
PËRSHKRIMI I RRJETIT
Youth Hub for Western Balkans and Türkiye Network (më poshtë “Rrjeti”), i themeluar fillimisht në vitin 2016, është një rrjet prej 68 organizatash rinore dhe për të rinjtë nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia, me objektiv për të siguruar përfshirje më të madhe të të rinjve në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë⃰, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Turqi.
Rrjeti mbledh të dhëna mbi pozitën e të rinjve, monitoron dhe ndjek përfshirjen e tyre në të gjitha vendet. Ai mbështet ndryshimet në politikat rinore për të arritur pjesëmarrje më të lartë të të rinjve në jetën politike, ekonomike dhe sociale në secilin vend.
PËRSHKRIMI I PROJEKTIT
Sipas Eurostat, popullsia e përgjithshme e të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor 6 (WB6) është mbi 3,6 milionë (21.27% e popullsisë totale), ndërsa në Turqi janë 12 milionë (15.2% e popullsisë totale). Vendet e përfshira nga Projekti përballen me procesin e përafrimit me BE, institucione demokratike të brishta, shkelje të të drejtave të njeriut, liri dhe pluralizëm të kufizuar mediatik, si dhe një emigrim masiv (veçanërisht i të rinjve) drejt BE-së dhe vendeve tjera.
Edhe pse të rinjtë përbëjnë një përqindje kaq të madhe të popullsisë dhe janë kyç për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit BP&T, pjesëmarrja e tyre në zhvillimet e lartpërmendura, dhe rrjedhimisht ndikimi në shoqëritë në tranzicion, mbetet anësor dhe i pamjaftueshëm. Në disa vende, sistemi i mbështetjes për të rinjtë funksionon pjesërisht, por zakonisht përfiton vetëm të rinjtë që tashmë janë aktivë dhe të përfshirë, duke lënë shumicën pas, pa mundësi, informata, njohuri dhe aftësi – veçanërisht të rejat dhe të rinjtë e margjinalizuar.
Këta të rinj përballen me sfida dhe barriera unike, përfshirë mungesën e vendeve të punës cilësore, mungesë të mundësive të duhura arsimore, rrezik të lartë varfërie dhe përjashtim për shkak të mungesës së përfaqësuesve politikë që do të avokonin në emër të tyre.
Indeksi i Pjesëmarrjes së të Rinjve (YPI) 2023, i publikuar nga Rrjeti, thekson përfaqësimin e pamjaftueshëm të të rinjve në jetën politike (veçanërisht grave), përjashtimin nga punësimi dhe arsimi, dhe rrezikun e lartë të varfërisë. Indeksi ofron të dhëna dhe analiza gjinore për disa indikatorë, duke treguar boshllëqe të konsiderueshme gjinore në të gjitha vendet, sidomos në aktivitetin në tregun e punës, nivelet NEET, dhe në sipërmarrjen e grave.
Ky Projekt është në përputhje me deklaratën e Këshillit të Evropës të vitit 2022 mbi mbrojtjen e shoqërisë civile dhe të rinjve, e cila thekson “rëndësinë e pjesëmarrjes së vërtetë dhe domethënëse të të rinjve në jetën demokratike, në veçanti përmes shoqërisë civile rinore, për ndërtimin e shoqërive më demokratike, paqësore dhe gjithëpërfshirëse.”
Qëllimet kryesore të Projektit janë:
-
Të ofrojë avokim të bazuar në evidencë për politikëbërje të përmirësuar dhe zbatim të reformave;
-
Të rrisë kapacitetet dhe bashkëpunimin rajonal të OJQ-ve për të ndikuar në vendimmarrje dhe debat shoqëror, veçanërisht mbi gratë dhe burrat e rinj, përmes Rrjetit Youth Hub për BP&T;
-
Të rrisë angazhimin, dukshmërinë dhe ndikimin e OJQ-ve në ngritjen e vetëdijes publike, mobilizimin e qytetarëve dhe promovimin e pjesëmarrjes qytetare sa më të gjerë.
THIRRJE PËR PROPOZIME PROJEKTESH NGA OJQ-të
Ftojmë kryesisht organizata të vogla dhe të mesme lokale joqeveritare, të cilat kanë një ide inovative, janë të përkushtuara dhe të angazhuara aktivisht në rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve – sidomos të grupeve të nënpërfaqësuara dhe vulnerabël (p.sh.: vajza dhe gra të reja, të rinj romë, të rinj me aftësi të kufizuara, të rinj NEET, etj.) – të aplikojnë në këtë Thirrje për Propozime.
Qëllimi kryesor i kësaj Thirrjeje është të fuqizojë kapacitetet e anëtarëve aktualë të Rrjetit për të vazhduar kontributin e tyre në përmirësimin e pozitës së të rinjve dhe të zgjerojë Rrjetin, në mënyrë që të krijohet hapësirë për OShC-të më të vogla dhe lokale që të përfshihen drejtpërdrejt në aktivitete të ndryshme në nivel lokal, kombëtar dhe rajonal, lidhur me rritjen e pjesëmarrjes sistematike dhe domethënëse të të rinjve.
Ky është një thirrje rajonale për propozime, që do të shpallet dhe zbatohet njëkohësisht, por veçmas në secilin vend të Projektit.
Në Kosovë* zbatohet nga Democracy for Development (D4D).
INFORMACION PËR FINANCIMIN
-
Shuma maksimale për projekt: deri në 5,000 EUR për grant.
-
Kjo shumë përfshin bashkëfinancimin nga aplikuesit.
-
Autoriteti Kontraktues mund të mbulojë maksimum 90% të kostove të pranueshme të projektit.
-
10% e mbetur duhet të mbulohet nga organizatat e përzgjedhura nga burime të tjera përveç buxhetit të përgjithshëm të BE-së ose Fondit Evropian të Zhvillimit.
-
-
Kohëzgjatja: minimumi 6 muaj, maksimumi 12 muaj.
-
Lokacioni: Aktivitetet duhet të zhvillohen në të gjithë Kosovën*.
PËRKRAHJA SHTESË
Përveç mbështetjes financiare, aplikuesit e përzgjedhur do të marrin pjesë në trajnime kombëtare dhe rajonale (në-person dhe online) mbi tema të ndryshme, përfshirë menaxhimin financiar dhe operacional të projekteve të financuara nga BE, si dhe mentorim të rregullt nga qendrat kombëtare të Rrjetit.
Gjithashtu, do të ketë takime vjetore kombëtare të rrjetit, gjatë zhvillimit dhe zbatimit të zgjidhjeve inovative.
PROCEDURA E APLIKIMIT
-
Thirrja është e hapur për të gjitha OJQ-të e interesuara që veprojnë në komunitete lokale në fushën e rinisë (sidomos ato që vijnë nga grupet e margjinalizuara) dhe në çështje socio-ekonomike;
-
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve: 30 shtator 2025, ora 16:00 (CEST).
-
Aplikimet dërgohen në: [email protected]
-
-
Pyetjet rreth procesit të aplikimit mund të dërgohen me e-mail më së voni deri më 15 shtator 2025, ora 10:00, në të njëjtën adresë, duke treguar qartë referencën e Thirrjes për Propozime.
-
Sesioni informues për kandidatët e interesuar do të organizohet jo më vonë se 15 ditë para afatit të aplikimit.
-
Përzgjedhja e aplikuesve do të jetë konkurruese dhe do të bazohet në informacionin e ofruar në formularin e aplikimit.
DOKUMENT PËR INFORMIM
-
Udhëzues për aplikuesit – përmban paketën e plotë të aplikimit.
