Gratë ndërmarrëse në Gjilan: Ballafaqimi i sfidave dhe mundësitë për zhvillim

04.09.2023 Arlinda Kqiku

Vetëm 18 % e grave në Kosovë posedojnë pronë, sinjal ky që lë të kuptohet se shumica tjetër nuk janë të pavarura financiarisht për të nisur një biznes. Pak më shumë se kaq, vetëm 20,8 % prej tyre zotërojnë një biznes në Kosovë.

E përpos barrës financiare, gratë sipërmarrëse nga Komuna e Gjilanit që mëtojnë të angazhohen në sferën publike paragjykohen e stigmatizohen nga shoqëria për shkak të rolit tradicional që gruaja ka pasur në shoqërinë kosovare ndër vite. Me njërën këmbë në biznes, e me tjetrën ato vazhdojnë punën e papaguar në shtëpi, në përkujdesje të familjes.

Shpesh edhe mos përkrahja e familjarëve dhe pritshmëritë që kanë ata për rolin e tyre, i dekurajon ato apo ia pamundëson qasjen aktive në shoqëri dhe nuk i lë atyre kohë ose burime të mjaftueshme për të hyrë në tregun e punës.

Po ashtu qasja e kufizuar në financa dhe kapital konsiderohet një tjetër vështirësi madhore për gratë sipërmarrëse. Ato si sfida renditin edhe mungesën e informacionit për mundësitë e financimit, mungesën e trajnimit si të gjinden në botën e financimit, paragjykimet gjinore midis investitorëve, si dhe mungesa e përfaqësimit në pozitat vendimmarrëse.

Përkundër përmirësimeve në mesin e grupeve më të reja, gratë në Kosovë ende paraqesin nivele më të ulëta të arsimimit sesa burrat. Rreth 50% e grave në moshë pune kanë arsim të mesëm të ulët ose edhe më poshtë.

E ulët është edhe shkalla e punësimit në mesin e personave me arsimim më të ulët, 30% tek meshkujt dhe 5% tek femrat.

Në ndërkohë, ekzekutivi, legjislativi e gjitha organet shtetërore me gjithë fuqinë e tyre duhet të krijojnë politika favorizuese për t’ia lehtësuar grave qasjen në treg të punës, si dhe t’i përkrahin ato financiarisht që ta zbusin peshën mbi supet e tyre.

Edhe mediat, si pushtet i katërt do duhej të promovonin historitë e suksesit të grave sipërmarrëse kosovare me qëllim që ato të inspirohen nga njëra tjera e të inkurajohen që të bëjnë një hap para drejt hapjes së biznesit. E derisa pushtetarët të kujtohen për “super-gratë”, neve na mbetet t’i përkrahim e të ua mundësojmë vajzave, grave dhe motrave tona të shkollohen e të edukohen, sepse ndryshimi nis nga ne!