
Në kuadër të aktiviteteve për promovimin e edukimit medial, zhvilluam një workshop me nxënësit e Shkollës së Mesme të Lartë të Hotelerisë dhe Turizmit “7 Shtatori”, ku prezantuam platformën Verifiko, e cila synon të zhvillojë aftësitë e mendimit kritik dhe të ndihmojë të rinjtë të navigojnë më me kujdes në hapësirën online.
Gjatë diskutimit folëm për mënyrën se si algoritmet e mediave sociale ndikojnë në informacionin që shohim çdo ditë, si dhe për mënyrën se si ngjarjet globale dhe zhvillimet ndërkombëtare reflektohen edhe në diskursin publik në Kosovë përmes mediave dhe rrjeteve sociale.
Nxënësit gjithashtu patën mundësinë të mësojnë më shumë rreth fenomenit të clickbait-it (grrep klikimesh), duke diskutuar se si titujt sensacionalë përdoren për të tërhequr vëmendjen dhe si shpesh mund të na bëjnë të besojmë apo të shpërndajmë informacion pa e verifikuar atë. Përmes shembujve praktikë, u diskutuan disa hapa të thjeshtë për të vlerësuar besueshmërinë e informacionit dhe për të qenë përdorues më kritikë të mediave online.
Ky aktivitet është realizuar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për shoqërinë civile në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.


