Tryezë Diskutimi për Sfidat e Grave në Politikë dhe Jetën Publike (Takimi i Tretë)

02.10.2025

Në Prishtinë u mbajt takimi i tretë konsultativ, ku morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, Zyra për Barazi Gjinore, përfaqësuese nga Avokati i Popullit, grupe për avokimin gjinor si dhe kandidate për asamble komunale.

Diskutimet u përqendruan tek pabarazitë gjinore që shfaqen gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, me theks të veçantë në hapësirën mediatike dhe artikujt e publikuar. U theksua se postimet dhe përmendjet e kandidateve gra janë dukshëm më të pakta krahasuar me kandidatët burra. Në mediat online, artikujt që përfshijnë gratë janë në numër shumë më të vogël, ndërsa në debatet televizive pjesëmarrja e burrave arrin 83% kundrejt vetëm 17% të grave. Prandaj, u kërkua një përfshirje më e gjerë e grave në këto debate dhe përpjekje më konkrete në këtë drejtim.

Gjithashtu, u ngrit çështja e përfaqësimit të barabartë gjinor në listat zgjedhore të partive politike, duke u theksuar nevoja që ato të respektojnë raportin 50/50.

Një pikë tjetër me rëndësi ishte mungesa e mbështetjes financiare për gratë kandidate, pasi subjektet politike shpesh nuk ndajnë mjete të dedikuara buxhetore për këtë qëllim. Po ashtu, u diskutua edhe mungesa e reagimit të strukturave të brendshme të partive politike ndaj gjuhës së urrejtjes që shpesh u drejtohet grave kandidate.