
Në Shkollën e Mesme e Lartë Teknike “28 Nëntori” u mbajt një workshop informues me nxënësit, ku u prezantua platforma Verifiko, e cila ndihmon në zhvillimin e aftësive të mendimit kritik dhe të edukimit medial
Gjatë aktivitetit u diskutua për rëndësinë e edukimit medial dhe ndikimin që format e ndryshme të informacionit mund të kenë në opinionin publik, sidomos në epokën e mediave sociale dhe mediave online.
Nxënësit patën mundësinë të mësojnë më shumë për dallimin midis dezinformimit dhe keqinformimit, duke kuptuar se jo çdo informacion i pasaktë shpërndahet me qëllim.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte se kush janë verifikuesit e fakteve në Kosovë dhe disa hapa fillestarë se si mund të verifikojmë informacionin para se ta besojmë.
Ky aktivitet është realizuar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për shoqërinë civile në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.



