• Shqip

Individualizmi, problemet kolektive dhe të rinjtë

21.06.2016 Dren Pozhegu

Sa individualistë janë të rinjtë sot? Sa ndikon rrethi në zhvillimin e tyre dhe a po edukohen që të jenë kreativë dhe të pavarur? Një aspekt i individualizmit është përgjegjësia. Në përgjithësi, individët supozohet të jenë të lirë në veprimet e tyre. Por me lirinë vjen përgjegjësia, sepse vetëm një njeri i lirë në zgjedhje mund të jetë përgjegjës. Gjithashtu, si të lirë individët – dhe meqë jemi racionale si specie – zgjedhin që me veprimet e tyre të përmbushin sa më shumë nevojat dhe kënaqësitë individuale. Në botën utopike të individualizmit aspektet shoqërore janë vetëm zgjatime të interesave personale. Individët mund të mblidhen në një grup, por jo për shkak të ndonjë kauze jashtë individit, por për shkak të interesave individuale të një grupi individësh.

Në këtë aspekt, kush mban përgjegjësinë për gjendjen e të rinjve sot? Papunësia tek të rinjtë është mbi 50%. Shumë prej tyre nuk mund të punësohen përkundër përfundimit të fakultetit apo edhe shkallëve më të larta arsimore. Gjithashtu, aktivitetet tjera kulturore, artistike, sportive dhe rekreative janë të pakta. Në përgjithësi, shumë të rinj përballen me probleme jo të vogla dhe shumë prej tyre nuk janë të kënaqur me gjendjen e tyre.

Në kontekst të individualizmit të përshkruar më lart, përgjegjësia është pothuajse plotësisht individuale. Pra të rinjtë janë përgjegjës për gjendjen e tyre. Arsyeja? Pasiviteti dhe dembelia. Sikur të rinjtë të ishin aktivë, veprimet e tyre do të rrisnin mirëqenien e tyre. Është e vërtetë që jo të gjitha veprimet janë të suksesshme në rritjen e mirëqenies, por me këmbëngulësi dhe pak fat suksesi është i paevitueshëm. Gjithashtu, askush nuk lind i gjithëdijshëm apo i shkathët. Dija dhe shkathtësitë mësohen dhe për këtë arsye është çështje vitale që të rinjtë e të paeksperiencë të jenë aktivë në punë vullnetare dhe punë të niveleve më të ulëta.

Si rrjedhojë e pasivitetit dhe dembelisë, të rinjtë sot presin një dorë nga jashtë që t’i ngrejë lart. E kjo dorë shpesh kërkohet të jetë dora e autoriteteve shtetërore. Si rezultat, edhe problemet sociale nuk shihen si përgjegjësi e individëve për si një problem i autoriteteve shtetërore, të cilat duhet shteti t’i zgjidhë. Por në botën individualiste shteti më shumë është barrë në supet e individëve – përmes taksave edhe rregullimit – sesa zgjidhja e problemit. Tek e fundit, edhe vetë shteti nuk është një organizëm i gjithëdijshëm që për qellim ka zgjidhjen e problemeve individuale, por përbëhet nga individë jo të gjithëdijshëm dhe me interesa personale. Pra, në këtë kontekst nga të rinjtë pritet që të marrin përgjegjësinë për problemet dhe të ndihmojnë në zgjidhje, në vend se të presin që këto probleme të zgjidhen nga jashtë.

Mirëpo, e gjithë kjo perspektivë merr si të mirëqena shumë gjëra që jodomosdo janë të tilla. Për shembull, sa ka mundësi për të rinjtë të jenë aktivë? Mungesa e mundësive në tregun e punës nuk arsyeton kulturën e kafeve dhe mungesën e aktiviteteve kulturore e sportive. Megjithatë, një papunësi e tillë jo vetëm që lë joaktiv një pjesë të madhe të të rinjve, por edhe shërben si forcë demotivuese. Gjithashtu argumenti që përmes punës dhe mundit individët do të promovohen në pozita është i bazuar në argumentin e meritokracisë. Por në Kosovë jemi larg një standardi të tillë. Jemi dëshmitarë të pasurimeve marramendëse të pasluftës në mënyrë jogjithmonë të ligjshme e aq më pak meritore; dëshmitarë të korrupsionit, nepotizmit, etj. Të gjitha këto janë nxitës negative për të qenë aktiv.

Shteti mund të këtë një rol shumë më aktiv në përmirësimin e gjendjes së të rinjve. Pasi që ky është një problem kolektiv, zgjidhja mund të jetë shumë më efektive me ndërhyrje shtetërore. Në fakt shumë probleme nuk mund të zgjidhen nga iniciativa individuale dhe si të tilla ndërhyrja shtetërore është e domosdoshme. Po shteti në veprimet e tij është joefektiv për shkak se ka shumë korrupsion, nuk mund të ketë informata të plota dhe nuk është aq reprezentues i kolektivit, por meqë është domosdoshmëri, atëherë debati do të duhej të ishte se si të bëhet sa më efektiv e jo a të kemi ndërhyrje apo jo.

Një tjetër aspekt i individualizmit është kreativiteti. Pa marrë parasysh që kreativiteti pothuajse gjithmonë shihet si diçka e mirë, në thelb të jesh kreativ do të thotë të krijosh diçka të re, diçka jashtë standardit. E e reja jogjithmonë përkrahet nga publiku, pasi që krijimi në vetvete mbart shkatërrimin – shkatërrimin e të vjetrës apo standardit mbi të cilin janë ndërtuar shumë gjëra tjera. Për shembull, krijimi i telefonave mobilë ka mbytur telefonat fiks, ndërsa tash krijimi i aplikacioneve si “Viber”, “What’s Up”, etj, po e mbyt telefoninë mobile. Në aspektin social, e reja jogjithmonë është kompatibile me të vjetrën. Për shembull, të drejtat e homoseksualeve për t’u martuar e sfidojnë konceptin tradicional të familjes; apo, integrimi kulturor dhe tregtar me Evropë (apo botë përmes globalizimit) bashkë me të menduarit individualist sfidon konceptimet nacionaliste dhe provinciale. Në këtë kuptim, kreativiteti është forcë destabilizuese dhe destruktive (jodomosdo për të keq) dhe si e tillë refuzohet nga ajo që është ekzistuese.

Në aspektin e kreativitetit, sistemi i edukimit në Kosovë vlerësohet të ketë një rol negativ. Kjo për shkak se sistemi arsimor kosovar ka tendencë jo vetëm të mos ua stimulojë kreativitetin nxënësve, por edhe ta mbysë atë. Ndërsa në aspektin social, tekstet shkollore janë të mbingarkuara me gjykime kundrejt grupeve “deviante” dhe si të tilla i shërbejnë konservimit të vlerave ekzistuese. Gjithashtu, raporti autoritativ nxënës-arsimtar nxit konformizëm. Si rrjedhojë, sistemi arsimor në Kosovë ka tendencë të prodhojë nxënës uniformë, të cilët kanë mungesë të kreativitetit dhe janë të ngurtë në aspektin social.

Për fund, përkundër shumë sfidave të rinjtë sot janë shumë më të hapur dhe më kreativë. Megjithatë, te ne shumë aspekte rreth individualizmit janë konfuze dhe shpesh përqafojnë pozita paksa paradoksale. Për shembull, është përmendur shpesh gjatë këtyre dy javëve që përfaqësimi i Shqipërisë dhe tiforzërisë shqiptare në Francë për Kampionatin Evropian të Futbollit ka qenë dinjitoz dhe si i tillë i ka treguar botës fytyrën e vërtetë të shqiptarëve. Por ky pozicion i redukton individët në instrumente të “popullit” për përmirësimin e imazhit të tij. Po ashtu, gjatë debatit u përmendën disa iniciativa individuale që për qëllim kishin të rrisin mirëqenien sociale. Prapë, iniciativa individuale reduktohet në instrument kolektiv. Të jemi të qartë, këto dy shembuj nuk janë gabim në vetvete, por në të njëjtën kohë përmes tyre shpërfaqet tensioni i debatit rreth individualizmit.