
Fillimi i një bashkëpunimi të ri me mediat dhe gazetarët!
D4D, në bashkëpunim me Komisioni i Pavarur i Mediave – KPM, zhvilluam një punëtori me datën 10 Shtator me mediat ku diskutuam mbi sfidat e raportimit dhe verifikimit të fakteve në kohë reale në media, si dhe mbi nevojën për raportim të paanshëm dhe profesional.
Në diskutimet pas raportit Kapërcimi i Hendekut u theksua nevoja për politika editoriale të qarta dhe publike, përgjegjësi më të madhe në raportim me burime të verifikueshme dhe masa për të kufizuar gjuhën e urrejtjes. Pjesëmarrësit theksuan se mediat e licencuara shpesh ngatërrohen me portale të paregjistruara, duke dëmtuar besueshmërinë e tyre. Për këtë arsye, ata kërkuan mbështetje dhe mjete digjitale për verifikimin më të shpejtë të fakteve, trajnime për raportim në kohë reale dhe udhëzime për përdorimin etik të strategjive online për rritjen e audiencës. Po ashtu, u kërkua që mediat të publikojnë politikat e tyre editoriale dhe të përfshijnë logot e KPM-së dhe Këshillit të Mediave në faqet e tyre, për të dalluar mediat e regjistruara nga ato të paregullta.
D4D synon të ofrojë mbështetje teknike përmes një bashkëpunimi me mediat në Kosovë. Ky është vetëm hapi i parë drejt një bashkëpunimi të qëndrueshëm me gazetarët dhe mediat. Sfidat e ngritura gjatë punëtorisë janë një udhëzues i veprimeve të mëtejshme për dhënë mbështetje në mënyrë që mediat t’i kapërcejnë me lehtësi këto sfida.
Kjo punëtori është realizuar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për shoqërinë civile në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

