• Shqip

Rinia dhe punësimi

06.09.2016 Ariana Lukaj

Çdo maturant, në momentin që e lexon emrin e tij në listën e studentëve të pranuar në universitet, mendon se me shkollimin e tij do të mundë të  sigurojë vendin e punës, po ashtu do të mundohet ta ndryshojë realitetin e hidhur, i cili po mbretëron në vendin tonë. Ky është një preokupim i shumicës së të rinjve, të cilët mundohen të krijojnë një realitet ndryshe nga ky, që është duke mbretëruar ditëve të sotme. Gjenerata e re është duke jetuar dhe duke u ballafaquar me një realitet të hidhur, ku i padituri i shet mend të diturit, ku i pasuri i shet mend të varfrit etj. Po jetojmë në një kohë ku të fuqishmit respektohen më shumë se të mençurit, në kohën kur të rinjtë mezi arrijnë të gjejnë një model dhe ta marrin shembull për të ardhmen, pra të gjitha këto ndikojnë negativisht në mendjen dhe zhvillimin e të rinjve, të cilët fillojnë t’i humbasin të gjitha shpresat për një të ardhme të ndritur.

Çdo ditë e më shumë rinia kosovare po ndahet në dy grupe: rinia e cila është e etur për dije dhe rinia e cila është e dhënë pas parasë dhe fitimit të lehtë të saj. Ata të cilët janë seriozë në studime japin maksimumin e tyre për të fituar një diplomë me meritë, në shumicën e rasteve në fund të studimeve arrijnë të bëhen të barabartë me kategorinë e studentëve, të cilët nuk kanë mësuar fare dhe janë pajisur me diploma dhe vende të mira të punës. Pjesa më e madhe e të rinjve pas përfundimit të studimeve kërkon punë, por një numër shumë i vogël i tyre arrin të punësohet. Një numër i konsiderueshëm i tyre fillon t’i humbasë shpresat se një ditë do ta ketë mundësinë të punësohet, sepse lodhet nga të bredhurit kot rrugëve për të kërkuar punë, prandaj detyrohet të largohet nga familja për të zënë një vend pune diku jashtë vendit, çfarëdo qoftë ajo punë.

Ata, ndonëse të pajisur me diploma universitare, punojnë punë nga më të ndryshmet dhe janë të barabartë me ata të cilët e kanë përfunduar shkollën elementare, por këtë nuk e bëjnë me dëshirë, por me të vetmin qëllim për të siguruar ca të ardhura për veten dhe familjen.

A është rinia pasuri apo barrë e shoqërisë?

Në Sallonin e së Martës, ku u diskutua pikërisht kjo temë, shumë të rinj, të pranishëm në Sallon, e shihnin veten si barrë të shoqërisë. Arsyeja e parë, sepse kishin diplomuar dhe ende janë të papunë dhe e shihnin veten edhe si barrë të familjes. Mirëpo, ky është një mendim shumë i gabuar i të rinjve, të cilët e shohin veten të tillë sepse mund të themi lirisht se e vetmja pasuri e pastër të cilën e ka Kosova është rinia, për arsye se e gjithë bota është duke folur dhe duke shkruar për të rinjtë e suksesshëm, që i ka të njohur në mbarë botën. Shteti do të duhej të marrë vendim për t’iu krijuar kushte të mira për shkollim dhe punësim të rinjve, sepse në një formë apo tjetrën të rinjtë do të kenë më shumë vullnet për shkollim dhe për realizimin e dëshirave, të cilat i kanë për jetën dhe nuk do ta shihnin veten si barrë të askujt. Rinia është e ardhmja e vendit, është pjesa më e shëndoshë e shoqërisë e cila momentalisht po përballet me sfida të mëdha për ndërtimin e së ardhmes. Shteti duhet të mundohet me çdo kusht të krijojë një strategji të punësimit për të rinjtë dhe t’i punësojë të rinjtë, të cilët janë vërtet të shkathët në degën për të cilën kanë studiuar.

Çfarë shkathtësie ka rinia që mund të jetë tërheqëse për sektorin privat?

Duke u nisur nga fakti se në Kosovë një numër shumë i vogël i të rinjve arrin të punësohet në sektorin publik, pjesa më e madhe e të rinjve duhet të ketë shkathtësi tërheqëse që të bëhet pjesë e sektorit privat. Pas përfundimit të studimeve, të rinjtë shprehin dëshirën e tyre të madhe për t’u punësuar në sektorin publik për arsye se kanë siguri më të madhe për vendin e punës, ndërsa në sektorin privat nuk kanë asgjë të sigurt, janë të detyruar të punojnë punë nga më të ndryshmet, përveç atyre të cilat i kanë të obligueshme, po ashtu punojnë jashtë orarit të punës dhe nuk kanë fare siguri për vendin e punës. Nuk bën t’i shikojmë vetëm anët negative të sektorit privat sepse ka edhe anë pozitive për të rinjtë, të cilët dëshirojnë të zhvillohen më shumë profesionalisht në karrierë, sepse duke u kërkuar punëdhënësi më shumë punë, atëherë nga kërkesat e shumta përfiton edhe punëtori në aspektin profesional dhe bëhet më i shkathët.

Të rinjtë duhet të mundohen ta prezantojnë veten sa më denjësisht te punëdhënësit, se vetëm kështu mund të arrijnë të bëhen më tërheqës për sektorin privat dhe të përfitojnë më shumë hapësirë për t’u zhvilluar më shumë profesionalisht. Të rinjtë e Kosovës duhet të punojnë shumë për ndërtimin e një të ardhmeje sa më të mirë për vendin e tyre, sepse do t’u japin më shumë vullnet gjeneratave që sapo i kanë filluar studimet dhe janë duke ëndërruar për një të ardhme të ndritur.