“Fëmijët dhe të rinjtë me dhunti të jashtëzakonshme, të cilët kanë potencial për të treguar nivele tepër të larta të arritjeve në krahasim me bashkëmoshatarët”, ky përkufizim i departamentit të Edukimit të SHBA-së është një prej definicioneve më gjithëpërfshirëse që definojnë personin me potencial të jashtëzakonshëm intelektual. Ky definicion flet për dhuntinë, performancën dhe arritjen. Kjo edhe konfirmon faktin se nuk është e mjaftueshme që një person të ketë vetëm dhuntinë; ai/ajo dunhet ta përdor atë dhunti për të arritur nivele të larta të zhvillimit intelektual. Në shumë vende të zhvilluara të botës investimi në këta persona është mirë i organizuar, ku shteti ofron përkrahje institucionale, madje disa vende kanë nxjerrë edhe ligje dhe kanë dizajnuar strategji të veçanta në mënyrë që të bëhet identifikimi dhe përkrahja e tyre që në moshat e hertshme.
Studimet e ndryshme tregojnë se krahas familjes, janë mësimëdhënësit ata të cilën e nuhasin ndër të parët dhuntinë dhe kreativitetin të fëmijët. Është qenësore që fëmijët që identifikohen të jenë me inteligjencë të jashtëzakonshme, shkolla të ju ofrojë plan-programe mësimore sfiduese, të sofistikuara në mënyrë që këta fëmijë të realizojnë plotësisht potencialin e tyre. Është me rëndësi të kuptohet se personat me dhunti të jashtëzakonshme intelektuale mund të zhvillohen në mënyrë asimetrike, shpesh zhvillimi i tyre intelektual është përpara zhvillimit fizik, dhe funksionet e veçanta njohëse dhe socio-emocionale mund të zhvillohen në mënyrë të pabarabartë. Për këtë arsye, për të plotësuar nevojat sociale të fëmijës, sidomos në klasat fillore, shpesh rekomandohet që fëmija të qëndrojë me moshatarët, nëse shkolla nuk ka kapacitete që të ofroj përkrahje psiko-sociale krahas asaj akademike.
Në Kosovë i është kushtuar shumë pak vëmendje apo është lënë krejtësisht anash një grup i fëmijëve dhe të rinjve me dhunti intelektuale të jashtëzakonshme. Duhet të jemi të vetëdijshëm si shoqëri se identifikimi dhe përkrahja e këtyre personave, jo vetëm që ndihmon ata/ato direkt në plotësim të potencialit të tyre intelektual, por është shumë me rëndësi të dihet se këta persona janë një potencial i jashtëzakonshëm i zhvillimit të një shoqërie. Është shumë me rëndësi që personat me dhunti intelektuate të identifikohen herët. Mosidentifikimi i hershëm i këtyre personave mund të ndikoj negativisht që aftësitë e tyre të mos shprehen për shkak të mundësive të kufizuara të tilla si varfëria, diskriminimi, barrierat kulturore, apo përshkak të problemeve emocionale dhe të motivacionit. Ekziston stereotipi që këta persona duhet ta dëshmojnë vet që kanë dhunti. Mirëpo jo të gjithë përsonat e kanë këtë mundësi, pasi që performanca e tyre varet nga faktorë të ndryshëm socio-ekonomik. Është e domosdoshme që këta persona të identifikohen me kohë, pasi që nëse nuk bëhet një gjë e tillë mundësia që ata të mos përmbushin potencialin e tyre intelektual është shumë e madhe. Çështa e promovimit të personave me dhunti nuk duhet të mbetet vetëm brenda familjes apo insituticionit ku ata mësojnë, por edhe shoqëria civile dhe mediat mund të luajnë një rol të madh në promovimin e tyre dhe në vetëdijësimin e përgjithshëm të shoqërisë.
Në nivel institucional, Kosova është duke bërë shumë pak për këta persona. Vendi ynë nuk ka infrastrukturë ligjore që trajton në mënyrë specifike personat me dhunti. I vetmi instrument që synon të dallojë këta persona është një udhëzim administrativ “Për mundësinë dhe procedurat e realizimit të procesit të avancimit të nxënësve” i cili lejon avancimin për nxënësit me talent që të bëhet brenda një shkalle/niveli në një shkallë/nivel tjetër dhe avancimi i tërë nivelit. Sidoqoftë, avancimi në nivele për të pasur ndikim pozitiv tek fëmija duhet të shoqërohet edhe me elemente tjera mbështetëse, si ofrimi i përkrahjes psiko-sociale për fëmijën, apo edhe dizajnimi i një plani invidual që i përshtatet shkathtësive dhe nivelit të zhvillimit intelektual të fëmijës. Për më shumë, mësimëdhënësit duhet të marrin udhëzime të detajuara, qoftë edhe përmes trajnimeve në identifikimin dhe menaxhimin e fëmijëve me dhunti.
Deri më tani, në Kosovë që nga viti 2011 është vetëm organizata Encompass, me projektin ATOM, që i cili synon identifikimin e fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme. Sidoqoftë, për të patur një qëndrueshmëri dhe përcjellje të vazhdueshme të zhvillimit të kësaj kategori të personave, është kritike që institucionet arsimore të bëjnë më shumë për adresimin e kësaj çështje, qoftë përmes përpilimit të programeve të veçanta për zhvillimin akademik të këtyre personave në mënurë që shkollat të kenë plan-programe specifike për identifikimin e hershëm të tyre, apo edhe të ofrojnë mësim të diferencuar për këta fëmijë. Përderisa nuk ofrohet strategji për përkrahjen institucionale të personave me dhunti intelektuale, këta persona mund të mbeten krejtësisht të zakonshëm në hapsirat ku ata jetojnë. Kjo do të ishte jo vetëm humbje personale e një potenciali të jashtëzakonshëm intelektual, por do të ishte edhe humbje e madhe edhe për shoqërinë.