të larta se burrat. Megjithatë, sapo ato dalin me diplomë në dorë, fillon “mospërputhshmëria”.

Një nga pikat më kritike të diskutimit ishte fakti se ekziston një mospërputhje e madhe mes nivelit të studimeve dhe llojit të punës që u ofrohet grave. Ndërsa djemtë e gjejnë veten më lehtë në pozita që korrespondojnë me diplomën e tyre, gratë përballen me një treg që u ofron punë me kërkesë të ulët të aftësive (Low skill demand).

Punëdhënësit, të ndikuar nga stereotipet gjinore, shpesh i shohin gratë si më të përshtatshme për role mbështetëse (asistente, administratë, infermieri). Fushat si IT-ja dhe Inxhinieria, të cilat janë motorët e ekonomisë moderne, konsiderohen ende si “punë shumë të mëdha për gratë”. Ky është një paragjykim që fillon në familje, ku prindërit shpesh diktojnë profesionin e vajzës duke u nisur nga ideja se çka “përshtatet një gruaje”, duke e mbytur autonominë e tyre që në fillesë.

Diskutimet tona në Sallonin e D4D rikonfirmuan edhe një të vërtetë të hidhur: motivimi i grave për t’u avancuar profesionalisht është statistikisht më i lartë se te burrat, por barrierat që ato hasin janë strukturore. Megjithatë, ky motivim shuhet nga realiteti i tregut. Një pikë alarmi e ngritur në sallon ishte “joaktiviteti”;. Gratë e shkolluara dhe të afta po zgjedhin të mbeten jashtë tregut të punës jo nga dëshira, por nga pamundësia për të balancuar rolet shoqërore.

II. Faktorët Strukturorë dhe Institucionalë: Mungesa e “Urës” drejt tregut

Pjesa e dytë e diskutimit në Sallon fokusohet në mekanizmat që shteti dhe akademia duhet të vënë në lëvizje. Sistemi i arsimit të lartë duhet të pushojë së prodhuari diploma dhe të fillojë të prodhojë kandidatë të aftë për tregun e punës.

Konkluzioni i panelistëve të sallonit ishte i qartë: duhet të kemi programe multidisiplinare dhe, mbi të gjitha, programe Master për Remote Employment. Ky është çelësi për vitin 2026. Puna nga shtëpia për kompani ndërkombëtare evropiane do t’u mundësonte grave të anashkalonin barrierat e transportit dhe të kujdesit shtëpiak. Por, që kjo të ndodhë, universitetet duhet të ofrojnë programe tëakredituara ndërkombëtarisht ose me certifikim të dyfishtë.

Një statistikë tronditëseqë u përmend nga hulumtimi i Institutit GAP, ku nga analiza e mbi 7,500 shpalljeve të punës, në 73% të tyre, kriteret kishin konotacion të pastër për gjininë mashkullore. Kjo do të thotë se barrierat janë të ndërtuara që në momentin e parë të rekrutimit. Sektorët si administrata dhe arsimi, mbeten “geto” për gratë, ndërsa fushat teknike mbeten të mbyllura.

Mungesa e transportit publik efikas nga zonat rurale në ato urbane është cilësuar si një pengesë direkte. Shumë vajza të kualifikuara nuk mund të pranojnë oferta pune sepse kostoja dhe koha e transportit e bëjnë punësimin e tyre ekonomikisht të paqëndrueshëm.

III. Faktori Social: "Tatimi i padukshëm" i grave

Pika ku Kosova dështon më rëndë është faktori social. Ne jemi vendi ku gratë kryejnë mesatarisht 6 orë punë të papaguar në ditë brenda shtëpisë. Ky është një “tatim” që u vihet grave dhe që i pengon ato të konkurrojnë barabartë me burrat.

Po ashtu, statistikat janë alarmi ynë më i madh: vetëm 22% e fëmijëve 0-6 vjeç janë të kyçur në sistemin e edukimit.

Në anën tjetër, për moshën kritike 1-5 vjeç, përfshirja bie në 10%. Mungesa e Institucioneve Parashkollore (IP) publike do të thotë se një grua me pagë mesatare e ka të pamundur të përballojë çmimet “astronomike” të çerdheve private. Ajo “del në humbje” nëse punon.

Në diskutimet me panelistët e sallonit, u nxorrën disa rekomandime për përmirësimin e kësaj gjendjeje, si: Modeli i Prishtinës me “Vauçerët” (100 euro subvencion për familjet me dy prindër në punë për të përballuar shpenzimet në regjistrimin e fëmijëve në kopshte private) duhet të shtrihet në gjithë vendi; Diskriminimi nga Ligji i punës: nuk mund të kemi progres nëse babai ka vetëm 3 ditë pushim prindëror – duhet të ndryshohet urgjentisht Ligji i Punës për të ndarë barren e kujdesit; si dhe gratë që kanë ide ndërmarrëse duhet të mbështeten me grante specifike për të shmangur varësinë nga kreditë me kamata të larta.

IV. Përfundime dhe ndryshimi i paradigmës

Për të kontribuar në përmirësimin e kësaj situate, kërkohet një koordinim i fortë mes familjes, shtetit dhe industrisë. Duhet të ndryshojmë paradigmën: kujdesi për fëmijët dhe shtëpinë nuk është “obligim biologjik” i gruas, por përgjegjësi e përbashkët.

Përveç tjerash, nuk duhet të harrojmë se brenda këtij hendeku, gratë e komuniteteve Rom, Ashkali, Egjiptian dhe Boshnjak përballen me një diskriminim të dyfishtë. Për to, ambicia për shkollim shpesh shuhet që në moshë të hershme për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale.

Hulumtimi i famshëm i D4D me titullin “Sa Kushton Patriarkati?”, na tregoi se kostoja është miliarda euro të humbura. Duke pasur parasysh se 50% e popullatës janë gra, mbajtja e tyre joaktive rendon direkt mbi buxhetin e shtetit dhe mirëqenien e familjeve tona.

Rekomandimet finale që rezultuan nga diskutimet e panelistëve në këtë salon ishin: ndalimi i rekomandimeve të punëve “për gra” në zyrat e punësimit; investimi masiv në edukimin e hershëm (IP); digjitalizimi i punës dhe nxitja e ndërmarrësisë; si dhe ndryshimi i menjëhershëm i Ligjit të Punës për të promovuar barazinë prindërore.

Kosova nuk ka më kohë për të pritur. Ne nuk mund të krenohemi me diplomat e vajzave tona, përderisa tregu i punës vazhdon t’ua mbyllë dyert. Është koha që arsimi të shndërrohet në fuqi ekonomike, e jo në një stoli që varet në mur.

Ky editorial është shkruar me mbështetje të Konrad Adenauer Stiftung.