• Shqip

Të rinjët e Kosovës, orientim drejt vlerave konservative apo liberale?

13.12.2016 Brikena Avdyli

Vlerat e rinisë së Kosovës nuk reflektojnë vetëm vlerat tona aktuale, por na tregojnë edhe  një pasqyrë se ku do të jetë Kosova në të ardhmen. Të rinjët e sotëm do të edukojnë fëmijët e tyre, me përafërsisht të njejtat vlera me të cilat janë rritur ata vet, të cilat vlera janë pjesë e identitetit të tyre. Por çfarë janë këto vlera dhe ku qëndrojnë këto brenda spektrit të gjerë në mes të vlerave konservative dhe atyre liberale? Rinia e Kosovës shpesh e gjenë vetën në mes të vlerave konservative që trashëgon nga familja dhe rrethi dhe atyre liberale që zakonisht u vijnë nga jashtë, përmes ekzpozimit direkt apo indirekt. Në shumë raste, nuk ka nevojë të dilet jashtë Kosovës për të parë këtë dallim. Vlerat e të rinjëve nga vendet më rurale, edhe vlerat e të rinjëve të vendeve urbane janë shumë ndryshe prej atyre me të cilat ata/ato janë rritë. Por, në shumicën e rasteve ky dallim ështe vetëm sipërfaqësor, dhe reflektohet me dallim në stil të veshjes si dhe dalje më të shpeshta në qytet, duke përfshi daljet në mbrëmje. Në thelb, vlerat me të cilat rinia e Kosovës udhëheq jetën e tyre mbesin vlera konservative të thelluara në traditë. Shumica e të rinjëve janë më të mbyllur ndaj vlerave ndryshe, duke përfshi barazinë gjinore, si dhe pranimin dhe ndërveprimin me komunitete të ndryshme. Në disa raste, edhe sikur të besojnë në këto vlera, nuk ballafqohen me sfidën që kërkohet për t’i mbrojtur ato para rrethit të tyre. Duke qenë se veprimet e tyre diktohen nga rrethi, ata/ato vazhdojnë me të njëjtat vlera, dhe bien taman në shabllonin e paracaktuar për ata/ato. Kjo është norma, edhe pse ka përjashtime.

Ndryshimi i kësaj norme është sfidë. Për shkak të zhvillimit të dobët ekonomik dhe papunësisë së të rinjëve, që sipas disa statistikave është deri në 60%, të rinjët janë të varur financiarisht nga familjet e tyre. Shumica e tyre zgjedhin të jetojnë me familje. Po edhe sikur të donin ndryshe, në këto kushte ata/ato do të kishin vështërsi të mbanin vetën financiarisht. Jeta me familje, në shumicën e rasteve ofron më pak hapësirë për të definuar vetën dhe vlerat individuale. Si rezultat, të rinjët trashëgojnë vlerat e paraardhësve të tyre, që zakonisht janë më konservative, dhe mënyra e të jetuarit që ne e konsiderojmë “normale” është krijuar nga këto vlera. Dhe duke qenë se Kosova është e vogël, dhe në një mënyrë ose tjetër të gjithë dalim të njofshëm, çdo dalje jashtë kësaj “normale” rrezikon paragjykimin jo vetëm të personit, po edhe të familjes tij/saj. Kjo është edhe një arsye pse shumë të rinjë hezitojnë të veprojnë ndryshe.

Në anën tjetër, për shkak të faktorëve të ndryshëm si globalizimi, politika, dhe feja, vlerat ndyshojnë vazhdimisht brenda spektrit të vlerave konservative dhe liberale. Në Kosovë kemi disa ndryshime drejt vlerave liberale, dhe nëse shikojmë prapa, vërejmë se në disa fusha jemi bërë më të hapur. Dikur vajzat nuk janë dërgu në shkollë, ndërsa sot në universitete të Kosovës ka më shumë vajza sesa djem. Dikur çiftet kanë bashkëjetuar vetëm pas martesës, dhe zakonisht martesa është bërë në mes të të rinjëve të familjeve homogjene. Sot në shumë pjesë të Kosovës të rinjët mund të bashkëjetojnë para martesës ose të martohen me persona të kombësive të tjera, pa u paragjykuar. Ndryshime të tilla po ndodhin gradualisht, përkundër rezistencës për ta mbrojtur traditën, dhe ne me kohë po i adoptojmë këto vlera të reja. Për gjenerata e ardhshme, këto do të jenë pjesë e asaj që ata do te konsiderojnë “normale.”

Përkundër ndryshimeve graduale, të rinjët vazhdojnë të mbesin në udhëkryq, në mes të vlerave konservative të trashëguara dhe vlerave liberale, që në shumicën e rasteve vijnë nga jashtë. Në mes të dyjave, shumica e të rinjëve zgjedhin të vazhdojnë traditën, pasi që familja dhe vlerat e trashëguara janë pjesë integrale e identitetit tonë. Disa vlera nga jashtë mund të jenë liberale si dhe të nevojshme, në mënyrë që të rinjët e Kosovës të jenë më të hapur, sidomos në trajtimin e barabartë të të gjitha grupeve të margjinalizuara. Por ato e kanë të vështirë të fitojnë në garë me traditën. Për këtë arsye, ndryshimet thelbësore në zhvillim të rinisë mund të vijnë vetëm kur punohet edhe me rrethin njëkohësisht. Nga ky bashkëpunim mund të krijohen vlera që janë kompromis i vlerave konservative të trashëguara dhe vlerave liberale, të cilat do të përputhen me identitetin e të rinjëve të Kosovës. Kështu do të krijohen vlerat në mënyrë më organike, dhe jo në formatin e importimit të vlerave të popujve që mund të jenë shume ndryshe nga populli i Kosovës.

Në fund te fundit, për shkak të globalizimit, edhe vlerat të cilat i mbajmë afër zemrës si vlera tradicionale mund të ndryshojnë. Gradualisht, në familje të Kosovës, dikush nga gjeneratat e reja mund të thyej disa vlera tradicionale, dhe të adoptojë vlera tjera. Por, në përgjithësi, përderisa vazhdojmë të kemi këtë lidhje të ngushtë me familje, gjë që na veçon për të mirë, vlerat e të rinjëve të sotëm të cilat do të përcillen edhe tek fëmijët e tyre do të jenë më shumë konservative.