Barazia gjinore si njëri ndër faktorët kyç të një shoqërie demokratike, arrihet vetëm atëherë kur kemi përfaqësim të dinjitetshëm dhe të barabartë të grave dhe të burrave në politikë bërje dhe vendimmarrje. Këto të fundit nuk arrihen nëse nuk kemi përfaqësim të barabartë gjinor në parti politike dhe atëherë kur gratë nuk trajtohen barabartë nga institucionet, partitë politike, mediet dhe shoqëria.
Gratë në Kosovë, përpos sferës politike dhe jetës shoqërore, ballafaqohen me qasje shtypëse të patriarkatit duke filluar nga familja, shoqëria, sistemi i arsimit, sektori i punës, interpretimi i medieve, gjuhës parlamentare seksiste në kundërshtim me rregulloret për sjellje, e shumë elemente të tjera të cilat i kontribuojnë mos-avancimit të tyre dhe pamundësojnë arritjen e barazisë gjinore dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.
Tutje, pozita e grave në politikë varet vetëm nga vullneti i partive politike dhe jo edhe nga Ligji për Barazi Gjinore (LBGj) i Republikës së Kosovës, meqë ky i fundit vazhdon të injorohet. Partitë politike përpos që nuk respektojnë LBGj-në, ato as në aspektin programor nuk e trajtojnë në mënyrë serioze çështjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave. Kjo qasje e elitës politike, jo vetëm se pamundëson krijimin e një jete më të mirë për gratë, mirëpo përkeqëson gjendjen e barazisë gjinore në Kosovë duke ua mbyllur dyert grave në fushën politike dhe thellon mendësinë patriarkale në shoqëri. Gjithashtu, në aspektin programor pothuajse asnjëra nga subjektet politike aktuale në Kosovë nuk e trajton në mënyrë serioze barazinë gjinore dhe nuk paraqesin ndonjë propozim të detajuar për të e cila lë të nënkuptojmë se nuk i kushtohet aspak vëmendje.
Edhe pse situata rreth arritjes së barazisë gjinore ka filluar që sadopak të ndryshojë, hapësira për gratë duke filluar nga partitë politike vendore e duke vazhduar tek pozitat udhëheqëse politike, pamundëson dhe pengon ashpër pjesëmarrjen e grave në politikë. Kësaj i shtohet edhe barra e grave në familje që pengon angazhimin në sferën publike mirëpo edhe atë private, e kur flasim për
politikë – ato e kanë edhe të vështirë që të sigurojnë hapësirë, mjete financiare për fushatë, për rrjetëzim, etj.
Politika vazhdon të konsiderohet fushë e dedikuar vetëm për burrat. Sipas Agjencisë për Barazi Gjinore paragjykimet gjinore, besimi i përgjithshëm se burrat janë udhëheqës më të mirë dhe mungesa e përkrahjes politike, janë disa nga shkaqet që pamundësojnë ose pengojnë shumë promovimin e grave në pozita vendimmarrëse.
Edhe në atë rast të përfshirjes së grave nga partitë politike, ato në shumë raste ballafaqohen pastaj edhe nga interpretimi seksist medial, ku shpesh shohim se nëpër emisione ftohen kryesisht burra e kjo i pengon politikanet gra që të promovohen. Ato edhe kur ftohen, shpesh pyeten nga gazetarët vetëm për çështje sociale e pak për çështje me rëndësi të shtet-formimit apo çështje të tjera që konsiderohen të rëndësishme për shtetin. Kjo direkt i favorizon burrat politikanë që të promovohen.
Sipas një hulumtimi të Institutit Demokratik të Kosovës (NDI), “udhëheqësitë partiake në mënyrë të njëtrajtshme kanë raportuar që nuk janë në gjendje të rekrutojnë gra mjaftueshëm të kualifikuara për të siguruar përfaqësimin e barabartë brenda listave të kandidatëve në parti”. Nga ky hulumtim, del se partitë politike as nuk marrin seriozisht angazhimin e grave as si anëtare, udhëheqëse apo përfaqësuese të subjektit politik përkatës.
Situata politike sa i përket dhunës me bazë gjinore ndaj grave është mjaft komplekse brenda partive politike direkt nga politikanët burra, gjuha seksiste ndaj tyre është një fenomen mjaft shqetësues dhe po ashtu mjaft e përhapur nga burrat politikanë ndaj grave politikane. Gratë në politikë atakohen nga një pjesë e madhe e shoqërisë. Sa i përket deputeteve gra, ato ballafaqohen me probleme të ndryshme nga vetë partitë e tyre politike, konkretisht nga burra udhëheqës, duke i nënvlerësuar dhe mos përfshirjen e tyre në politikë. Dhuna brenda partive politike është një nga
faktorët që gratë që janë angazhuar ballafaqohen nga partitë e tyre politike, por edhe nga shoqëria me pretekstin se “gratë nuk janë për politikë”.
Dhuna politike përcakton institucionet politike dhe marrëdhëniet e pushtetit – jo vetëm midis grupeve ideologjike konkurruese, por edhe midis gjinive. Dështimi për të kuptuar natyrën gjinore të dhunës rezulton në dështimin për të kuptuar forcat që formojnë këto struktura pushtetin. Gjithashtu pakëson të kuptuarit tonë për dhunën politike në tërësi. Dhuna politike e të gjitha formave kërcënon demokracinë duke destabilizuar institucionet e saj dhe duke ulur me forcë përfshirjen dhe përfaqësimin.