• Shqip

Programi për rininë e Mitrovicës? I padukshëm, e i paprekshëm

05.10.2017 Selvije Kurti

Më parë kur fillonte koha e fushatës ishte e lehtë të manipulohej me ndjenjat e qytetarëve të Mitrovicës. Në fushatat e mëhershme të gjithë kandidatët/et me plot gojë premtonin: “do të bëjmë bashkimin e Mitrovicës”. Nuk flitej për program, e aq më pak për program të të rinjve. Diskutimi i vetëm ndërtohej mbi premtimin e maskuar në gënjeshtër të bukur e shpresëdhënëse: “ne do ta bashkojmë Mitrovicën”. Ky pohim mungon këtë herë në diskursin e politikanëve, por njejtë edhe nga qytetarët e vendit. Nuk ka më pyetje sikurse: A do ta shfrytëzojmë fakultetin tonë përtej urës?  A do të shkojmë në shkollën e mjekësisë e teknikës, objektetet e të cilave gjenden andej urës?”  Nuk ka më pyetje as për lirinë e lëvizjes e as për shëtitoren.

Kandidatët/et e tanishëm për kryetar/e Komunës flasin tani për Mitrovicën dhe Kosovën Evropiane, edhe pse ne të gjithë nuk e kemi edhe aq idenë se si duket Evropa. Si çdo diskutim apo paraqitje publike të kandidatëve, fjalimet e tyre  fillojnë me kujtime. Mitrovica dikur ka qënë qytet i zhvilluar që e ka mbajtur financiarisht gjithë Jugosllavinë. Krenaria e Kosovës, vendi i Rokut e i Sportit, por që nuk është më. Prezantimet e kandidatëve/eve janë të bujshme me plane të stërmbushura për çështje të ndryshme si: transporti urban, qyteti modern, fondi i punësimit, mbështetja e grave, funksionalizimi i zonës së lirë ekonomike, transparenca dhe llogaridhënia. Diku nga fundi përmendet edhe diçka më specifike për të rinjtë/rejat si qendra e inovacionit dhe inkubatori. Por nuk kishtin ide të qartë se si do të dukej dhe cka do të shërbente ajo qendër inovacioni.

Aty përmenden edhe shumë tema të tjera si asnjëherë më parë, apo thënë më mirë fjalë të mëdha për ditë fushate. Fatkeqësisht asgjë specifike të planifkuar dhe analizuar, të matshme, të realizueshme dhe me kosto reale të bazuar në mundësinë e buxhetit komunal. Politikanët thjeshtë sikur thonë: “Ta fitojmë njëherë pushtetin” e pastaj… E cfarë rëndësie ka? Ky është modeli i politikëbërjes në Kosovë, nuk shihet ndonjë ndryshim. Tema mbi të rinjtë, si potenciali kryesor i zhvillimit të vendit duket se nuk gjindet në diskursin e kandidatëve/es. Aty flitet për gjithçka; parkingje, zhvillim ekonomik, minatorët e Trepçës, por jo për dicka konkrete për të rinjtë/rejat e qytetit të do të ishin pjesë e këtyre zhvillimeve, por të ndarë tashmë qoftë në qytet por edhe procese.

Befasuese është se si partitë që njihen në shoqëri si nepotiste, klienteliste dhe të konkurseve jo transparente ndër vite ankoheshin për këto fenomene. Por nëse nisim përbazë dhe kthehemi në pikën zero, se si këta kandidatë do të luftojnë këto fenomene nuk është se ka ndonjë plan konkret. Këto planprograme që i thonë i kanë të zhvilluara e të menduara mire, nuk janë fare online. Si është e mundur që nuk mund të lexojmë dicka nga ajo cka po thonë online? Kandidatët/et i kanë përgjigjet nga më të ndryshme. Si nga ato: “Nuk e kemi publikuar programin sepse po na e vjedhin partitë e tjera.” Apo një përgjigje si “Programin tonë mund ta gjeni “pjesë – pjesë në facebook”. Por shihet qartë si kristali që ata/o as nuk e kishin menduar që krahas zotimit të tyre për transparencë rrjedh edhe obligimi i tyre karshi votuesve, ku programet do të duhet të jenë publike dhe të qasshme për qytetarët. Siç shihet transparenca, llogaridhënia dhe gjithëpërfshirja mbeten fjalë të bukura elektorale.

Në anën tjetër, nuk ka as këresa të qarta nga të rinjtë prezent lidhur me nevojat e tyre. Sikur po vazhdon krijimi i mitit të kadidatit/es të preferuar, dhe dëshira që ai/ajo të jetë në pushtet, fenomen ky që po e tejkalon racionalitetin dhe objektivitetin e gjendjes. Ky fenomen po e zbehë qasjen kritike në artikulim dhe adresimin e nevojave të rinisë së këtij qyteti.

Si përfundim vërehen shumë ide “ad-hoc”! “Program për rininë” si çdo program tjetër për zhvillim, por i pa dukshëm e i pa prekshëm, pa asnjë planifikim buxhetor, kohor e të zbatueshëm. E duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e pjesëmarrjes sa më të madhe të qytetarëve në zgjedhje që nuk e përmendi askush, e sidomos pjesëmarrjen e të rinjve, ne do të donim që oferta e partive politike që synojnë të jenë në pushtet dhe të paguhen me taksat tona, të jenë më konkrete se sa arti i gjithckaje të mundur gjatë fushatës dhe asgjësë të realizueshme gjatë katër viteve të ardhshme.