Takime me hisedarë në Komunën e Prizrenit – rasti studimor Gorozhup

16.10.2025

Në vazhdimësi të punës me factsheets, grupi po zhvillon takime të rregullta me hisedarë lokalë dhe përfaqësues të institucioneve në Komunën e Prizrenit.

Gjatë takimeve u prezantuan gjetjet kryesore nga rasti studimor në fshatin Gorozhup, i cili nxjerr në pah sfida të shumta që ndikojnë në cilësinë e jetës së grave dhe familjeve në zonat rurale. Mungesa e transportit publik të rregullt dhe institucioneve parashkollore mbeten ndër faktorët kryesorë që kufizojnë mundësitë për punësim të grave dhe për pjesëmarrje të barabartë në jetën ekonomike e shoqërore.

Në fshatin Gorozhup, me rreth 300 banorë, vetëm një numër i vogël i grave janë të punësuara, ndërsa shumica kontribuojnë në ekonominë familjare përmes bujqësisë dhe përpunimit të produkteve ushqimore, por pa status të rregullt punësimi. Banorët theksojnë se mungesa e transportit dhe e shërbimeve të kujdesit për fëmijët janë pengesat kryesore që ndikojnë në mundësitë e tyre për punë apo arsimim.

Diskutimet u përqendruan në mënyrat më efektive për zbatimin e rekomandimeve të përfshira në factsheet, me synim që ato të shërbejnë si udhërrëfyes praktik për institucionet lokale dhe qendrore. Ndër masat më të theksuara janë:

  • subvencionimi i transportit publik, dhe
  • hapja e kopshteve parashkollore në zonat rurale, të cilat do të kontribuonin në rritjen e punësimit të grave, përmirësimin e qasjes në arsim dhe parandalimin e shpërnguljes nga fshatrat.

 

Ky proces zhvillohet në kuadër të projektit “Vendimmarrja me dialog: Përmirësimi i jetës rurale përmes avokimit të grupeve të interesit”, të zbatuar nga D4D me mbështetjen e projektit rajonal SMART Balkans.