• Shqip

Rinia në vendimmarrje

06.11.2018 Drita Dibrani

Koha e re kërkon edhe njerëz të rinj. Ndryshimet e reja në shoqëri dhe dinamika e zhvillimit aktual kërkojnë energjinë dhe vullnetin e të rinjve për ta integruar Republikën e Kosovës, si një shtet me synime demokratike. Po t’i studiojmë të kaluarën dhe të sotmen e proceseve politike dhe shtetërore në Kosovë, padyshim, se do të shohim që roli i rinisë në ndryshimin pozitiv të rrethanave të përgjithshme në Kosovë, jo vetëm që ka qenë i madh, por shpeshherë, ka qenë edhe më i fuqishmi dhe prijetar. Një arsye e madhe pse pushteti qendror dhe ai lokal duhet të përpiqen t’i japin prioritet të rinjve është se vendi ynë ka mbi 50 për qind të popullsisë të rinj.

Të rinjtë janë një potencial i madh dhe një burim njerëzor i mrekullueshëm për përmirësimin e jetës në Kosovë dhe për përparimin e vendit me ritme të shpejta.  Prandaj jo vetëm që grupimi i të rinjve në forume të ndryshme rinore është i nevojshëm për organizimin dhe për përparimin e tyre, por është edhe imperativ kohe, domosdoshmëri konkrete që spikatet dhe përjetohet tani në Republikën tonë.

Të rinjtë kanë gatishmëri, vullnet dhe objektiv që t’i kombinojë traditat pozitive të rinisë me frymën përparimtare evropiane lidhur me transformimet shoqërore të Kosovës. Jeta parlamentare e një vendi e stimulon pjesëmarrjen në vendimmarrje përmes përfaqësimit të interesave të qytetarëve të një vendi, por pjesëmarrja e energjisë dhe pasionit të të rinjve në vendimmarrje, me synimin për të ndërtuar vlerat themeltare të një shoqërie, si dhe për t’i kultivuar ato, janë synim vetëm i vendeve demokratike.

Prandaj, të rinjtë duhet të jenë pjesëmarrës në organizma të rëndësishëm të vendimmarrjes në Kosovë, sepse ne të rinjtë duhet të besojmë në vlerat tona përfaqësuese, sepse besojmë në fuqinë e të rinjve, besojmë se të rinjtë mund të shtyjnë sot vendimmarrësit që të fuqizojnë themelet e shtetit të Kosovës, si dhe të krijojnë politika të qëndrueshme të cilat brezave të ardhshëm përfaqësues do t’u mundësojnë që të punojnë të përqendruar në zhvillim dhe mirëqenie.

Ne besojmë se me përfaqësimin e të rinjve do të ndikojmë sidomos që të identifikohen dhe të stimulohen politika dhe përkrahja për të rinjtë. Për ne të rinjtë ka shumë rrugë në të cilat mund të dëgjohet zëri jonë, por përfaqësimi në parlament dhe jeta parlamentare përgjithësisht ka krijuar një rast të shkëlqyer për të qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i jetës demokratike dhe vënies së themeleve të fuqishme në procesin e shtet ndërtimit, të cilin ne po e zhvillojmë me përkushtim.

Ne të rinjtë duhet të besojmë fuqishëm në pjesëmarrjen tonë në garën për përfaqësim, sepse kjo i shumëfishon energjitë tona, e rrit vullnetin për përmirësim të vazhdueshëm të politikave rinore dhe ndikon drejtpërdrejt në dialogun kulturor, e që është aq i domosdoshëm për një shoqëri.

Edukimi i mirëfilltë dhe stimulimi i një shoqërie të mbështetur në dije dhe në shumësinë e ideve, prandaj, mund dhe duhet të jetë synim yni për të ardhmen, sepse të rinjtë janë të interesuar dhe angazhuar të kontribuojnë në shoqëri sikur ata të kenë një opsion me perspektivë afatgjate. Pasiviteti qeverisës deri më tani nuk arriti që potencialin kreativ për punë, që posedon rinia kosovare, të arrijë ta shndërrojë në veprimtari për projekte afatgjate. Ç’është e vërteta, rinia në Kosovë do të mund t’i jepte formën e duhur përbërjes socio-kulturore në Kosovë, e cila tani për tani, lë shumë për të dëshiruar.

Ndër shkaqet kryesore të mungesës së perspektivës jetike tek të rinjtë kosovarë, ndër të tjera mundë të veçohen: mungesa e perspektivës ekonomike, pasiviteti politik dhe mungesa e integrimit dhe sensibilizimi organizativ, moral e social. Atribut në këtë kontrast social është edhe mungesa e horizontit politik në këtë fazë kyçe, sikundër edhe luftërat në mes të gjeneratave.

Por, ne duhet të besojmë po kështu se hapësirat për veprim në një demokraci të konsoliduar janë të shumëfishta, prandaj duhet që ne me kërkesat tona të shndërrohemi në zë gjithnjë e më aktiv për konsolidimin e mëtejmë të saj. Kosova ka moshën më të re në Evropë dhe kjo është një mundësi, por edhe një sfidë për zhvillim. Sepse përveç këtyre shkaqeve të cilat mbajnë rininë pa perspektivë, një pjesë e konsiderueshme e fajit qëndron edhe tek të rinjtë, të cilët vazhdojnë të mbesin pasiv në shumicën e kohës, duke pritur që pushtetarët të servojnë gjithçka të gatshme.