Gjatë periudhës 13–19 shtator 2025, Demokraci për Zhvillim (D4D) përmes platformës Pikasa ka monitoruar portalet online dhe rrjetet sociale për të analizuar prirjet e gjuhës së urrejtjes dhe përmendjet e kandidatëve gjatë fushatës zgjedhore. Nga të dhënat e grumbulluara, më së shumti gjuhë urrejtjeje në komente ndaj partive politike është identifikuar ndaj LVV-së me 494 raste, e ndjekur nga Lista Serbe me 373 dhe PDK me 261.
Në nivel të kandidatëve për kryetarë komunash, më së shumti gjuhë urrejtjeje është adresuar ndaj Faton Pecit me 3,758 komente (11%), Sami Lushtakut me 1,927 komente (13%), dhe Lulzim Hetemit me 281 komente (9%). Këto shifra nxjerrin në pah sfidat e kandidatëve për t’u përballur me gjuhë nxitëse dhe përçarëse gjatë fushatës, sidomos në hapësirat digjitale.
Sa i përket përmendjes së kandidatëve në artikujt e mediave online, Përparim Rama prin me 265 artikuj, i pasuar nga Uran Ismajli me 217 dhe Faton Peci me 171. Përfshirja e tyre në media tregon interesimin publik dhe rëndësinë e kandidatëve në diskursin politik gjatë fushatës, ndërsa kombinimi i të dhënave mbi gjuhën e urrejtjes dhe përmendjet mediatike ndihmon në krijimin e një tabloje më të plotë mbi komunikimin politik në hapësirat online.

