• Shqip

Kriza e heshtur e grave në Kosovë: Nga shkëlqimi në universitete te padukshmëria në tregun e punës

08.04.2026 Saxhide Mustafa

Debati lidhur me mospërputhjen në mes arsimit të lartë dhe nevojave të tregut të punës në Kosovë nuk është më vetëm një çështje akademike, dhe problem social por ndikon drejtpërsëdrejti në  zhvillimin ekonomik në vend. Kur ky debat vendoset në prizmin gjinor, ai bëhet edhe më urgjent. Sot, gratë dominojnë në arsimin e lartë me rreth 65përqindja e të diplomuarve, por kjo epërsi nuk përkthehet në pjesëmarrje të barabartë në tregun e punës, ku vetëm rreth 26 përqindje e grave janë aktiven ndërsa 74 përqindje joaktive. Ky hendek i thellë është dëshmi e një sistemi që prodhon diploma, dije pa shkathtësi, por jo domosdoshmërisht mundësi.

Një nga problemet kryesore mbetet struktura e kurrikulave universitare, të cilat vazhdojnë të jenë kryesisht teorike dhe të shkëputura nga realiteti i tregut. Sigurisht që kurrikulat nuk kërkohet të jenë të ndara në gjini por ky paradoks vjen si mungesë e një analize të mirëfilltë e programeve universitare karshi nevojave të tregut të punës. Mungesa e të dhënave, e parashikimeve të tregut të punës, lidhjes së drejtpërdrejtë me sektorin privat, praktikat e kufizuara profesionale dhe një orientim i dobët në karrierë e bëjnë të gjatë e të pasigurt tranzicionin nga universiteti në punë, dhe shpesh duke zgjatur deri në 6-8 vite për shumë gra të reja. Ndërkohë, tregu kërkon gjithnjë e më shumë kombinim të aftësive profesionale me shkathtësi të buta si komunikimi, puna në ekip dhe adaptueshmëri, kompetenca këto që nuk zhvillohen mjaftueshëm në sistemin aktual arsimor.

Aktualisht, vazhdojmë të shohim se vajzat përqendrohen kryesisht në studimet e shkencave sociale dhe dominojnë punësimin në sektorët e shërbimeve, shitjes dhe administratës, ndërsa mbeten dukshëm më pak të përfaqësuara në shkencat natyrore, sektorët teknikë, prodhues dhe në bujqësi. Po ashtu, interesi për shkencat kompjuterike dhe për sektorë si siguria dhe sporti mbetet më i ulët krahasuar me meshkujt, duke reflektuar një ndarje të vazhdueshme gjinore në tregun e punës dhe përqendrimin e grave në sektorë me paga më të ulëta dhe më pak stabilitet.

Sa i përket nivelit të arsimit, shumica e grave të regjistruara si punëkërkuese kanë arsim të mesëm profesional ose nivel të ulët arsimor, përfshirë një përqindje të konsiderueshme pa kualifikim ose vetëm me shkollë fillore. Megjithatë, niveli grave me arsim universitar, përballen me norma të larta papunësie krahasuar me meshkujt me të njëjtin nivel arsimor. Në punësim, dominon pra niveli i mesëm profesional, duke reflektuar kërkesën e tregut për profile të tilla.

Në përgjithësi, kjo situate na tregon se kemi një mospërputhje të qartë ndërmjet strukturës arsimore të grave dhe mundësive reale në tregun e punës. Edhe kur janë të arsimuara, gratë hasin barriera strukturore për integrim në sektorë më produktivë dhe më të paguar, pra mbesin të përqendruara në fusha tradicionale me vlerë më të ulët ekonomike. Në disa raste pra ato janë të mbi kualifikuara për punën që bëjnë, por që kërkesa e tregut të imponon një fleksibilitet të tillë.

Përtej kurrikulave, ekzistojnë barriera të thella strukturore dhe kulturore që e përkeqësojnë këtë mospërputhje. Normat tradicionale, ndarja e roleve në familje dhe mungesa e politikave mbështetëse për balancimin e jetës dhe punës ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet e grave për të hyrë ose qëndruar në tregun e punës. Dispozitat aktuale të lejes së lehonisë, dhe lejes së atësisë dhe mungesa e lejes prindërore, shërbimeve të kujdesit dhe mungesa e orarit fleksibilitet, transporti i parregulluar dekurajojnë vetë gratë për të kërkuar një vend pune. Si rezultat, një pjesë e madhe e potencialit të grave mbetet e pashfrytëzuar, ndërsa ekonomia humb kapital njerëzor të vlefshëm, dhe kjo duke reflektuar drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike të vendit.

Një dimension tjetër kritik është mungesa e të dhënave dhe e mekanizmave për parashikimin e nevojave të tregut të punës. Pa analiza të sakta dhe bashkëpunim të strukturuar ndërmjet universiteteve, institucioneve publike dhe bizneseve, është e vështirë të harmonizohen programet studimore me kërkesat reale në tregun e punës.

Mekanizmat e krijuar në niveli qendror dhe lokal duket se bukur janë dizajnuar mirëpo  efekti I tyre në praktikë mbetet I dëshiruar. Bordet industriale dhe zyrat e karrierës, shpesh mbeten formale dhe joefektive në praktikë, duke mos e dhënë vlerësime reale. Kjo krijon një cikël ku të diplomuarit hyjnë në treg pa aftësitë e kërkuara, ndërsa punëdhënësit ankohen për mungesë të kompetencave.

Nëse Kosova synon një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, adresimi i kësaj mospërputhjeje duhet të jetë prioritet. Kjo nënkupton reformim të thellë të kurrikulave, forcim të bashkëpunimit me sektorin privat, investim në orientimin në karrierë dhe krijimin e kushteve më të favorshme për pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Përndryshe, rrezikojmë të vazhdojmë të prodhojmë gjenerata të arsimuara, por të papërfshira, një luks që ekonomia e Kosovës nuk mund ta përballojë.