• Shqip

Të mbijetuarat e dhunimit nuk janë thjesht një rrëfim morali

05.12.2017 Serbeze Haxhiaj

Qeveria përmbylli një cikël katërvjeçar të një akti nënligjor që u mundëson viktimave të dhunës seksuale në luftë të përfitojnë nga skema e pensioneve. Por, ende ka pikëpyetje se çfarë mund të ndryshojë kjo skemë e vonuar dhe e mangët. Gati dy dekada pas, statusi dhe kompensimi për viktimat është njohje e shtetit për dhembjen dhe vuajtjet e tyre si viktimat e dhunimit. Këto nuk janë reparacione sepse reparacionet nënkuptojnë kompensim për dëmin e luftës që paguhet nga shteti që ka kryer këto dëme. Për këtë duhet edhe një palë. Ajo është Serbia. Por, kjo temë është ende e largët për raportet e armiqësuara mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga brenda, shoqëria kosovare e pati të vështirë t’i njohë dhunimet dhe u tregua tepër e ngathtë t’i trajtojë viktimat. U bë e zorshme që shumica ta tejkalojë batakun e moralit të rremë duke lejuar t’i trajtojnë si të ‘turpëruara’ viktimat e pambrojtura. Vrazhdësia dhe brutaliteti vazhduan gjatë këtyre viteve deri në atë masë sa një raporti vitit 2016 hulumtueses së UN Women, Siobhan Hobbs, thotë se “një numër i tyre vdiq si pasojë e dhunës në familje, të kryer kundër viktimave, në emër të nderit”. Organizata Human Rights Watch në vitin 1999 dokumentoi se dhunimi në Kosovë ishte përdorur “si armë luftë për të frikësuar, poshtëruar dhe ndryshuar demografinë e një territori”. Vite më pas edhe OKB në raportet për Kosovën dëshmoi se dhunimi ishte një prej mjeteve më brutale të luftës të përdorura nga Serbia në Kosovë.

Hezitimi i gjatë në heshtje i shtetit për t’i njohur ato si viktima ishte njëkohësisht mos pranim i dhunimit të përdorur si mjet lufte duke i bërë ato që shpresuan për përkrahje të shohin një të ardhme të mohuar. Autoritetet në Kosovë në vitin 2014 mezi arritën të nxjerrin një ligj që u njeh atyre statusin e viktimës. Megjithatë me këtë ligj të mbijetuarat/it e dhunës seksuale në luftë sërish nuk janë të barabarta me viktimat tjera të luftës. Ato nuk kanë beneficionet e njëjta. Ligjit i nevojitet plotësim për të qenë më gjithëpërfshirës dhe për t’i përfshirë edhe viktimat e tjera të dhunës seksuale të kryer gjatë periudhës së luftës. Refuzimi për kohë të gjatë për t’i përkrahur ato nuk është thjeshtë një rrëfim morali i tërë shoqërisë. OJQ-të që trajtojnë të mbijetuarat thonë se jo më shumë se 1,500 prej tyre kanë kërkuar trajtim konfidencial. Politik bërësit kosovarë ngurruan gjatë të përfshijnë në ligj viktimat e dhunës seksuale përderisa në anën tjetër nuk bënë asgjë për ta frenuar abuzimin industrial në listat e veteranëve të luftës. Premtimet deri më tani nuk kanë sjellë shumë rezultat dhe besimi nuk do të jetë i lehtë për t’u ndërtuar.

Shumë nga të mbijetuarat e dhunës seksuale që shpesh u braktisën treguan se fëmijët vuajtën paralelisht pasojat e nënave të tyre. Problemet e mëdha shëndetësore dhe beteja me varfërinë e thellë u duken të gravuara qartë në fytyra, një shembull shokues i izolimit të tyre. Të ngujuara në burgun e stigmës viktimat nuk shohin ende liri. Ato shohin më tepër një kuazi liri, për të cilën shumë nga ata që janë në pushtet u pëlqen të flasin. Fjala liri mund të jetë një shprehje e favorshme për to aq sa edhe drejtësia që në fakt bie në një distancë të hatashme prej realitetit. Në 18 vitet e kaluara, gjykatat në Kosovë nuk kanë dënuar asnjë person për dhunimet e kryera gjatë kohës së luftës. Ndoshta kjo nuk është koha për të numëruar dështimet për pasojat e atyre që erdhën dhe shkatërruan të ardhmen e një gjenerate të tërë.  Të mbijetuarave u duhet forcë jo vetëm për vete, por edhe për ato që ikën gjatë këtyre viteve në heshtje dhe pa shpresë. Statusi i tyre përbën momentin e një përpjekje për riparim, aty ku ende ka mbetur vend. Këto gra dhe burra ishin aq të fortë për ta përballuar të vetëm peshën e dhunës. Tani atyre u duhet e njëjta kurajë për të marrë atë që u takon. Stigma dhe vetmia që i mbështolli ato dhe një debat që nuk u bë për tërë këto vite nuk do të duhej t’i lëkundë. Pa ato dhe hisen e tyre rrëfimi dhe e vërteta për luftën nuk mund të jetë i plotë.